Ismal Kadare i ndryshoi rrënjësisht raportet midis letërsisë shqipe dhe asaj europiane

Fjala në AKADEMINË SOLEMNE për shkrimtarin dhe akademikun Ismail Kadare


Nga Akademik Prof. Dr. Shaban Sinani

Do të them pak fjalë në këtë eulogji solemne për disa merita përjashtimore të veprës letrare, eseistike dhe publicistike të Ismail Kadaresë.

1. Me veprën e tij, sidomos me prozën, Ismail Kadare e nxori letërsinë shqipe përtej kufirit të ngushtë të gjuhës sonë, një gjuhë me numër relativ lexuesish dhe pa motra apo lidhje farefisnie. Për katër shekuj gjuha e dytë për letërsinë shqipe ka qenë gjuhë burimi e garancie, gjuhë rikrijimi. Pjetër Bogdani, Giuseppe Schirò prosenior, Jeronim de Rada, Fan Noli dhe Migjeni provuan t’ia ndryshojnë statusin shqipes. Ismail Kadare e bëri letërsinë shqipe letërsi metropolitane. Kalimi prej statusit të një letërsie lokale dhe të mbyllur në letërsi europiane e botërore; prej letërsisë së provincës në letërsi të kryeqendrës, është me karakter epoke. Cilësimi si letërsi europiane apo botërore është terminologjik. Një letërsi kombëtare lartësohet si letërsi europiane jo thjesht prej numrit të përkthimeve, të lexuesve apo të tirazheve të shitura, por kur bëhet pjesë e programeve të rregullta universitare dhe e studimeve monografike. Letërsia e Kadaresë e ka fituar këtë privilegj. Kadareologjia është tashmë një nëndisiplinë e re e albanologjisë.

2. I. Kadare e ktheu letërsinë në qytet, e shkëputi prej miteve romantike të vonuara, prej madhështimit të malit, malësorit, kullës, kanunit, duke i zëvendësuar me Gjirokastrën, Tiranën, Moskën, Parisin; qytetarin. Kthimi i letërsisë në qytet pas një shekulli e gjysmë idilizimi të jetës në fshat dhe të virtytit tradicional, tipik për shoqëritë e mbyllura, është gjithashtu një ndryshim me karakter epoke, që shenjon një nga shkëputjet progresive më të mëdha të letërsisë shqipe. Vetëm Migjeni kishte provuar ta sillte këtë ndryshim rendi në letërsi para Kadaresë.

3. Letërsia e Kadaresë u bë për herë të parë pasqyrë e dukurive metafizike të botës njerëzore. Hyri në letërsinë shqipe dhimbja, trishtimi, vuajtja e brendshme e njeriut, ndarja, vdekja, humbja, zymtësia, vjeshta, shiu, karakteri pa emër, njeriu në margina, shoqëria pa heronj klasikë – shembëlltyra të “dhjetë cilësive” që kërkoheshin nga letërsia. I. Kadare e refuzoi optimizmin pa themel, retorikën e patetizmin.

4. Ismail Kadare provoi të shkruante letërsi cilësore edhe për motive arketipale që i kishin kthyer në vepra krijuese të tjerë mjeshtra para tij, i bindur se kishte fuqi krijuese për të sfiduar me cilësi estetike. Shkroi romanin Ura me tri harqe dy dekada pasi Ivo Andrić kishte shkruar veprën “Na Drini ćuprija”, me të cilën fitoi çmimin Nobel, ndërsa Nikos Kazanzakis kishte botuar me të njëjtin motiv romanin e mirënjohur “Krishti kryqëzohet përsëri”. Shkroi e botoi novelën “Nata me hënë” duke e shpërfillur faktin që dy shkrimtarë me njohje botërore, Gabriel Garcia Markez dhe Hienrich Böl prej vitesh kishin marrë shijen e suksesit me novelat Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar dhe Nderi i humbur i Katerina Blum. Shkroi pas tyre, por i sfidoi paraardhësit me origjinalitetin dhe thellësinë e artit të tij.

5. Me veprën e tij Ismail Kadare krijoi një Shqipëri paralele, të fisnikëruar, të denjë për familjen që i kishte takuar prej kohës kur europeizmi ishte shfaqur si ide e projekt, prej shekujve të Renesancës. Shqipëria e Kadaresë është e barabartë me atdheun e “lexuesit tjetër”. Një pjesë të studimeve e të studiuesve kjo e ka shqetësuar. Në pasthënien e “Dimrit të madh” botuar rusisht tri dekadash thuhet se Kadare e ka oksidentalizuar qëllimisht vendin e tij për të rritur kontrastin me vendet e kampit nga u shkëput.

6. Këto merita, që janë njohur e konfirmuar botërisht, i kanë ndryshuar rrënjësisht raportet midis letërsisë shqipe dhe asaj europiane. Për herë të parë kjo letërsi fitoi rolin dhënës në thesarin botëror.

7. Kadare nuk është më, por vepra e tij do të vazhdojë të jetë buka jonë e përditshme, dhe për këtë do t’i jemi përgjithnjë mirënjohës.

Lexo më shumë nga

Rama: Përditësimi i Fjalorit të madh të shqipes, në konsultim shumë të gjerë publik

Kryeministri Edi Rama njoftoi prezantimin publikisht të draftit të Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe, gjatë fjalës sot në Kuvendin…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Rama: Përditësimi i Fjalorit të madh të shqipes, në konsultim shumë të gjerë publik

Kryeministri Edi Rama njoftoi prezantimin publikisht të draftit të Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe, gjatë fjalës sot në Kuvendin…