“Things take time” – “Gjërat marrin kohë”

Në COD u hap ekspozita e 5 artistëve ndërkombëtarë, Alex Majoli, Carl De Keyzer, Enri Canaj, Martin Parr dhe Nicos Economopoulos, të cilët kanë pasqyruar Shqipërinë mes viteve 1991-2010.


Nga Dash Frashëri

Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) u hap dje ekspozita “Things Take Time” sjell 101 fotografi të pesë artistëve ndërkombëtarë, Alex Majoli, Carl De Keyzer, Enri Canaj, Martin Parr dhe Nicos Economopoulos, të cilët kanë pasqyruar Shqipërinë mes viteve 1991-2010.

Ekspozita është kuruar nga Sylvia Sachini.

Ekspozita “Things Take Time” paraqet punën e pesë fotografëve të MAGNUM, që së bashku bëjnë përpjekje për të pasqyruar periudhën pos komunizmit – tranzicionit, ku secili përshkruan vizualisht situatën, nxitur nga përvojat personale dhe origjina e tij.

📍Cod – Ekspozita “Things Take Time”

📍Cod – Ekspozita “Things Take Time” sjell 101 fotografi të pesë artistëve ndërkombëtarë, Alex Majoli, Carl De Keyzer, Enri Canaj, Martin Parr dhe Nicos Economopoulos, të cilët kanë pasqyruar Shqipërinë mes viteve 1991-2010 📸 🇦🇱

Posted by COD – Center For Openness And Dialogue on Tuesday, July 16, 2024

***

Ceremoninë e hapi Drejtoresha e Përgjithshme e COD, Eridana Çano.

“Things take time” – “Gjërat marrin kohë”, vjen në COD si pasqyrë e dy dekadave, fundi i një marrëzie, do të thoshte populli, dhe fillimi i një shekulli të ri. Rënia e sistemeve totalitare në Evropën Lindore, fill mbas shembjes së Murit të Berlinit, i solli botës një kapitull të ri në histori. Brenda saj ishte dhe Shqipëria, shoqëruar nga një periudhë tranzicioni dhe ndryshimesh të mëdha. Momnetet kyçe pas ndryshimit të sistemve vijnë si dëshmi e një kronologjie që kemi lënë pas, dhe pas do të jete historia e këtij vendi, duke na treguar një Shqipëri të varfër, të rënuar ekonomikisht; njerëzit që shkuan drejt ambasadave, të cilat i hapin atyre portën drejt botës së lirë”, tha midis të tjerash drejtoresha Çano.

Drejtoresha e COD bëri dhe një thirrje për ata që kanë foto nga Shqipëria e viteve 1990-2010, për ti sjellë në ekspozitë.

Kuratorja Sylvia Sachini tregoi edhe përshtypjet dhe imazhin që i kishte lënë Shqipërinë, si dhe për punën për organizimin e ekspozitës.

“Rënia e komunizmit në Evropën Lindore në fillim të viteve ‘90 çoi edhe në rënien e komunizmit në Ballkan. Si pasojë, u shemb gradualisht edhe regjimi komunist në Shqipëri, gjë që solli një kapitull të ri në historinë e vendit, një periudhë tranzicioni dhe ndryshimi.

Veprat e kësaj ekspozite janë realizuar në vitet 1991-2010. Pas rënies së komunizmit, fotografëve iu mundësua dokumentimi i lirë dhe i paanshëm i Shqipërisë, pasi më parë vendi ishte në gjendje të izoluar dhe të shkëputur nga bota. Këto vepra janë të një rëndësie të madhe, pasi shërbejnë si dëshmi historike dhe çojnë në një kuptim më të thellë të Shqipërisë së sotme dhe të vendeve të tjera të Ballkanit, historia e të cilave ka qenë gjithmonë e ndërlidhur dhe e ndërvarur.

