Zgjedhjet parlamentare të BE-së dhe e ardhmja e marrëdhënieve me Kinën

Në Evropë, banorët e 27 vendeve dolën në kutitë e votimit për zgjedhjet parlamentare të Bashkimit Evropian.


Nga Dr. Marsela Musabelliu

Në Evropë, banorët e 27 vendeve dolën në kutitë e votimit për zgjedhjet parlamentare të Bashkimit Evropian. Gati 400 milionë votues morën pjesë dhe rezultatet e këtij viti ishin një shfaqje e fortë e inklinacionit djathas të kontinentit. Arritjet e ekstremit të djathtë ishin veçanërisht të dukshme në vendet që zgjedhin një numër të madh parlamentarësh të BE-së, si Franca, Italia dhe Gjermania.

Ligjvënësit e ardhshëm në Parlamentin e BE-së kanë fuqinë për të vendosur veton dhe për t’i dhënë formë ligjeve të unionit. Ata gjithashtu përcaktojnë e buxhetin e BE-së dhe miratimin e zgjedhjes së Presidentit të Komisionit Evropian, një pozicion që aktualisht mbahet nga Ursula von der Leyen e Partisë Popullore Evropiane (EPP) të qendrës së djathtë. Ka ende një shumicë në favor të një Evrope të fortë e të bashkuar, veçanërisht në mesin e votuesve të qendrës. Megjithatë, ngritja e pozicioneve ekstreme sidomos në të djathtë, nënvizon një frymë tjetër.

Fragmentimi politik i BE-së, prirjet dhe tendencat

Krahasuar me atmosferën politike gjatë zgjedhjeve të fundit, ndjenja aktuale e krizës midis elitave politike evropiane është jashtëzakonisht e fortë dhe vullneti politik për të promovuar një integrim më të thellë evropian duket i zbehur. Në të njëjtën kohë, dy konflikte (Rusi-Ukrainë dhe Izrael-Hamas) kanë pasur një ndikim të thellë në shoqërinë evropiane. Këto konflikte kanë rritur shumë rëndësinë e çështjeve të sigurisë, çështjeve mjedisore dhe çështjeve ekonomike. Të gjitha këto situata kanë shkaktuar përçarje midis shteteve anëtare, mes qeverive dhe njerëzve të disa shteteve anëtare dhe midis grupeve të ndryshme etnike brenda tyre. Në pesë vitet e fundit, forcat politike populiste jo vetëm që kanë vazhduar të ruajnë pozicionin e tyre qeverisës në Hungari, ato kanë rritur përqindjet e tyre në Itali, dhe në arenat politike të Francës dhe Gjermanisë, janë rritur ndjeshëm. Peizazhi politik i BE-së po bëhet gjithnjë e më i fragmentuar. Pikëpamjet ndaj prioriteteve kryesore si arritja e autonomisë strategjike dhe teknologjike, janë po aq të fragmentuara edhe brenda të njëjtit spektër politik.


Presidenti i Francës Emmanuel Macron/CFP

Në lidhje me Kinën, edhe vetë brenda atyre forcave që quhen të ekstremit të djathtë ka qasje të ndryshme. Për shembull, ECR ose Konservatorët dhe Reformistët Evropianë, mbajnë një qëndrim të fortë kundër Kinës, ndërsa grupi ID (Identiteti dhe Demokracia) ka një qëndrim më neutral. Një fragmentim i tillë do ta bëjë më të vështirë për shtetet anëtare arritjen e një pozicioni të përbashkët, duke rritur kështu pasiguritë në mjedisin e biznesit evropian. Kjo tashmë është e dukshme edhe në qëndrimet divergjente të shteteve anëtare ndaj marrëdhënieve politike dhe ekonomike të bllokut me Kinën. BE-ja është bërë më e ashpër në marrëdhëniet e saj me Kinën, duke propozuar “çrrezikimin”, duke kërkuar diversifikimin e zinxhirëve të furnizimit dhe zhvillimin e marrëdhënieve me vendet me të “njëjtat prirje ideologjike”. BE-ja, e cila prej kohësh e konsideron veten si një “fuqi normative” dhe “fuqi civile”, po e ngre sigurinë në krye të agjendës së saj politike. Megjithatë, mund të mos jetë plotësisht racionale që ajo të kërkojë transformim mes presionit të madh ekonomik, hapësirës së kufizuar fiskale dhe një sistemi vendimmarrës që ka nevojë urgjente për reforma.

