Industritë e gjelbra evropiane shikojnë nga Kina për realizimin e ngritjes

Centrali i energjisë së erës Senj, në bregdetin e Adriatikut në Kroacinë Perëndimore, e ka ulur shkarkimin e dioksidit të karbonit me rreth 460 000 tonë në vit që kur u përurua në vitin 2021.


Centrali i energjisë së erës Senj, në bregdetin e Adriatikut në Kroacinë Perëndimore, e ka ulur shkarkimin e dioksidit të karbonit me rreth 460 000 tonë në vit që kur u përurua në vitin 2021. Energjia elektrike e gjelbër më e lirë që prodhon ai, plotëson kërkesat e më shumë se 100 000 familjeve kroate.

Projekti i gjelbër, i zhvilluar nga Kompania e Bashkëpunimi Ndërkombëtar “Norinco” e Kinës, është një “model bashkëpunimi” nga i cili përfitojnë të dy vendet, tha kryebashkiaku i qytetit Senj Jurica Tomljanoviç. Të ardhurat nga funksionimi i këtij centrali janë përdorur për të investuar në infrastrukturë, ujësjellës, plazhe dhe “çdo gjë të rëndësishme për banorët” e qytetit.

Si një shembull i bashkëpunimit të suksesshëm ndërmjet Kinës e Kroacisë, kjo vepër mishëron gjithashtu prirjen e viteve të fundit të mundësive të mëdha të bashkëpunimit midis Kinës dhe vendeve evropiane, veçanërisht në zhvillimin e energjisë së gjelbër.

Bashkëpunim me leverdi të ndërsjellë

Pasi prodhuesi kinez i baterive CATL njoftoi vendimin për të ndërtuar uzinën e tij të dytë europiane në Hungari në vitin 2022, të dy vendet janë bërë dëshmitarë të rritjes së bashkëpunimit në nxitjen e shumë projekteve të gjelbra. Prodhuesi kinez i makinave BYD vendosi gjithashtu të investonte në një bazë prodhimi për automjetet e tij elektrike në këtë vend evropian.

Bashkëpunimi me Kinën nuk është vetëm i dobishëm për Hungarinë, por edhe për BE-në në tërësi, tha Zoltan Kiszelly, drejtor i Qendrës së Analizave Politike pranë Institutit “Szazadveg” të Hungarisë.

Uzina e BYD-it do të nxisë transformimin e gjelbër të Evropës dhe do të përmirësojë mirëqenien e banorëve vendas. Për më tepër, konkurrenca e shëndetshme me kompanitë kineze ka promovuar gjithashtu inovacionin dhe kërkim-zhvillimin e kompanive evropiane, shtoi Kiszelly.

Hyrja në tregun evropian e “Arcfox”-it, marka e makinave me energji të re e prodhuesit kinez të automjeteve, Korporata e Industrisë së Automjeteve e Pekinit, nëpërmjet Spanjës javën e kaluar, u bë një tjetër tregues i rëndësishëm i bashkëpunimit energjetik Kinë-Evropë.


Një makinë e BYD-it në ekspozitë, Budapest, Hungari, 2023 (Foto: Xinhua)

Në bashkëpunim me Grupin e Logjistikës “Atium” të Spanjës, “Arcfox” ka krijuar një qendër logjistike për ruajtjen, depozitimin dhe eksportimin e automjeteve në portin e Ferrolit në veriperëndim të Spanjës. Qendra do të mbulojë një sipërfaqe magazinimi prej 9000 metrash katrorë. Deri në vitin 2025, kjo firmë kineze pret të shesë 5000 deri 8000 makina në tregun europian.

“Kjo është një nismë me vizion afatgjatë që promovon rëndësinë e Ferrolit në hartën e logjistikës globale e, natyrisht, të Kinës, dhe mund të jetë një magnet për investimet e reja,” tha Francisco Barea, drejtor i Autoritetit Portual të Ferrolit.

Në qytetin e Barcelonës, një marrëveshje e re e nënshkruar në prill midis “Ebro-EV Motors” të Spanjës dhe “Chery Automobile” të Kinës jo vetëm që do ta kthejë këtë qytet në një qendër prodhimi të makinave elektrike, por gjithashtu do të sjellë përfitime për banorët e tij.

Ndërmarrja e përbashkët e krijuar në kuadër të kësaj marrëveshjeje do të ripunësojë rreth 1 250 ish-punëtorë të prodhimit të automjeteve, të cilët humbën punën e tyre në vitin 2021, kur firma japoneze “Nissan” mbylli fabrikën e vet në Barcelonë. Pritet që uzina e re të prodhojë 150 000 automjete në vit.

Bashkëpunimi i mirëpritur

Bashkëpunimi Kinë-Evropë në sektorin e gjelbër do të nxisë përparime më të rëndësishme në përpjekjet globale për zhvillimin e qëndrueshëm.

I përkushtuar për të ofruar produkte me cilësi të lartë në përballimin e ndryshimeve klimatike, sektori i energjisë së re i Kinës ka kontribuuar në mënyrë të jashtëzakonshme gjatë transformimit të gjelbër të vendeve në mbarë botën, sidomos të vendeve anëtare të BE-së, tha në prill zëdhënësi i Ministrisë kineze të Tregtisë He Yadong.

