Kina do të marrë masa kundër tarifave të KE-së mbi makinat elektrike 

Shumë departamente të qeverisë kineze dhe organizata shprehën të mërkurën kundërshtim të fortë ndaj vendimit të Komisionit Evropian (KE) për të vendosur tarifa të përkohshme për importet e automjeteve kineze me bateri elektrike


Shumë departamente të qeverisë kineze dhe organizata shprehën të mërkurën kundërshtim të fortë ndaj vendimit të Komisionit Evropian (KE) për të vendosur tarifa të përkohshme për importet e automjeteve kineze me bateri elektrike dhe u shprehën se do marrin të gjitha kundërmasat e nevojshme, duke i kërkuar BE-së që të ndreqë menjëherë veprimin e vet të gabuar.


Foto:VCG

Në një deklaratë, KE-ja njoftoi të mërkurën se do të vendosë tarifa të përkohshme shtesë nga 17.4 në 38.1 për qind për automjetet elektrike nga Kina që nga fillimi i korrikut, pavarësisht kundërshtimit nga vendet anëtare të BE-së si Gjermania, Suedia dhe Hungaria.

Këto tarifa të rënda do të godasin markat kineze si BYD, “Geely” dhe SAIC. Makinat “Tesla” të prodhuara në Shangai mund t’i nënshtrohen “një tarife të llogaritur individualisht në fazën përfundimtare” pas një “kërkese të argumentuar”.

Të mërkurën, Ministria e Tregtisë e Kinës i kërkoi Bashkimit Evropian (BE) t’i ndreqë menjëherë praktikat e veta të gabuara dhe t’i trajtojë siç duhet fërkimet ekonomike e tregtare nëpërmjet dialogut e konsultimeve, duke u zotuar të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur me vendosmëri të drejtat dhe interesat e ligjshme të ndërmarrjeve kineze.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Lin Jian, paralajmëroi se hetimi antisubvencion i BE-së për automjetet elektrike kineze shkel parimet e ekonomisë së tregut e rregullat e tregtisë ndërkombëtare dhe do të dëmtojë interesat e BE-së.

Dhoma e Tregtisë e Kinës në BE shprehu tronditjen, zhgënjimin e madh e pakënaqësinë e thellë. Sipas saj, epërsia e industrisë kineze të automjeteve kineze qëndron në risitë teknologjike dhe në menaxhimin e kostos. Një gjë e tillë arrihet nëpërmjet përsëritjes së vazhdueshme teknologjike dhe konkurrencës intensive të tregut, duke shfrytëzuar epërsitë gjithëpërfshirëse të zinxhirit të furnizimit të Kinës, për të krijuar një forcë të madhe konkurruese në treg.


Foto:VCG

Shoqata Kineze e Prodhuesve të Automobilave tha të mërkurën se vendimi i KE-së është krejtësisht i papranueshëm, duke kërkuar të shmanget dëmtimi dhe shtrembërimi i zinxhirit global të industrisë së automjeteve.

Vendimi për tarifat e KE-së, i cili është shtyrë vazhdimisht, u mor në kushtet e ndarjeve të brendshme në BE, ndërsa një numër vendesh anëtare, organesh të industrisë dhe kompani kanë shprehur kundërshtimin dhe shqetësim.

Ministri federal gjerman për Digjitalizimin dhe Transportin Volker Wissing u shpreh se tarifat do të preknin kompanitë gjermane e eksportet e tyre. “Automjetet duhet të bëhen më të lira përmes shtimit të konkurrencës, tregjeve të hapura e kushteve dukshëm më të mira të vendndodhjes në BE, jo nëpërmjet luftërave tregtare e izolimit të tregut”, tha ai në platformën e mediave sociale X.

Tarifat e larta shtesë të BE-së do të devijojnë më tej nga qëllimet e bashkëpunimit global dhe mund të kenë shpejt një ndikim negativ në rast të një konflikti tregtar. Pasojat e mundshme që vijnë nga këto masa mund të jenë më të mëdha se përfitimet e tyre të mundshme për industrinë evropiane – si edhe atë gjermane – të automjeteve, vuri në dukje në një intervistë për agjencinë kineze të lajmeve “Xinhua” presidentja e Shoqatës Gjermane të Industrisë së Automjeteve Hildegard Mueller.

