Fuqia, roli dhe potenciali i brezit të ri në marrëdhëniet Kinë-Shqipëri

Kur në Kinë thua që vjen nga Shqipëria, ka vetëm buzëqeshje dhe afrimitet të pastër dhe dashamirës


Nga Dr. Marsela Musabelliu

Të rinjtë shpesh shihen si pionierët e ndryshimit, duke mishëruar energjinë, kreativitetin dhe hapjen ndaj ideve të reja që nxisin transformimin socio-ekonomik. Ndërsa jemi në prag të një epoke të përcaktuar nga ndërlidhja globale dhe mundësitë e pashembullta, në një botë me zhvillim të shpejtë, të rinjtë kanë aftësi unike për të lundruar dhe për të kapërcyer kompleksitetin e kohëve moderne. Mendësia e tyre inovative u lejon të zhvillojnë zgjidhje që tejkalojnë kufijtë tradicionalë, duke adresuar sfidat e shumanshme të ditëve tona. Duke përdorur platformat digjitale dhe përparimet teknologjike, ata krijojnë lidhje që sfidojnë barrierat gjeografike dhe politike, duke krijuar rrjete bashkëpunimi që janë elastike dhe të qëndrueshme. Për më tepër, pasioni dhe idealizmi i të rinjve ushqen vendosmërinë e tyre për të patur një ndikim pozitiv në komunitet dhe iniciativat e të rinjve kanë fuqinë për të transformuar shoqëritë  përkatëse duke promovuar dialogun, mirëkuptimin dhe bashkëpunimin edhe midis dy vendeve.


Rinia shqiptare dhe Kina moderne

Instituti i Studimeve të Globalizimit para disa kohësh ka kryer një sondazh mbarëkombëtar për perceptimin e Kinës në Shqipëri. Ishte një studim afro njëvjeçar, me intervista të bëra në terren dhe ballë për ballë me qytetarët. Janë intervistuar më shumë së 1800 persona dhe një nga gjetjet më interesante ishte inklinacioni i rinisë shqiptare kundrejt Kinës moderne.Në veçanti, të rinjtë shqiptarë, nga Shkodra deri në Sarandë, nga Durrësi deri në Korçë, i bashkojnë tre karakteristika të ngjashme.

E para, kurioziteti. Të rinjtë shqiptarë janë të intersuar të mësojnë më shume për Kinën pasi në formimin e tyre akademik dhe social, ka pak informacion për Kinën. Dhe duke qenë se informacioni është i pakët, edhe kurioziteti është i madh. Në fakt, kur niste pyetësori tek të rinjtë shqiptarë, në fillim intervistuesi pyeste sipas pyetësorit, pastaj ishin të rinjtë që pyesnin përtej pyetësorit, donin të dinin më shumë dhe donin të kuptonin më shumë për Kinën e sotme.

“Dialogu Rinor Kinë-Shqipëri” u organizua nga Ambasada e Republikës Popullore të Kinës dhe Bashkia e Elbasanit/Ambasada e Kinës në Shqipërinë

E dyta, pozitiviteti. Shumica e të rinjve shqiptarë (mbi 60%) kanë një pikëpamje të favorshme, pozitive për Kinën. Ky pozitivitet i lartë në përqindje nënvizon një shumicë të konsiderueshme brenda këtij segmenti demografik, duke reflektuar një këndvështrim konstruktiv për të ardhmen. Kjo është shumë e rëndësishme pasi ndjenja të tilla të favorshme midis të rinjve mund të jenë thelbësore në formësimin e ndërveprimeve të ardhshme diplomatike dhe shoqërore, duke hapur potencialisht rrugën për rritjen e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Kinës.

E treta, inovacioni. Të rinjtë shqiptarë e lidhin Kinën me të qenit në ballë të teknologjisë dhe inovacionit të përparuar. Ky perceptim nënvizon reputacionin e Kinës në mesin e të rinjve si një lider në zhvillimet teknologjike. Identifikimi i Kinës në këtë aspekt sugjeron një njohje të përparimit të saj të shpejtë në fusha si inteligjenca artificiale, telekomunikacioni dhe energjia e rinovueshme, e të tjera. Perceptime të tilla midis të rinjve shqiptarë mund të ndikojnë në pikëpamjet e tyre mbi udhëheqjen teknologjike globale dhe potencialisht të ndikojnë në bashkëpunimet dhe partneritetet e ardhshme në industritë e drejtuara nga inovacioni.

