Mbrëmë isha në Tiranë!

“– Çdokush Itakën e tij… – i them vetes. – Unë kam Tiranën”


Nga ANISA MARKARIAN

MBRËMË ISHA NË TIRANË

Mbrëmjeve ngjyrëvjollcë, kur qyteti shtriq gjymtyrët e tkurrura nga vrapi i ditës dhe qetëson dihatjen, limani i vogël i peshkatarëve kthehet në një sallë festash në qiell të hapur. Festohen ditëlindje, fejesa, përvjetorë martese, marrje diplomash e dalje në pension. Ribashkohen ish-maturantë të humbur sysh prej vitesh, takohen pushues nga të katër anët e globit, kremtohen rite fetare e pagane, lindin e vdesin dashuri stinore. Të përkundur nga shushurima e valëve shkumake, admirojmë fishekzjarrët e hedhur nga porti, dritat e ujdhesës përballë, valsin e yjeve me damën-hënë dhe siluetat hijerënda të anijeve të turizmit. Të renditura varg, buzë më buzë kiç e bash, formojnë përpara syve tanë një mur lundrues. Përmatanë tij, dallgë të tërbuara me kreshta zigzage paralajmërojnë stuhinë. Deti nuk i pranon ndasitë.
Mobiljet e vetme të sallës natyrore janë barkëzat prej druri me ngjyra të feksura. Blu, të verdha, të kuqe, jeshile, portokalli… Kur fasha e rrezeve të farit u lëpin kurrizin, shndritin si pasqyra – i dhurojnë peizazhit një ylber pikëlor. Të stivuara njëra përmbi tjetrën në hojet e skelës metalike ose të kthyera përmbys mbi rërën e lagësht, përdoren nga festarët si tryeza e kanape. Hera-herës edhe si djepa apo strehëza për të kaluar natën. Sidomos në verë.
– Vë bast se nën disa prej tyre flenë ende të dehurit e festës së mbrëmshme, – thotë Iv, organizuesi i festës sonë.
Ka parashikuar gjithçka. Ushqimet për skarën, pijet, ëmbëlsirën, qirinjtë, muzikën dhe batanijet. Ka ndezur dy zjarre, në dy voza zinku të mbushura me qymyr druri.
– Ndonjë vullnetar për barbekjunë? – pyet ndërsa kërkon me sy rreth e rrotull, por nuk i afrohet kush; dhjetëorëshi i ditës së punës u ka hequr çdo fije vullneti.
– Eeheej, eeheej! – mbërrin që larg jehona e një zëri; në njërin nga ballkonet e anijes shumëkatëshe në vijë të drejtë me limanin, dikush tund një sharpë të bardhë.
Përshëndetja e udhëtarit përcjell në breg të njëjtën hare shpresëdhënëse të thirrmës së detarit vigjilues nga maja e direkut: “Tokë, tokë!”

– Çdokush Itakën e tij… – i them vetes.
– …Kushedi se si u ngjajmë atyre që ndodhen në pupë a në kuvertë, – dëgjoj zërin e kolegut radiolog tek tregon me kokë flashet e aparateve fotografike si dritëza xixëllonjash.
– Nisur nga përmasat e përbindshme të vaporit dhe largësia që na ndan, s’jemi veçse një pikë në horizont, – i përgjigjet laboranti që i rri në krah.
– Një piksel i vocërr fare, mikroskopik, në fotot dhe videot e udhëtimit të tyre, – psherëtin Rodika, diabetologia rumune e spitalit.
– Edhe…?! – e shkund Teo, asistenti i saj; nostalgjitë e përmallimet i ka zët.
– Gati prushi! – lajmëron Iv; në njërën nga skarat do të pjekë peshkun dhe karkalecat e detit, në tjetrën bërxollat e shishqebabin.
– Gati dhe shampanja! – ia kthen Kristofi e na mbush kupat plastike me fron.
– Joyeux Anniversaire, les amis!
– Gëzuar!
– Gëzuar!
– Happy Birthday!
– Meilleurs vœux d’anniversaire, ma grande! – më uron Rodika.
– À toi, aussi, ma belle! Shijoje çdo çast, – ia kthej dhe e shtrëngoj në krahë; jemi bashkëmoshatare.
Plot pesë vetë që festojmë ditëlindjen: Alério, ortopedi kolumbian, Kenza, pneumologia algjeriane, Nizari, infermieri sirian i reanimacionit, Rodika dhe unë, urgjentistja armeno-shqiptare. Kemi ardhur në jetë më 4 korrik dhe punojmë në të njëjtin spital. Asnjëri prej nesh nuk ka lindur në Francë. Nënshtetësinë franceze e kemi fituar më pas.
– Ju të pestë së bashku bëni një botë të tërë! – deklamon Danieli, kryeinfermieri i shërbimit të Urgjencave dhe e kthen kupën me fund.
Ç’përgjegjësi të rëndë na hedh mbi supe! Personalisht, s’besoj se mund ta mbaj dot; ndihem tepër e brishtë. Ta ketë fajin shampanja? Muzika e viteve ’80? Qielli ngjyrëvjollcë apo barkëzat e mallit? …Oh, kthemëni, ju lutem, në Itakën time! Atje ku ditëlindjet i festoja pa shampanjë por dehesha edhe më rëndë.
– “Çdo mërgimtar është një Uliks në udhën drejt Itakës”, – më pëshpërit në vesh Rodika një nga shprehjet e Mircea Eliade, shkrimtarit të saj më të dashur, si të ma kishte lexuar lutjen.
Ma futi në zemër edhe mua, që në rojën tonë të parë së bashku. Ndërsa po këshillohesha me të për një pacient diabetik, që ishte paraqitur tek Urgjencat, kisha parë që në njërin nga xhepat e bluzës së bardhë mbante një kopje të librit “E shenjta dhe profania” në frëngjisht.
– Mbrëmë isha atje, – i them dhe ulemi mbi rërën kokrrizashpër, shpinën të pështetur pas drurit bardheblu të njërës nga barkat e kthyera përmbys.
– Ku?
– Atje…, – dhe e shoh drejt në sy, e bindur që çdo fjalë tjetër do të ishte e tepërt.
– Edhe unë…, – më rrëfehet. – Më bëri mirë… I rashë rreth e qark shtëpisë, përqafova të mitë, një tufë me zymbyla të kopshtit dhe i rihipa avionit e lehtësuar.
Flladi i natës është i freskët, por jo aq sa të më shtijë mornicat. Janë ethet e kujtimeve që m’i puprrojnë mishrat.
– Ta kam thënë e po ta përsëris, edhe në rrofshim njëqind vjet, ma chère, kujtimet e këtushme s’do të jenë veçse një piksel mikroskopik në tablonë e përjetimeve që mbartim brenda vetes, – flet Rodika dhe, si për ta shënuar saktësisht vendndodhjen e brendësisë së çmuar, shkund kokën dhe hedh mbi gjoks flokët e gjatë ngjyrëvjollcë. – …Mbaje vath në vesh, sado paradoksale të të duket, ato të atjeshmet shumëfishohen përditë!