Sa do të impaktojnë këto zgjedhje në bashkëpunimin me Kinën?

Zgjedhjet, sado domethënëse që janë, nuk do të kenë shumë ndikim të drejtpërdrejtë në lidhjet Kinë-BE. Trajektorja e lidhjeve Kinë-BE varet kryesisht nga fakti nëse pengesat aktuale do të përkeqësohen më tej ose do të trajtohen siç duhet. Gjatë raportimit të zgjedhjeve, disa media ndërkombëtare parashikuan se ato do të formësonin mënyrën se si blloku evropian përballet me sfidat, duke përfshirë rritjen e rivalitetit industrial me Kinën dhe ShBA-në. Por në fakt, zgjedhjet e Parlamentit Evropian janë kryesisht një reflektim i politikës së brendshme dhe ndikimi i saj në politikën e jashtme nuk do të shfaqet direkt ose menjëherë.

Ndikimi në marrëdhëniet BE-Kinë do të varet nga një riorganizim i pozicioneve kryesore të Bashkimit Evropian dhe koalicioneve të mundshme që do të vijnë në muajt në vazhdim. Megjithate, një gjë e sigurt, konservatorizmi në rritje në politikën evropiane do të çojë në një qëndrim më proteksionist për çështjet ekonomike dhe tregtare brenda bllokut, shprehet një profesor kinez. BE-ja mund të priret të vendosë më shumë theks në punët e saj të brendshme dhe t’u japë përparësi interesave kombëtare në të ardhmen, duke treguar se kjo mund të jetë një pikë e mundshme e ndezjes që shkakton më shumë fërkime në lidhjet me Kinën.

Disa janë të mendimit se ngritja e krahut të djathtë do të thotë se BE-ja do të përshpejtojë strategjinë e saj të “çrrezikimit” dhe do të reduktojë “varësinë nga Kina”, por duke adoptuar thjerrëzën gjeopolitike për të parë marrëdhëniet e saj me botën, do të krijohen shume sfida për marrëdhëniet Kinë-BE. BE-ja mund të ketë një pikëpamje edhe më konservatore për politikën ekonomike me Kinën.

Ndërsa grupet e ekstremit të djathtë do të promovojnë një politikë proteksioniste në tregti, historia ka treguar se partitë populiste të këtij krahu janë gjithashtu relativisht pragmatike dhe jo aq ideologjike kur vjen puna tek interesat e tyre. Shkalla në të cilën forcat në rritje të krahut të djathtë do të ndikojnë realisht në politikën e ardhshme të BE-së mbetet për t’u parë përgjatë vitit 2024.

Çështja e makinave elektrike

Sapo Eurokratët u kthyen në punë pas zgjedhjeve – ditën e hënën datë 10 qershor – ata vazhduan me përgatitjen përfundimtare për hetimin e subvencioneve të Komisionit Evropian për automjetet elektrike të prodhuara në Kinë, një çështje që do të ndezë një seri konsekuente në këtë “luftë tregtare” midis Pekinit dhe Evropës. Në një lëvizje që ka trazuar ujërat e tregtisë ndërkombëtare, Komisioni Evropian (KE) njoftoi tarifa të përkohshme për automjetet elektrike kineze (EV), që do të variojnë midis 17.4% dhe 38.1%, këto tarifa hyjnë në fuqi nga korriku.