Rinia kineze dhe Shqipëria

Kur në Kinë thua që vjen nga Shqipëria, ka vetëm buzëqeshje dhe afrimitet të pastër dhe dashamirës. Ajo ndjesia e afrimitetit pavarësisht largësisë kilometrike vjen shumë e çiltër nga kinezët për Shqipërinë, sidomos për ata që kanë përjetuar miqësinë dypalëshe në vitet 1960-70.  Për disa vite kam jetuar në Kinë, ku në fillim shkova për të mësuar dhe më pas dhashë edhe disa lëndë mësimore në universitet atje. Çfarë vihet re tek rinia kineze është shumë e përafërt me atë që vihet re tek rinia shqiptare.


Foto:VCG

E para, kurioziteti. Rinia kineze është tejet kurioze të dijë më shumë për Shqipërinë. Kur kam dhënë leksionet e para në Universitetin e Xiamen-it, dhe ju bëja prezantimin studenteve, në momentin që ju thoja “jam nga Shqipëria” pothuajse të gjithë në klasë nxirrnin telefonin për të parë ku ishte Shqipëria në hartë. Është mëse normale që rinia kineze të mos e njohë shumë Shqipërinë e vogël, por ashtu sikurse ndodhi me të rinjtë në Shqipëri, edhe ata kishin shumë pyetje për të bërë. Ishin kuriozë, për vendin, për kulturën, për historinë, për njerëzit, për bashkëmoshatarët e tyre etj. Kurioziteti është trajtë e rinisë patjetër, por ky kuriozitet dashamirës i dy rinive, si në Kinë edhe në Shqipëri, është për t’u nënvizuar, pasi mund të jetë një terren shumë i vyer i kthimit të kuriozitetit në intensifikim njohjeje dhe bashkëpunimi dypalësh.

E dyta, pozitiviteti. Studentet kinezë sidomos ata të shkencave sociale, historisë, shkencave politike, marrëdhënieve ndërkombëtare etj, e studiojnë Shqipërinë, dhe specifikisht marrëdhëniet Kino-Shqiptare për disa javë në kurrikulat e tyre akademike, në nivel bachelor dhe master. Por jo vetëm kaq, Universiteti i Studimeve të Huaja të Pekinit (BFSU) ka një katedër të gjuhës dhe kulturës shqipe që ndër dekada është bërë institucion me vlera të larta nga i cili kanë dalë ambasadorë, diplomatë, akademikë, njerëz të shquar të medias kineze, që e njohin Shqipërinë në mënyrë ekzemplare. Ata janë breza të tërë kinezësh që kanë promovuar, punuar dhe intensifikuar marrëdhëniet dypalëshe dhe edhe sot e çmojnë dhe e ushqejnë dashamirësinë e tyre për Shqipërinë dhe shqiptarët. Aktualisht në BFSU janë dy klasa bachelor, një klase që do të diplomohet këtë verë e cila ka 15 studentë,  klasa tjetër tani është në vitin e dytë dhe  ka 12 studentë; plus ka një student për master dhe 3 për doktoraturë. Pra, tradita e studimeve shqiptare vazhdon e fortë në Pekin.

“Dialogu Rinor Kinë-Shqipëri” u organizua nga Ambasada e Republikës Popullore të Kinës dhe Bashkia e Elbasanit/Ambasada e Kinës në Shqipërinë

Potenciali i rinisë së të dyja kombeve në epokën e re

Të rinjtë e të dyja vendeve, kanë lindur në shekullin e ri dhe nuk kanë mentalitet blloqesh, konfrontimi ose ndasie perëndim-lindje, dhe kjo është një pikë e fortë nga e cila mund të arrihen gjëra të mëdha.  Brezi i ri është i bekuar me akses të paprecedentë në teknologjitë e informacionit dhe komunikimit. Kjo qasje iu jep një avantazh unik: aftësinë për të kuptuar, lidhur dhe bashkëpunuar me bashkëmoshatarët anembanë globit. Ata e shohin veten si pjesë e një bote më të madhe dhe të ndërlidhur, dhe veprojnë si qytetarë globalë. Me mendjet e tyre novatore, energjinë e palëkundur dhe ndjenjën e mprehtë të qytetarisë globale, ata zotërojnë potencialin unik për të kapërcyer ndarjet socio-ekonomike dhe për të nxitur marrëdhënie që kapërcejnë kufijtë.

