Institucionet e reja të drejtësisë, akses në Regjistrin e Gjendjes Civile
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla dhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi nënshkruan sot Udhëzimin, që adreson një situatë të re të krijuar si pasojë e zhvillimeve në vend, me krijimin e disa institucioneve të reja, por edhe avancimin e teknologjisë.
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla dhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi nënshkruan sot Udhëzimin, që adreson një situatë të re të krijuar si pasojë e zhvillimeve në vend, me krijimin e disa institucioneve të reja, por edhe avancimin e teknologjisë.
Ministria e Brendshme, përmes Gjendjes Civile është institucioni përgjegjës për ruajtjen e të dhënave të shtetasve, të cilat kërkohen rregullisht nga institucionet gjyqësore.
Ministri Balla nënvizoi rëndësinë e këtij dokumenti, duke vënë njëherësh në dukje kontributin konkret të Zyrës së Komisionerit në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Duke komentuar dokumentin e nënshkruar, Balla tha se, u plotësua një detyrim i rëndësishëm që ka të bëjë me përcaktimin e institucioneve dhe të gjitha organeve që marrin të dhëna personale nga shërbimi i Gjendjes Civile, për mënyrën, llojin dhe sasinë e informacionit që ato marrin, duke i kushtuar vëmendje të veçantë pjesës së mbrojtjes së të dhënave personale.
Në këtë projekt udhëzim janë përfshirë disa institucione të reja, të cilat kanë një rol kyç në zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e të dhënave personale, të tilla si KLGJ, SPAK, BKH, AMP, etj. Këto institucione do të kenë qasje të saktësuar dhe të përshtatur në bazë të legjislacionit përkatës për mbrojtjen e të dhënave personale.
“Me anë të këtij Udhëzimi synohet që të ketë përmirësime në Procedurat e Shërbimit të Gjendjes Civile. Më konkretisht Udhëzimi i ri, siguron që shërbimi i Gjendjes Civile të jetë më transparent dhe të ofrojë informacionin e nevojshëm për këto institucione në mënyrë të sigurt dhe të kontrolluar. Ky udhëzim përmban gjithashtu përmirësime në procesin e verifikimit të të dhënave për të garantuar integritetin dhe sigurinë e informacionit të ndarë. Integrimi i teknologjisë dhe ndryshimet ligjore janë një risi tjetër e këtij udhëzimi. Në kuadër të kësaj nisme janë përfshirë dispozita të reja që lidhen me përdorimin e teknologjisë në proceset zgjedhore, të cilat janë të rëndësishme për rritjen e besueshmërisë dhe efikasitetit të proceseve demokratike në vendin tonë. Në përgatitjen e këtij udhëzimi janë marrë parasysh dhe integruar komentet e institucioneve të ndryshme në mënyrë që dokumenti të përmbushë të gjitha kërkesat ligjore dhe të mbrojë të drejtat e qytetarëve”, u shpreh Balla.
Më tej, ministri bëri apel për qytetarët dhe median ta mbështesin këtë iniciativë, e cila është jetike për përmirësimin e transparencës dhe besueshmërisë së institucioneve.
Komisioneri Besnik Dervishi deklaroi se u përmbyll një proces tejet i kujdesshëm në lidhje me aksesin e të dhënave e Regjistrit të Gjendjes Civile, të cilin e konsideron një proces model.
“Gjej rastin të falënderoj DPGJC, stafin, e ju personalisht për këtë proces korrekt, të kujdesshëm dhe që duhet të shërbejë si model të gjithë institucionet e tjera. Në funksion të këtyre detyrave edhe Zyra e Komisionerit, merr nuancat dhe shtohet në institucionet e sigurisë kombëtare. Veprimtaria e organeve ligjzbatuese, ku në juridiksionin e MB-së ka një veprimtari të gjerë, është shumë e ndjeshme edhe në këndvështrimin e mbrojtjes së të dhënave personale, administrimin dhe përpunimin e të dhënave në sistemet, databazat. Pa harruar transparencën që këto institucione kanë në raport me publikun, e mbështetur në standardet e BE-së dhe në rregulloren e re të Bashkimit Europian. Ne kemi konstatuar që duhet forcuar niveli i marrjes së masave të sigurisë, ruajtja e konfidencialiteti i të dhënave, identifikimi dhe gjurmimi i niveleve të aksesit, apo dhe kategoria e të dhënave që përpunohen nuk duhet të jenë në tejkalim të parashikimeve apo duhet të jenë në respektim të parimit të mjaftueshmërisë”, nënvizoi Komisionieri.