Makina elektrike e prodhuesit kinez BYD në ekspozitën e automjeteve në Mynih, 2023/CFP


Foto:VCG

Zyrtarët kinezë dhe organet e industrisë e denoncuan direkt vendimin si një akt të ngarkuar politikisht dhe proteksionist, duke kërcënuar me masa të tyre dhe duke i kërkuar BE-së të rishqyrtojë. Njoftimi i KE, shihet nga zyrtarët kinezë si një fyerje e drejtpërdrejtë ndaj parimeve të tregtisë së lirë. Ministria e Tregtisë (MOFCOM) i bëri thirrje BE-së të korrigjojë “praktikat e gabuara” të saj dhe duke u zotuar të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur interesat e ndërmarrjeve kineze. MOFCOM i cilësoi tarifat si shkelje të rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT), duke akuzuar KE-në për përfshirje në proteksionizëm me pretekstin e sigurimit të konkurrencës së ndershme.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, u bëri jehonë këtyre ndjenjave, duke argumentuar se hetimi i BE-së për subvencionet kineze të automjeteve elektrike minon parimet e ekonomisë së tregut dhe normat e tregtisë ndërkombëtare. Ai paralajmëroi se veprime të tilla në fund të fundit do të dëmtonin interesat e vetë BE-së, veçanërisht qëllimet e saj për një të ardhme të gjelbër dhe me karbon të ulët.

Dhoma e Tregtisë e Kinës në BE shprehu zhgënjim dhe pakënaqësi të thellë dhe argumentoi se avantazhi konkurrues i EV-ve kineze qëndron në inovacionin teknologjik dhe prodhimin me kosto efektive, të përforcuara nga zinxhiri gjithëpërfshirës i furnizimit të Kinës.

Organet e industrisë në Kinë shprehën gjithashtu kundërshtimin e tyre. Shoqata Kineze e Prodhuesve të Automobilave e konsideroi vendimin e KE-së krejtësisht të papranueshëm, duke i kërkuar BE-së të shmangë masat që mund të shtrembërojnë industrinë globale të automobilave.

Por, kundërshtimi ndaj tarifave nuk kufizohet vetëm në Kinë. Figura të shquara brenda BE-së, përfshirë kancelarin gjerman Olaf Scholz, e kanë kritikuar masën. Scholz paralajmëroi se izolimi dhe barrierat doganore përfundimisht i bëjnë mallrat më të shtrenjta. Prodhuesit gjermanë të automjeteve si Volkswagen dhe Mercedes-Benz shprehën gjithashtu shqetësime, duke theksuar se pasojat negative të tarifave tejkalojnë çdo përfitim të mundshëm për industrinë evropiane të automobilave.

Mëse normale, Kina po mendon disa kundërmasa. Ekspertët brenda Kinës argumentojnë se veprimet e BE-së janë të motivuara politikisht dhe jo nga tregu. Nga ana tjetër, përgjigjja e fuqishme e Pekinit zyrtar nënvizon vendosmërinë për të mbrojtur interesat e vendit dhe për të sfiduar ato që janë barriera të pajustifikuara tregtare.

Potencialet e së ardhmes midis Kinës dhe BE-së

Kuptimi i zgjedhjeve evropiane dhe ndikimi i tyre në pozicionet kyçe të BE-së kërkon një analizë të shumanshme. Procesi i përzgjedhjes për punët kryesore të BE-së, duke përfshirë presidencën e Komisionit Evropian dhe të Këshillit Evropian, përfshin balancimin e orientimit politik, dhe përfaqësimit kontinental. Marrëdhëniet midis BE-së dhe Kinës kanë përjetuar tendosje të konsiderueshme, edhe para zgjedhjeve të fundit evropiane. Ky tension buron nga perceptimi i BE-së për Kinën si një konkurrente dhe rivale sistematike. Në kompleksitetin e kësaj marrëdhënieje infulencojnë fraksione të ndryshme politike brenda Parlamentit Evropian, të cilat kanë qenë të zëshme për shqetësimet e tyre në lidhje me politikat e Kinës. Disa grupime kryesore politike, kanë synuar në mënyrë eksplicite Kinën në manifestet e tyre. Këto grupe kritikojnë veprimet, pothuajse çdo veprim të Kinës dhe kjo tendencë nënvizon pozicionimin strategjik të BE-së kundrejt Kinës. Pesimizmi që rrethon të ardhmen e marrëdhënieve BE-Kinë është i dukshëm. Pa iniciativa proaktive për të nxitur bashkëpunimin pozitiv, përmbysja e kësaj tendence negative duket sfiduese.

