Kuvendi miraton ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Antikorrupsionin
Kuvendi miratoi sot me 74 vota pro dhe 6 kundër projektvendimin “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”.
Kuvendi miratoi sot me 74 vota pro dhe 6 kundër projektvendimin “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”.
Komisioni i Posaçëm u ngrit në zbatim të rezolutës së Kuvendit “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”.
Ky komision ka për qëllim kryesor të tij të drejtojë e koordinojë një proces të thelluar reformimi, me synim përmirësimin dhe konsolidimin e praktikave të mirëqeverisjes në të gjitha nivelet.
Po ashtu synohet thellimi i luftës kundër korrupsionit dhe forcimi i mëtejshëm i zbatimit të ligjit, duke pasur si udhërrëfyes gjetjet dhe rekomandimet e raporteve të Bashkimit Evropian dhe raportit Screening të Komisionit Evropian për grupkapitullin e parë, si dhe adresimin e masave të udhërrëfyesve të miratuar nga qeveria “Për shtetin e së drejtës” dhe “Reformën në administratën publike””.
Komisioni i Posaçëm ka për objekt hartimin dhe miratimin e një Plani Kombëtar Veprimi, me kohështrirje afatgjatë dhe të qëndrueshme për adresimin e sfidave përkatëse në këto fusha, duke rekomanduar edhe masa konkrete për ndryshime të mundshme ligjore dhe institucionale, të cilat duhet të adresohen në secilën fushë nga institucionet përgjegjëse.
Komisioni i Posaçëm përbëhet nga 11 anëtarë, nga të cilët 6 janë përfaqësues të shumicës parlamentare dhe 5 përfaqësues të pakicës parlamentare.
Gjithashtu në seancën e sotme do të prezantohet edhe raporti vjetor i veprimtarisë së Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri për vitin 2023.
Po ashtu, Kuvendi sot dot të diskutojë projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9270, datë 29.7.2004, “Për sistemin e adresave”, të ndryshuar.
Në rend të ditës për diskutim është edhe projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10129, datë 11.5.2009, “Për gjendjen civile””, të ndryshuar.
Kuvendi pritet të diskutojë edhe projektligjin “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”.
Po ashtu në seancën e sotme, Kuvendi miratoi me 73 vota pro dhe 12 kundër edhe projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për sistemin e adresave”.
Kuvendi miratoi me 73 vota pro dhe 12 kundër, projektligjin “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”. (ATSH)