E mërkurë, 4 korrik 1990 – ditëlindja e fundit në mëmëdhe.
Gdhihem me një ndjesi të çuditshme. Një nevojë e brendshme për t’u siguruar që gjithçka është në vendin e vet. Dal në ballkon. Selvia, posta e rrumbullakët dhe caraci i lagjes qëndrojnë gatitu. Thellë në horizont, mali i Dajtit. Ufma e mëngjesit ia pështjell majën si turban. Kaloj në cepin tjetër të ballkonit. Kulla e Sahatit, Pallati i Kulturës dhe 15-katëshi janë aty ku i lashë një natë më parë. E megjithatë, nuk jam e qetë. Diku, diçka ka ndërruar vend. Tirana më është sa e afërt aq edhe e paprekshme. Po më ikën duarsh. Po struket brenda një ruzulli të qelqtë ku fërfëllojnë flutura dëbore. Ç’të jetë kjo ngricë vere?!
Dikur, dikush do të lëvizë nga kjo tokë. Vendimin e kam marrë dhe e di vetëm unë.
Xhoxha, mikesha ime fotografe, që punon te “Studio Skënderbeu”, dëshiron të më shkrepë ca foto-kujtime. Do të jenë dhurata e saj për 28-vjetorin tim. Ngjarja s’më duket aq e shënuar sa për të merituar një reportazh fotografik.
– Aman, mos ma prish qejfin! – më lutet.
– Nuk pozoj në studio edhe po të shtrihesh përdhe, – ia kthej.
– Jo në studio, jo! Dalim nëpër Tiranë.
– O Xho’, kjo vapë korriku është vërtet e padurueshme por, fatmirësisht, ende s’jam çmendur plotësisht.
– Ti ec normalisht, unë bëj punën time. Ta shkrep Xhoxha foton ty kur të mos e kesh mendjen! – mburret e më shkel syrin.
Më duket si komplotiste. Ta ketë parandjerë që një ditë do ta hidhja në facebook?!

©A.M. E enjte, 4 korrik 2024. “Një piksel i vocërr, i vocërr…”

Lexo më shumë nga

Nations League/ Kuqezinjtë përmbysin Ukrainën

Djemtë kuqezi administruan deri në fund avantazhin dhe morën një fitore të madhe 2-1 në “Epet Arena”.

Global 360

Azerbajxhani promovon traditat multikulturore përpara komunitetit botëror

Azerbajxhani ndjek një politikë të jashtme aktive për të promovuar traditat e multikulturalizmit në botë dhe dialogun midis kulturave dhe…

Diplovista

Rakipi: Bisedimet Kosovë-Serbi të përqendrohen tek njohja, jo më në çështje teknike

Kryetari i Institutit për Studime Ndërkombëtare Albert Rakipi thotë se ka ardhur koha për një qasje tjetër në dialogun mes…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Dashuria e Aleksandër Vuçiç për armët që nuk i përdor dot!

"Njëlloj si një gjuetar amator, ai i ekspozon armët në murin e shtëpisë dhe ua tregon miqve gjithë ngazëllim."

Profil

Një emër i njohur i elitës intelektuale dhe politike të çerekshekullit të fundit

75-vjetori I lindjes -- Rrugëtimi i Z. Koçi Tahiri nga galeritë e Bulqizës në sallën e legjislativit shqiptar (2017-2021)

Masmedia

Nations League/ Kuqezinjtë përmbysin Ukrainën

Djemtë kuqezi administruan deri në fund avantazhin dhe morën një fitore të madhe 2-1 në “Epet Arena”.