Periudha në të cilën filluan të realizoheshin këto vepra, ishte vendimtare për historinë e vendit, pasi ishte një kohë tranzicioni, një situatë e paprecedentë për popullsinë. Rënia e komunizmit dhe pasojat e tij ishin të dukshme në shoqëri, pasi njerëzit u përballën me ndryshime të mëdha dhe papritmas u prezantuan me një mënyrë të re jetese. Përvetësimi i stilit të jetesës perëndimore ishte i pashmangshëm, ndërkohë që njerëzit dalëngadalë po çliroheshin nga frika e regjimit, i cili deri atëherë kishte krijuar një gjendje të vazhdueshme mbikëqyrjeje, të rrënjosur thellë në shoqëri.

Njerëzve iu dha mundësia të informoheshin nga mediat ndërkombëtare dhe burime të pavarura, ndërkohë që emigracioni, i cili deri atëherë ishte i ndaluar, u rrit ndjeshëm. Ishte i dukshëm fakti që Shqipëria po kalonte nga një gjendje izolimi dhe shtypjeje në një shtet të ri, ku populli thirrej të ishte më i hapur ndaj ndryshimeve. Kishte një nevojë gjithëpërfshirëse për ndryshim, një ndjenjë se të gjithë po vraponin drejt diçkaje të re, një vrull. Situata ishte pa diskutim e paprecedentë, pasi kjo gjendje ndryshimi më parë perceptohej si e pamundur.

Puna e paraqitur nga fotografët MAGNUM, Alex Majoli (Itali) Carl De Keyzer-i (Belgjikë), Enri Canaj (Shqipëri), Martin Parr-i (MB) dhe Nicos Economopoulos-i (Greqi) përbën një përpjekje për të pasqyruar këtë periudhë – një gjendje tranzicioni të dokumentuar nga artistë me prejardhje të ndryshme, ku secili përshkruan vizualisht situatën, nxitur nga përvojat personale dhe origjina e tij, por me një temë të përbashkët. Ky grup i gjerë pune i ofron shikuesit një imazh të larmishëm të Shqipërisë, duke dokumentuar faza të ndryshme të historisë së vendit gjatë periudhave të ndryshimeve shoqërore dhe ekonomike. Ata ishin të parët që mbërritën në Shqipëri pas rënies së regjimit komunist dhe fotografuan për periudha të gjata kohore, duke krijuar kështu një imazh të përgjithshëm të Shqipërisë, secili sipas estetikës së vet.

Larmia e interpretimit vizual të realitetit bashkëkohor shqiptar është një element bazë i kësaj ekspozite. Qasjet artistike ndaj rrethanave politike dhe shoqërore të vendit janë sa realiste aq edhe abstrakte, ku secila prej tyre e përshkruan gjendjen e tranzicionit në mënyra të ndryshme. Duke marrë në konsideratë historinë e vendit, kjo ekspozitë synon të ruajë kujtimin e kësaj periudhe në Shqipëri. Ajo paraqet një realitet historik që mund të funksionojë si një temë diskutimi për gjendjen aktuale të vendit, në dialog me të shkuarën, thënë kjo me bindjen se e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja janë gjithmonë të ndërlidhura”, shkruan kuratorja Sylvia Sachini, në tekstin kurues që shoqëron ekspozitën.

Edhe fotografi shqiptar, Enri Canaj, i cili jeton prej 34 vjetësh jashtl Shqipërisë, foli për organizimin e ekspozitës, eksperiencën e tij si fotograf, duke falenderuar njëkohësisht COD, kuratoren Sachini dhe fotografët e tjerë pjesmarrës në këtë ekspozitë.

