Rama në ceremoninë e çmimit “Karli i Madh”: Shqipëria krenohet me frymën e tolerancës
Kryeministri Edi Rama ishte sot i ftuar kryesor në ceremoninë tradicionale të çmimit “Karli i Madh” që u zhvillua në Aachen, Gjermani.
Kryeministri Edi Rama ishte sot i ftuar kryesor në ceremoninë tradicionale të çmimit “Karli i Madh” që u zhvillua në Aachen, Gjermani.
Duke iu adresuar me një fjalë kyçe ceremonisë tradicionale të Çmimit të Karlit të Madh, Kryeministri Rama u ndal te toleranca duke sjellë në vëmendje shembullin e Shqipërisë me shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Jam me fat që vij këtu nga një vend i cili krenohet me frymën e vjetër të tolerancës shoqërore, me bashkëjetesën e ndërsjellë të besimeve të ndryshme fetare, myslimanë, ortodoksë, katolikë madje edhe ateistë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se Shqipëria, një vend me shumicë myslimane, ishte i vetmi vend në Europë që kishte më shumë hebrenj në fund të Luftës së Dytë Botërore se sa para se ajo të niste.
“Disa prej bashkëqytetarëve të mi dhe vetë Shqipëria njihen si të drejtë mes kombeve. Në një kohë kur njerëzimi po shkatërrohej gjithkund për shqiptarët toleranca nuk ishte thjesht një pranim pasiv a një njohje me zor i diversitetit të dikujt”, tha Rama.
Mes shumë historive të jashtëzakonshme të tolerancës aktive në Shqipëri, Rama u ndal te historia e një shqiptari i cili u dorëzoi nazistëve dy djemtë e tij në vend të dy hebrenjve që kishte strehuar.
Rama theksoi se toleranca duhet të jetë e rrënjosur në respekt dhe duhet të çojë në pranim të ndërsjellë, përndryshe mbetet e pasinqertë.
“Nuk është vetëm tolerancë për hir të një bashkëjetese në paqe, por vlerësim aktiv i njeri- tjetrit. Të kuptuarit se shkaqet për mosdakordësi nuk duhet të na çojnë në shkatërrim, por mund të shndërrohen në një dritare për të njohur tjetrin më mirë dhe për t’u pasuruar vetë më shumë”, shtoi Rama.
Rama theksoi se kjo formë tolerance, toleranca që shqiptarët shprehën ndaj hebrenjve duke vendosur jetët në rrezik kundër së keqes, kërkon frymën e vetë të përkushtimit dhe kërkon angazhim.
“Të zgjidhësh mosmarrëveshjen me respekt dhe të vazhdosh të ndërtosh ura në mënyrë që të vazhdojmë të diskutojmë e sfidojmë”, tha ai.
(Marrë nga ATSH)