Ka dhe një element tjetër shumë të rendësishëm në këtë ekuacion, Uashingoni. Përafrimi ose divergjenca e politikave tregtare të ShBA-së dhe BE-së ndaj Kinës do të jetë një faktor kritik për t’u parë. Rritja e ideologjive konservatore dhe të ekstremit të djathtë në të dy rajonet sugjeron një potencial për strategji të koordinuara ose të paktën paralele në trajtimin e Kinës. Konvergjenca e politikave të tyre tregtare ndaj Kinës mbart implikime të thella për stabilitetin ekonomik global dhe dinamikën gjeopolitike. Në sfondin e rritjes së ideologjive konservatore, gjithçka mund të ndodhë. Për më tepër, dinamika politike brenda çdo rajoni, e ndikuar nga ndjenjat publike dhe ciklet zgjedhore, mund të formësojë më tej trajektoren e marrëdhënieve ShBA-BE kundrejt Kinës.


Presidenti i Partisë Popullore Evropiane Manfred Weber dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen/CFP

Qasja e BE-së ndaj Kinës nuk do të shohë ndonjë ndryshim të madh tani për tani, pasi partitë e qendrës do të vazhdojnë të bëhen më realiste… [Por] nëse Trump fiton zgjedhjet në ShBA, polarizimi i BE-së mbi politikën e Kinës ka të ngjarë të rritet.

Megjithatë, ndërsa përafrimi ideologjik ofron një bazë për bashkëpunim, konsideratat praktike mund të komplikojnë përpjekjet drejt një qasjeje të unifikuar. Strukturat ekonomike të ShBA-së dhe BE-së ndryshojnë ndjeshëm, ashtu si edhe marrëdhëniet e tyre historike me Kinën dhe marrëdhëniet e tyre tregtare përkatëse. Këta faktorë mund të krijojnë prioritete të ndryshme në negociatat tregtare dhe kornizat rregullatore, duke kufizuar potencialisht hapësirën për koordinim gjithëpërfshirës të politikave.

Së fundmi, politikat e BE-së ndaj Kinës, veçanërisht ato tregtare, reflektojnë tensione më të gjera gjeopolitike dhe konsiderata ekonomike. Përkeqësimi i marrëdhënieve BE-Kinë është tregues i një riorganizimi strategjik, me implikime të rëndësishme për tregtinë globale dhe dinamikën politike. Ndërveprimi midis spektrave politike evropiane dhe amerikane e ndërlikon më tej situatën, duke sugjeruar një periudhë pasigurie të shtuar dhe manovrim strategjik. Ndërsa këto zhvillime do të shpalosen intensivisht gjatë gjysmës së dytë të vitit, implikimet do të jenë shumë më të mëdha në kohë dhe në trajtë.

Këto mosmarrëveshje jo vetëm që testojnë qëndrueshmërinë e marrëdhënieve Kinë-BE, por gjithashtu nxjerrin në pah sfidat më të gjera të tregtisë ndërkombëtare mes ndjenjave në rritje proteksioniste nga të dyja anët e Atlantikut.

Burimi: CRI.CN

Lexo më shumë nga

Shqipëria në SEPA, Sejko: Kostoja e pagesave 5 herë më e ulët, 20 mln euro kursim vitin e parë

Bordi i Këshillit Evropian të Pagesave miratoi kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në Tregun Unik të Pagesave në Euro, (SEPA)…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Shqipëria në SEPA, Sejko: Kostoja e pagesave 5 herë më e ulët, 20 mln euro kursim vitin e parë

Bordi i Këshillit Evropian të Pagesave miratoi kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në Tregun Unik të Pagesave në Euro, (SEPA)…