FOTOGRAFËT

Alex Majoli (ITALI)

Në moshën 15-vjeçare, Alex Majoli iu bashkua “Studio F45” në Ravenë, duke punuar së bashku me Daniele Casadio-n. Teksa studionte në Institutin e Artit në Ravenë, ai iu bashkua agjencisë “Grazia Neri” dhe udhëtoi në Jugosllavi për të dokumentuar konfliktin. U kthye shpeshherë përgjatë këtyre viteve, duke mbuluar të gjitha ngjarjet kryesore në Kosovë dhe Shqipëri. Majoli mbaroi shkollën e artit në vitin 1991. Tre vjet më vonë, ai realizoi një projekt për mbylljen e një azili psikiatrik në ishullin Leros, Greqi, i cili u bë temë e librit të tij të parë, “Leros”. Në vitin 1995, Majoli shkoi në Amerikën e Jugut për disa muaj, ku fotografoi një sërë subjektesh për projektin e tij të ardhshëm personal, “Requiem in Samba”. Ai filloi projektin “Hotel Marinum” në vitin 1998, mbi jetën në qytetet portuale anembanë botës, qëllimi përfundimtar i të cilit ishte të jepte një shfaqje teatrale multimediale. Po atë vit, ai filloi të bënte një seri filmash të shkurtër dhe dokumentarë. Pasi u bë anëtar i plotë i Magnum Photos-it në vitin 2001, Majoli fotografoi rënien e regjimit taleban në Afganistan dhe dy vjet më vonë pushtimin e Irakut. Ai vazhdon të dokumentojë konflikte të ndryshme në mbarë botën për Newsweek, The New York Times Magazine, Granta dhe National Geographic. Majoli, në bashkëpunim me Thomas Dworzak-un, Paolo Pellegrin-in dhe Ilkka Uimonen-en realizoi një ekspozitë dhe instalacion jashtëzakonisht të suksesshëm “Off Broadway” në Nju-Jork në vitin 2004, i cili është ekspozuar gjithashtu në Francë dhe Gjermani. Më pas, ai u përfshi në një projekt të Ministrisë së Kulturës Franceze, të titulluar BPS, Bio-Position System, për transformimin shoqëror të qytetit të Marsejës. Projekti i tij, “Libera Me”, është një reflektim mbi gjendjen njerëzore.

Carl De Keyzer (BELGJIKË)

Carl De Keyzer-i trajton tema të larmishme përmes një qasjeje akumuluese dhe të shtrirë gjerësisht. Ai ndërton narrativa përmes imazheve të mbledhura, të cilat shpesh shoqërohen me tekst (marrë nga ditarët e tij të udhëtimit). Në një seri printimesh në format të madh, ai ka fotografuar Indinë, rënien e Bashkimit Sovjetik dhe, së fundmi, pushtetin dhe politikën moderne në Korenë e Veriut. Projekti i tij themelor, God, Inc., trajton jetën fetare në skajet e shoqërisë amerikane. Një premisë bazë në pjesën më të madhe të punës së tij është se, në komunitetet e mbipopulluara, katastrofa tashmë ka ndodhur dhe infrastrukturat janë në prag të kolapsit. I lindur në Belgjikë, karriera e De Keyzer-it si fotograf i pavarur filloi në vitin 1982, ndërsa punonte si instruktor fotografie në Akademinë Mbretërore të Arteve të Bukura në Ghent. Në të njëjtën kohë, interesimi i tij për punën e fotografëve të tjerë e bëri bashkëthemelues të “Galerisë së Fotografisë XYZ”. De Keyzer-i ka punuar për gazeta të ndryshme, si: The New York Times, TIME Asia, Rolling Stone, LA Times dhe The Guardian. Klientë të tij tregtarë janë edhe Coca-Cola, Ernst & Young, Hennessy, Diesel dhe Forumi Ekonomik Botëror i Davos.
Kandidat për Magnum në vitin 1990, ai u bë anëtar i plotë në vitin 1994.