Udhëzimi për mbrojtjen e të dhënave personale, Dervishi: Adreson problematikat
Udhëzimi i Përbashkët “Për përcaktimin e institucioneve dhe organeve që marrin të dhëna personale nga shërbimi i gjendjes civile, si dhe mënyrën, llojin dhe sasinë e informacionit që duhet të marrin”, i ndryshuar përcakton kornizën rregulatore për trajtimin sa më adekuat të të dhënave personale të qytetarëve që përpunohen në përputhje me veprimtarinë specifike të autoriteteve të ndryshme publike apo subjekteve private.
Ky akt nënligjor i rishikuar siguron standarde të unifikuara dhe më të larta në përdorimin/shkëmbimin e të dhënave personale të qytetarëve dhe njëkohësisht, u garanton atyre respektimin e kësaj të drejte dhe lirie themelore, edhe në optikën e zhvillimeve teknologjike dhe shtimit të shërbimeve shtetërore online.
Nga ana tjetër, Udhëzimi i përmirësuar adreson edhe çështjen të masave tekniko-organizative që këto institucione duhet të marrin përsa i përket forcimit të aspekteve të tilla të rëndësishme të këtij procesi si siguria, integriteti, përgjegjshmëria, mjaftueshmëria apo gjurmueshmëria.
Komisioneri Dervishi, duke vlerësuar bashkëpunimin me Ministrinë e Brendshme në përditësimin e këtij Udhëzimi, në fjalën e tij ndër të tjera theksoi se “ky proces korrekt dhe i kujdesshëm duhet të shërbej si model për të gjithë institucionet e tjera”.
“Zyra e Komisionerit kryen funksione të ngarkuara nga disa ligje specifike, marrëveshje ndërkombëtare apo akte nënligjore dhe që ndërlidhen ngushtë me veprimtarinë e Ministrisë së Brendshme. Në funksion të plotësimit të këtyre detyrave edhe Zyra e Komisionerit merr nuanca dhe renditet në institucionet që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare. Veprimtaria e organeve ligjzbatuese është shumë e ndjeshme edhe në këndvështrimin e mbrojtjes së të dhënave personale, në administrimin dhe përpunimin e të dhënave në sistemet dhe databazat e tyre apo pa harruar edhe transparencën që duhet të reflektojnë këto institucione në raport me publikun”,u shpreh Dervishi.
“Gjatë punës tonë, e mbështetur edhe në standardet e Rregullores së Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave (GDPR) të Bashkimit Evropian, ne kemi konstatuar që duhet forcuar niveli i marrjes së masave të sigurisë, ruajtja e konfidencialitetit të të dhënave, identifikimi dhe gjurmimi i nivelit të aksesit, si dhe kategoria e të dhënave që përpunohen nuk duhet të jetë në tejkalim të parashikimeve specifike apo parimit të mjaftueshmërisë”, theksoi ai.
Dervishi nënvizoi se “tashmë përmbyllet një proces i kujdesshëm në lidhje me aksesin në të dhënat e Regjistrit të Kombëtar të Gjendjes Civile, duke parë të nevojshme rishikimin e këtij akti në mënyrë që të adresohen problematikat dhe në të njëjtën kohë, të shtohet numri i institucioneve/organeve të reja apo të ristrukturuara, të cilat e kanë të domosdoshme aksesin në RKGJC për përmbushjen e detyrave funksionale dhe në zbatim të parashikimeve të legjislacionit specifik”.
(Marrë nga ATSH)