Rama për “Ligjin e Luftës”: Me dialog e mirëkuptim mund të zgjidhim të gjitha çështjet e mbetura

Rama shprehu keqardhje për faktin se këto ngrica ciklike e kanë penguar që të duket edhe progresi i bërë në disa drejtime me rëndësi.


Kryeministri Edi Rama i bëri thirrje sot Greqisë që të bashkëpunojë për të zgjidhur të gjitha çështjet mes dy vendeve, ku ndër to theksoi heqjen e Ligjit të Luftës, si europianë largpamës dhe jo si ballkanas syleshë.

Në takimin e mbajtur në Athinë me shqiptarët që jetojnë e punojnë në Greqi, Rama, duke risjellë në vëmendje edhe fjalët e Ismail Qemalit, tha se Shqipëria dhe Greqia duhet të ishin sot një kundërpeshë triumfi e fqinjësisë së kthyer në një aset strategjik, gjeopolitik, në panoramën e Ballkanit dhe një shembull tërheqës për të gjithë fqinjët e tjerë.

 

“Ati ynë themelues shkruante në 1920-ën: Unë jam i bindur më shpejt se sa vonë, dashuria e përbashkët e shqiptarëve dhe grekëve për lirinë, do t’i udhëheqë ata drejt mirëkuptimit dhe krijimit të një kundërpeshe në gadishullin ballkanik për të mirën e të tërëve”, citoi Rama, Ismail Qemalin.

 

Merreni me mend, shtoi ai, plaku i urtë i Pavarësisë i ka botuar këto kujtime në 1920-ën, kur marrëdhëniet mes dy shteteve tona ishin bërë shumë të vështira.

“Fatkeqësisht vizioni gjenial i Ismail Qemalit ishte përtej horizontit të kohërave që pasuan takimin e tij me mbretin e Greqisë. Lufta II Botërore, mbyllja hermetike e Shqipërisë në rrethin e 9-të të Ferrit, ndarja e Europës më dysh, shtyu deri në fundin e shekullit XX mundësinë të rikthehej ky vizion i Atit tonë themelues në tryezën e marrëdhënieve të rivendosura tërësisht mes dy shteteve pas shembjes së komunizmit”, u shpreh ai.

 

Por, theksoi Rama, iku edhe shekulli XX dhe po vjen mesi i dekadës së 3 të shekullit XXI dhe në vend që Shqipëria dhe Greqia të ishin sot një kundërpeshë triumfi e fqinjësisë së kthyer në një aset strategjik, gjeopolitik, në panoramën e Ballkanit dhe një shembull tërheqës për të gjithë fqinjët e tjerë, që ta ndiqnin për paqen që prodhon mirëqenie, siguri ardhmëri, në tryezën e marrëdhënieve tona ndërshtetërore rri akoma në fuqi Ligji i Luftës së Greqisë me Shqipërinë.

 

Ai ligj i 10 nëntorit të 1940-ës, deklaroi kryeministri, përcakton se çfarë bëhet me pronat dhe me shtetasit e vendeve në gjendje lufte. Dhe po atë ditë, me dekret mbretëror, ligjërohet gjendja e luftës me Italinë dhe me Shqipërinë.

“Në 1947-ën, Greqia ratifikon Traktatin e Paqes me Italinë dhe gjendja e luftës mbaron. Ndërsa me Shqipërinë, dekreti i gjendjes së luftës dhe për rrjedhojë pasojat e Ligjit të Luftës mbeten në fuqi sot e gjithë ditën. Megjithëse, në vitin 1998 të dyja shtetet kanë miratuar Traktatin e Miqësisë. Po si ka mundësi që mes dy shtetesh, që kanë nënshkruar një traktat miqësie të ri, që janë bashkë në NATO prej 15 vitesh, të mos jetë shfuqizuar gjendja e luftës, bashkë me pasojat e një Ligji Lufte të 84 viteve më parë”, u shpreh Rama.

Rama theksoi se në këto vite, ai dhe qeveria që drejton janë përpjekur sa dhe si kanë mundur që ky absurditet të largohet nga tryeza e marrëdhënieve dypalëshe.

 

Ashtu sikundër, shtoi Rama, përpjekjet kanë vazhduar që të adresohen sa më drejt me dialog, e mirëkuptim të gjitha çështjet e mbetura mes dy shteteve.

 

“Sepse kam bindjen e palëkundur që nëse ka vullnet të mirë dhe vendosmëri reciproke, të gjitha mosmarrëveshjet e trashëguara mund të zgjidhen pa pritur të kalojnë edhe 84 vite të tjera”, deklaroi kryeministri.

 

Rama bëri të ditur se tek kryeministri aktual i Greqisë, kishte gjetur bashkëbiseduesin më të hapur të këtyre 10 viteve.

 

“Bashkëbiseduesi im i sotëm, në pallatin Maximos, është më i hapuri dhe më i interesuari për ta mbyllur kapitullin e çështjeve të mbartura. Puna për zgjidhjen e tyre ka ecur ngadalë dhe ka ngecur herë pas here”, nënvizoi Rama.

 

Megjithatë, ai u shpreh besimplotë se më e mira mes Greqisë e Shqipërisë është e gjitha përpara.

 

“Dhe këtë besim e kam të armatosur me gadishmërinë që ne ti zgjidhim të gjitha çështjet mes nesh si europianë largpamës të shekullit të XXI e jo të vazhdojmë ti zvarrisim si ballkanas syleshë të shekullit të vjetër, për ti kthyer pastaj në mollë sherri sa herë hapen tezgat e pazareve elektorale”, tha ai.

 

Ndërkohë, Rama shprehu keqardhje për faktin se këto ngrica ciklike e kanë penguar që të duket edhe progresi i bërë në disa drejtime me rëndësi.

(Marrë nga ATSH)

Lexo më shumë nga

Ermir Shahini era e mirë e shkencës ekonomike

Studiues i mirfilltë i shkencave ekonomike. Vlerësuar nga SCOPUS i dyti në UAMD dhe i 65 në Shqipëri

Global 360

Marrëveshja trepalëshe me Shqipërinë dhe Emiratet, Meloni: Projekt ambicioz, ndërlidhje e re energjetike

Meloni theksoi se është e gëzuar që të nënshkruajë kuadrin e partneritetit strategjik me Kryeministrin Rama për të nisur një…

Diplovista

Hetimet e SPAK-ut, Rama: I qetë e i vendosur që të vijojë beteja ndaj pandëshkueshmërisë

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, kryeministri bën një bilanc të zhvillimeve kryesore të vendit, që nga përparimi në…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Ermir Shahini era e mirë e shkencës ekonomike

Studiues i mirfilltë i shkencave ekonomike. Vlerësuar nga SCOPUS i dyti në UAMD dhe i 65 në Shqipëri