Enri Canaj (SHQIPËRI)

Enri Canaj ka lindur në Tiranë, Shqipëri, në vitin 1980. Këtu kaloi fëmijërinë e hershme përpara se të shpërngulej në Greqi, kur kufijtë e Shqipërisë u hapën në vitin 1991. Ai studioi për fotografi në Akademinë Leica në Athinë dhe u bë anëtar i plotë i Magnum Photos-it në vitin 2021. Po atë vit, Canaj botoi monografinë e tij të parë, “Thuaj lamtumirë para se të largohesh”. Ai jeton në Athinë dhe fotografon ngjarje në Greqi dhe në Ballkan. Që nga viti 2008, Canaj ka qenë fotograf i pavarur për gazeta të rëndësishme, si TIME LightBox, The New York Times Magazine, MSNBC Photography, Wall Street Journal, Vice, Financial Times dhe Le Monde. Ai ka marrë çmime nga fondacioni Manuel Rivera-Ortiz, festivali LUMIX për Fotogazetarinë e Re, fondacioni NEON, iMEdD dhe fondacioni Stavros Niarchos, si dhe çmimin Philip Jones Griffiths. Shembuj të punës së tij janë ekspozuar në Rencontres d’Arles, Muzeun e Artit Bashkëkohor në Selanik; LUMIX, festival në Hanover; Muzeun Benaki në Athinë; Muzeun e Fotografisë në Selanik; Qendrën për Artet e Bukura BOZAR në Bruksel; Fondacionin Kulturor të Bankës Kombëtare të Greqisë në Athinë; Bilgi Santral në Stamboll; Parlamentin Evropian në Bruksel dhe në Festivalin e Fotografisë të Athinës.

Martin Parr (MBRETËRIA E BASHKUAR)

Syri i pagabueshëm i Martin Parr-it për veçoritë e jetës së përditshme e ka bërë atë një zë të veçantë në kulturën vizuale për më shumë se 30 vjet. I njohur për përdorimin e ngjyrave të bukura dhe përbërjen ezoterike, ai ka studiuar veçoritë kulturore në mbarë botën nga Japonia në Amerikë dhe nga Evropa në vendin e tij të lindjes, Mbretërinë e Bashkuar. Temat, si koha e lirë, konsumi dhe komunikimi, janë qendra e punës së tij; të gjitha të eksploruara me një ironi depërtuese. Si fotograf, regjisor dhe koleksionist, Parr-i ka përcaktuar një brez. Ai ka lindur në Epsom, Surrey, MB. Kur ishte fëmijë, nisi të shfaqte interes për fotografinë, gjë që u nxit nga gjyshi i tij George Parr-i, i cili vetë ishte një fotograf i mprehtë amator. Parr-i studioi për fotografi në Politeknikun e Mançesterit, nga viti 1970 deri në vitin 1973. Pas diplomimit, ai punoi në Këshillin e Mançesterit për Marrëdhëniet me Komunitetin për tre muaj dhe më pas filloi të punojë për ekspozitën e tij të parë, “Shtëpi e ëmbla shtëpi”, në Galerinë Impressions në York, MB. Parr-i ka botuar mbi 100 libra të veprave të tij dhe ka redaktuar 30 libra të tjerë. Puna e tij është shfaqur në ekspozita vetjake dhe në ekspozita të realizuara në bashkëpunim me fotografë të tjerë në mbarë botën. Ai ka kuruar gjithashtu shumë shfaqje të mirënjohura, si “E çuditshme dhe e njohur” në mars të vitit 2016, në Barbican, Londër, ku paraqiti mënyrën se si fotografët ndërkombëtarë kanë fotografuar në MB nga vitet 1930 e në vazhdim. Parr-i ka marrë çmime të shumta përgjatë viteve, si: çmimin Sony World Photography Award për “Kontributin e Jashtëm në Fotografi” në prill të vitit 2017, çmimin Erich Salomon në 2006, i cili solli shfaqjen “Kokteje të shumëllojshme”, që u hap në Photokina dhe çmimin Baume et Mercier në 2008, si mirënjohje për karrierën e tij profesionale dhe kontributin në fotografinë bashkëkohore. Në vjeshtën e vitit 2017, në Bristol u hap fondacioni Martin Parr. Ekspozita e madhe e Parr-it në Galerinë Kombëtare të Portreteve u hap në mars të vitit 2019. Ai u bë anëtar i plotë i Magnum Photos-it në vitin 1994.

