Rama: SPAK ka mbështetjen maksimale të qeverisë, askush të mos jetë mbi ligjin
Kryeministri: Luftova që në fillim që Shqipëria të ketë një moment kthese ku drejtësia të godasë majtas djathtas pa pyetur sa lart je, as se çfarë lidhje ke
Kryeministri Edi Rama deklaron se SPAK-u ka mbështetjen maksimale të qeverisë.
Gjatë një interviste për Nacionale, Rama nënvizon “të merresh në hetim nga SPAK është një gjë, që SPAK-u të të marri në pyetje si person në dijeni apo sqarime, është një gjë tjetër. Duhet të mësohemi me këtë”, u shpreh Rama.
“Të gjitha këto që po ndodhin provojnë se se ne po bëjmë si duhet detyrën që kemi marrë përsipër karshi njerëzve. E para, të bëjmë një reformë drejtësie për ta pavarësuar drejtësinë nga politika. E dyta, t’i qëndrojmë vendosmërisht zotimit se ne nuk e kontrollojmë drejtësinë dhe nuk futemi në këtë punë. Dhe e treta, pse e kemi bërë ne këtë? E kemi bërë që pikërisht të ndodhin këto gjëra. Nuk e kemi bërë që mos të ndodhin këto gjëra”, tha Rama.
Kryeministri shtoi më tej se “fakti që ne i kemi dhënë drejtësisë mundësi të ketë një grykë zjarri që gjuan, pavarësisht se ti je në pushtet, a je në opozitë dhe që furnizohet me municion falë vullnetit tonë, sepse kanë pagat më të larta në Republikën e Shqipërisë, kanë mbështetje maksimale, nuk komentojmë kurrë për ta, kjo duhet t’i gëzojë njerëzit”.
“Për mua është lajm i mirë kur një parazit që ushqehet në trupin e shteti shqiptar, nuk është më në pozicionin që të vazhdojë të ushqehet me trupin e shtetit shqiptar. Kjo është pozitive”, theksoi ai.
Kreu i Ekzekutivit nënvizon se përgjegjësia e tij është “që ky vend të bëhet një vend që askush të mos jetë mbi ligjin dhe ku drejtësia për herë të para në histori që nga 1912 dhe në vazhdim të historisë që vjen, mos të jetë në varësinë e pushtetit politik”.
“Luftova që në fillim që Shqipëria të ketë një moment kthese ku drejtësia të godasë majtas djathtas pa pyetur sa lart je, as se çfarë lidhje ke”, deklaroi Kryeministri Rama.
(Marrë nga ATSH)