Si qendra prodhuese, Kina dhe Gjermania po përforcojnë bashkëpunimin në sektorët e rinj, duke përfshirë makinat elektrike, dhe transformime të tjera të gjelbra. Gjithnjë e më shumë ndërmarrje kineze po shfrytëzojnë mundësitë e reja që ofrohen prej ekonomisë më të madhe të Evropës, duke bashkuar forcat me partnerët vendorë. Një raport nga agjencia gjermane e promovimit të tregtisë dhe investimeve të huaja “German Trade & Invest”, i publikuar ditët e fundit, tregon se projektet me investimeve kineze në Gjermani vitin e kaluar u rritën me 42 % në krahasim me vitin 2022.

Sipas raportit, një e pesta e projekteve me investime kineze ishte në sektorin e energjisë së ripërtëritshme të Gjermanisë, shifër kjo sa trefishi i asaj të vitit 2022. Angazhimi global në rritje i firmave kineze ka favorizuar Gjermaninë, pasi investimet e tyre kanë kontribuar për objektivin e Gjermanisë për të arritur asnjanësimin e karbonit deri në fund të vitit 2045, tha Thomas Bozoyan, autor i raportit.


“Ebro-EV Motors” të Spanjës dhe “Chery Automobile” të Kinës lidhin marrëveshje bashkëpunimi, Prill 2024, Barcelonë, Spanjë(Foto:Xinhua)

“Kina dhe Gjermania mund të jenë partnere të rëndësishme për realizimin e objektivave globalë për të përballuar ndryshimet klimatike, që mund të arrihen vetëm me përpjekje të përbashkëta. Ne i mirëpresim kompanitë kineze të vijnë në Gjermani dhe të prodhojnë këtu,” tha Hildegard Mueller, kryetare e Shoqatës Gjermane të Industrisë së Automobilave në një intervistë për agjencinë e lajmeve kineze “Xinhua”. Ajo vuri në dukje se, nga rritja e shpejtë e tregut kinez të automjeteve elektrike, kanë përfituar teknologjikisht vendet evropiane.

E pavërteta për “mbikapacitetin”

Megjithatë, duke pasur parasysh rritjen e eksportit të automjeteve elektrike, baterive të litiumit dhe produkteve fotovoltaike kineze, si dhe bashkëpunimin e saj premtues në fushën e energjisë së gjelbër me mbarë globin, disa politikanë dhe media amerikane kanë përdorur retorikën e “mbikapacitetit” të Kinës në industrinë e energjisë së re.

Ekspertët dhe zyrtarët nga vendet dhe organizatat ndërkombëtare e hodhën poshtë këtë të pavërtetë dhe vunë në dukje se politizimi i industrisë së energjisë së re të Kinës nga proteksionizmi konservator, për të frenuar hovin e saj të zhvillimit, nuk tregon shenja të mira për konsensusin global dhe për prirjen drejt synimit të zhvillimit të gjelbër me shkarkim të ulët të karbonit.

Shefja e shoqatës gjermane të automobilave tha se rreth 16 % e makinave të prodhuara në Kinë eksportohen, ndërsa industria gjermane ka shifra më të larta: tre në katër makina të prodhuara janë për eksport. “Ne nuk jemi njerëzit e duhur për t’u ankuar për mbikapacitetin,” tha ajo, duke shtuar se duhet të ketë konkurrencë të ndershme globalisht, çka është gjë e mirë për tërë palët.

Në sfondin e kërkesës së madhe për energji të re në botë, epërsitë e kapaciteteve prodhuese të Kinës kanë luajtur një rol të rëndësishëm në promovimin e realizimit të objektivit global të asnjanësimit të karbonit. Bashkëpunimi i gjelbër me Kinën që po zhvillohet nga shumë vende evropiane, hedh poshtë vetë pretendimin e pabazuar.

Sa i përket uljes së shkarkimit global të karbonit, Carl Fey, një profesor i strategjisë nga Shkolla Norvegjeze e Biznesit BI, tha: “Qeveria kineze meriton një vlerësim të madh për njohjen e hershme dhe për besimin se automjetet elektrike mund të jenë një zgjidhje.”

Në një periudhë afatshkurtër, është mirë që kompanitë kineze prodhojnë më shumë “makina elektrike me cilësi të mirë dhe të përballueshme nga disa prodhues” në botë. Nga perspektiva afatgjatë, është gjithashtu mirë që prodhuesit evropianë dhe amerikanë të automjeteve mund të konkurrojnë në arenën globale, tha Fey.

Burimi: CRI.CN

Lexo më shumë nga

Shqipëria në SEPA, Sejko: Kostoja e pagesave 5 herë më e ulët, 20 mln euro kursim vitin e parë

Bordi i Këshillit Evropian të Pagesave miratoi kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në Tregun Unik të Pagesave në Euro, (SEPA)…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Shqipëria në SEPA, Sejko: Kostoja e pagesave 5 herë më e ulët, 20 mln euro kursim vitin e parë

Bordi i Këshillit Evropian të Pagesave miratoi kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në Tregun Unik të Pagesave në Euro, (SEPA)…