Nikos Economopoulos (GREQI)

Nikos Economopoulos-i lindi në Peloponez, Greqi, në vitin 1953. Ai ka studiuar për drejtësi dhe ka punuar si gazetar në Parmë, Itali. Filloi të fotografonte në Greqi dhe Turqi dhe përfundimisht e braktisi gazetarinë për t’iu përkushtuar fotografisë. Ai bashkua me Magnum Photos në vitin 1990 dhe fotografitë e tij filluan të shfaqen në gazeta dhe revista në mbarë botën. Në të njëjtën periudhë, filloi të udhëtonte dhe të fotografonte gjerësisht nëpër Ballkan. Kjo vepër i dha atij çmimin “Mother Jones”. Pas përfundimit të projektit të tij në Ballkan në vitin 1994, Economopoulos-i u bë anëtar i plotë i Magnum Photos-it. Libri i tij, “Në Ballkan”, u botua në vitin 1995 në Nju-Jork dhe Athinë. Në vitet ‘90, Economopoulos-i filloi të punonte në kalimet kufitare ilegale, duke fotografuar banorët e “Vijës së gjelbër” në Qipro, emigrantët ilegalë në kufirin greko-shqiptar dhe emigrimin masiv të shqiptarëve etnikë që iknin nga Kosova. Në vitet ‘90, ai filloi të fotografonte romët dhe minoritarët e tjerë. Në vitin 2000, ai përfundoi një libër mbi tregimtarët e ishujve të Egjeut, porositur nga Universiteti i Egjeut. Një retrospektivë e punës së tij, e titulluar “Economopoulos, Fotograf”, u botua në vitin 2002 dhe më vonë u ekspozua në muzeun “Benaki” në Athinë, në vitin 2005. Gjatë dekadës së fundit, Economopoulos-i i është kthyer përdorimit të ngjyrave në fotografi. Ai aktualisht e kalon pjesën më të madhe të kohës jashtë Greqisë, duke udhëtuar, duke dhënë mësim dhe duke fotografuar nëpër botë.

Në ekspozitë interesante, e gjitha për ta shijuar!

Nations League/ Kuqezinjtë përmbysin Ukrainën

Djemtë kuqezi administruan deri në fund avantazhin dhe morën një fitore të madhe 2-1 në “Epet Arena”.

Global 360

Azerbajxhani promovon traditat multikulturore përpara komunitetit botëror

Azerbajxhani ndjek një politikë të jashtme aktive për të promovuar traditat e multikulturalizmit në botë dhe dialogun midis kulturave dhe…

Diplovista

Rakipi: Bisedimet Kosovë-Serbi të përqendrohen tek njohja, jo më në çështje teknike

Kryetari i Institutit për Studime Ndërkombëtare Albert Rakipi thotë se ka ardhur koha për një qasje tjetër në dialogun mes…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Dashuria e Aleksandër Vuçiç për armët që nuk i përdor dot!

"Njëlloj si një gjuetar amator, ai i ekspozon armët në murin e shtëpisë dhe ua tregon miqve gjithë ngazëllim."

Profil

Një emër i njohur i elitës intelektuale dhe politike të çerekshekullit të fundit

75-vjetori I lindjes -- Rrugëtimi i Z. Koçi Tahiri nga galeritë e Bulqizës në sallën e legjislativit shqiptar (2017-2021)

Masmedia

Nations League/ Kuqezinjtë përmbysin Ukrainën

Djemtë kuqezi administruan deri në fund avantazhin dhe morën një fitore të madhe 2-1 në “Epet Arena”.