“Fakti është që ne kemi nevojë për Kinën për të zgjidhur problemet globale, gjë që vlen, në veçanti, për trajtimin e suksesshëm të krizave klimatike”, tha Mueller, duke theksuar rolin e Kinës në kalimin drejt së ashtuquajturës lëvizshmëri elektrike dhe në digjitalizimin e industrisë globale të automjeteve.


Foto:VCG

Kryetari ekzekutiv i kompanisë BMW Oliver Zipse e kritikoi planin e Komisionit Europian si “rrugë e gabuar”, duke u shprehur se një gjë e tillë do të dëmtonte kompanitë dhe interesat evropiane. “Proteksionizmi rrezikon të fillojë një spirale, që është tarifat çojnë në tarifa të reja, në izolim dhe jo në bashkëpunim,” tha ai.

Kompanitë e tjera të mëdha gjermane prodhuese të automjeteve, duke përfshirë “Mercedes-Benz” dhe “Volkswagen”, shprehën edhe ato mbështetjen e tyre për konkurrencën e ndershme dhe tregtinë e lirë botërore, raportoi media gjermane “Handelsblatt”. Prodhuesi më i madh evropian i makinave “Volkswagen” hodhi poshtë tarifat e planifikuara, duke thënë se “efektet negative të këtij vendimi e tejkalojnë çdo përfitim për industrinë evropiane, dhe veçanërisht atë gjermane, të automjeteve”.

Qeveria suedeze dëshiron të dijë nëse Komisioni Europian ka përdoruar mundësi të tjera përveç tarifave, tha ministri suedez për Bashkëpunimin Ndërkombëtar për Zhvillimin dhe Tregtinë e Jashtme Johan Forssell. “Ne përgjithësisht jemi skeptikë ndaj tarifave. Dikush duhet t’i paguajë ato e në këtë rast, herët a vonë do të jenë konsumatorët,” citoi Forssell-in agjencia suedeze e lajmeve TT.

Prodhuesi shumëkombësh i makinave “Stellantis”, në përgjigje të njoftimit të BE-së, shprehu qëndrimin e tij duke mbrojtur konkurrencën e lirë e të ndershme në një mjedis biznesi global dhe duke kundërshtuar masat që çojnë në “fragmentarizimin e botës”. Kjo kompani theksoi se, nëpërmjet automjeteve të saj të përballueshme nga ana e kostos dhe bashkëpunimit me prodhuesin kinez të makinave elektrike “Leapmotor”, ajo ka besim në konkurrimin me produktet kineze, të cilat kanë epërsi në çmim.

Hrvoje Prpiç, kryetari i Shoqatës Kroate të Drejtuesve të Automjeteve Elektrike, tha se tarifat e larta nuk do të ndihmonin industrinë evropiane të kapnin ritmin e prodhuesve kinezë të makinave dhe, për më tepër, përdoruesit përfundimtarë në Europë do të përballen me rritje të kostos.

Si një vend joanëtar i BE-së, Norvegjia tha se nuk do të pasojë BE-në në rritjen e tarifave për makinat elektrike kineze. Ministri i Financave i Norvegjisë Trygve Slagsvold Vedum e njoftoi vendimin të mërkurën. “Vendosja e tarifave për makinat kineze nuk është as e rëndësishme dhe as e dëshirueshme për këtë qeveri,” citon të ketë thënë ai transmetuesi kombëtar norvegjez NRK.  

Burimi: CRI.CN

Lexo më shumë nga

Shqipëria në SEPA, Sejko: Kostoja e pagesave 5 herë më e ulët, 20 mln euro kursim vitin e parë

Bordi i Këshillit Evropian të Pagesave miratoi kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në Tregun Unik të Pagesave në Euro, (SEPA)…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Shqipëria në SEPA, Sejko: Kostoja e pagesave 5 herë më e ulët, 20 mln euro kursim vitin e parë

Bordi i Këshillit Evropian të Pagesave miratoi kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në Tregun Unik të Pagesave në Euro, (SEPA)…