Që urat e bashkëpunimit të ndërtohen duhet vullnet, kohë, dhe mund. Është e nevojshme të ketë më shumë binjakëzime me universitete kineze, dhe nga eksperienca e deritanishme, institucionet e arsimit të lartë në Kinë janë të gatshme dhe përherë proaktive të bashkëpunojnë me ato shqiptare.  Arsimi dhe shkëmbimi kulturor janë baza e mirëkuptimit. Duke marrë pjesë në programe shkëmbimi, duke studiuar jashtë vendit dhe duke u angazhuar në zhytje kulturore, të rinjtë fitojnë njohuri të thella për jetën, traditat dhe vlerat e të tjerëve. Këto përvoja kultivojnë ndjeshmëri, respekt të ndërsjellë dhe një botëkuptim më të gjerë. Në vitin 2022, Instituti i Studimeve të Globalizimit ka bërë të mundur firmosjen e memorandumit të bashkëpunimit midis Universitetit Epoka dhe Universiteti i Financës dhe Ekonomisë Jiangxi (JUFE), një nga 10 universitetet më të mira të biznesit në Kinë. Por ky duhet të jetë vetëm fillimi, në këtë fushë  ka më shumë hapësira dhe potencial të pashfrytëzuar. Mundësitë e shkëmbimeve akademike hapin shumë rrugë për ekspertët e së ardhmes, të cilët i duhen si Kinës ashtu edhe Shqipërisë.

Bashkëpunimet rinore jo vetëm që gjenerojnë vlerë  të shtuar sociale dhe ekonomike, por gjithashtu nxisin një ndjenjë të qëllimit të përbashkët dhe bashkëpunimit midis kombeve. Në këtë kuadër, më 12 qershor, Ambasada e Republikës Popullore të Kinës së bashku me Bashkinë e Elbasanit organizoi eventin “Dialogu Rinor Kinë-Shqipëri”. Me një pjesëmarrje mbresëlënëse në numër dhe në figura të njohura nga Shqipëria dhe Kina, u fol dhe u diskutua mbi situatën aktuale dhe të ardhmen e rinisë së të dyja vendeve. Ky është një hap tjetër i rëndësishëm për të vendosur fokusin te e ardhmja e përbashkët në të cilën rinia e të dy kombeve ka një vend dhe vëmendje të veçantë.

Së fundmi, të rinjtë e sotëm nuk janë thjesht liderët e së nesërmes, por arkitektët e një bote më të përparuar dhe më të ndërlidhur. Përpjekjet e tyre për të kapërcyer ndarjet socio-ekonomike janë thelbësore në formësimin e një të ardhmeje që është gjithëpërfshirëse, inovative dhe harmonike.

Një proverb kinez që i përshtatet situatës thotë “Koha më e mirë për të mbjellë një pemë ishte njëzet vjet më parë. Koha e dytë më e mirë është tani!” Nëse sot fillohet të mbillen ato farat e bashkëpunimit, frytet e përpjekjeve të përbashkëta Kino-Shqiptare do të jenë së shpejti të dukshme, dhe mund të krijojnë një trashëgimi uniteti dhe mirëkuptimi midis popujve.

Burimi: CRI.CN

Lexo më shumë nga

Shqipëria në SEPA, Sejko: Kostoja e pagesave 5 herë më e ulët, 20 mln euro kursim vitin e parë

Bordi i Këshillit Evropian të Pagesave miratoi kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në Tregun Unik të Pagesave në Euro, (SEPA)…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Shqipëria në SEPA, Sejko: Kostoja e pagesave 5 herë më e ulët, 20 mln euro kursim vitin e parë

Bordi i Këshillit Evropian të Pagesave miratoi kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në Tregun Unik të Pagesave në Euro, (SEPA)…