Marrëveshja Hamas – Fatah në Pekin i hap rrugë zgjidhjes së konfliktit në Lindjen e Mesme
Takimi i të martës, më 23 korrik, në Pekin i 14 grupeve dhe fraksioneve politike palestineze dhe nënshkrimi i deklaratës për t’u bashkuar në përpjekjet për liri e shtetësi është dhe do të mbetet dëshmia e një projekti paqeje nga më të mëdhenjtë e kohës së sotme.
Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi
Njerëzit, grupet shoqërore, por edhe shtetet e qeveritë e tyre, e dëshmojnë kualitetin e tyre jo vetëm përmes mendimit, por dhe përmes veprimit. Mundet që një njeri, apo përfaqësuesi i një organizate, që politikanët dhe diplomatët drejtues të një shteti të flasin pafund për lirinë, barazinë, paqen, sigurinë e prosperitetin, por nëse mungon veprimi praktik, atëherë asgjë nuk është aq e besueshme.
Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi bashkë me përfaqësues të fraksioneve palestineze(Foto:MPJ)
Takimi i të martës, më 23 korrik, në Pekin i 14 grupeve dhe fraksioneve politike palestineze dhe nënshkrimi i deklaratës për t’u bashkuar në përpjekjet për liri e shtetësi është dhe do të mbetet dëshmia e një projekti paqeje nga më të mëdhenjtë e kohës së sotme. Grupet fraksioniste me ndihmën dhe ndërmjetësimin e diplomacisë së Republikës Popullore të Kinës më në fund arritën që t’i bashkojnë palestinezët dhe kësisoj të vendosin gurë themeli për paqen, sigurinë e stabilitetin në Lindjen e Mesme.
Nëse kthehemi e shohim mprapa në kohë, dallon lehtësisht se shkaku i tensioneve, konflikteve dhe sulmeve të ndërsjella midis Izraelit dhe palestinezëve nuk është vetëm politika e zgjerimit të territoreve nga ana e Tel Avivit, por edhe mungesa e unifikimit të faktorit politik të Palestinës. Divergjencat midis dy grupeve politike kryesore, Hamas dhe Fatah, nuk u sheshuan në praktikë asnjëherë, pavarësisht një marrëveshjeje midis tyre të arritur në vitin 2011. Kësaj radhe duket se këto dy grupime janë pajtuar plotësisht për krijimin e një qeverie të përbashkët dhe për të formuluar gjithashtu së bashku qëndrimet politike në raportet me Izraelin dhe komunitetin ndërkombëtar.
Përfaqësuesi i lartë i Hamas, Musa Abu Marsuk, u shpreh për agjencinë e lajmeve AFP se “ne kemi detyrimin tonë për bashkim dhe e kërkojmë këtë bashkim”! Që do të thotë se kjo organizatë politike, Hamasi, është në rrjedhat e krijimit të një klime bashkëpunimi dhe solidariteti politik me të gjitha grupet e tjera palestineze, veçmas me Fatah-un. Dhe që për synim ka artikulimin e kërkesave palestineze në përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për zgjidhjen e krizës dhe konfliktit në Lindjen e Mesme përmes krijimit dhe definimit të dy shteteve, atij izraelit dhe shtetit palestinez.
Ministri i Jashtëm i Republikës Popullore të Kinës, Wang Yi, pranon se pajtimi i grupeve palestineze është një çeshtje e brendshme e tyre. Por njëkohësisht ai thekson se ky pajtim kishte dhe ka nevojë për mbështetje ndërkombëtare. Në ndryshim nga disa vende të tjera, të painteresuara për këtë pajtim, Kina u bë kumbara i tij. Ky akt i diplomacisë dhe politikës kineze e ngre lart stekën e autoritetit të shtetit të Kinës në arenën ndërkombëtare dhe forcon imazhin e saj për një rol pozitiv dhe konstruktiv në shërbim të paqes dhe stabilitetit në botë.
Presidenti kinez Xi Jinping mban fjalim në mbledhjen e 10-të të ministrave të Forumit të Bashkëpunimit Kinë-Vende Arabe,30 maj 2024 (Foto:Xinhua)
Presidenti Xi Jinping kishte kërkuar gjatë një takimi me përfaqësues të vendeve arabe të 30 majit të këtij viti, që të zhvillohej një konferencë ndërkombëtare për zgjidhjen e konfliktit në lindjen e Mesme e sidomos të atij midis Izraelit dhe Palestinës. Sipas zotit Xi lufta në këtë rajon nuk mund të zgjasë pafund dhe garantoi se vendi i tij është për rivendosjen e paqes e stabilitetit në zonë. Ai gjithashtu thoshte se “Drejtësia nuk mund të mungojë gjatë”, duke paralajmëruar nevojën e zgjidhjes së këtij konflikti. Ndërkohë një konferencë ndërkombëtare për këtë nuk mund të mendohej pa një konsensus të brendshëm palestinez, po ashtu izraelit. Kina e bëri pjesën e saj, e arriti këtë konsensus te palestinezët. Janë amerikanët dhe europianët ata që duhet të bëjnë pjesën e tyre në raport me Izraelin.
Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes për pajtim midis grupeve rivale politike të palestinezëve morën pjesë shumë përfaqësues nga disa vende arabe e të rajonit të Lindjes së Mesme, si Egjypti, Algjeria, Arabia Saudite, Katari, Jordania, Siria, Libani, Rusia dhe Turqia. Kuptimi i kësaj pjesëmarrjeje lidhet me mesazhin se nuk është vetëm Republika Popullore e Kinës e interesuar për pajtim e zgjidhje, por edhe shumë aleatë e partnerë të saj. Megjithatë të bën përshtypje mungesa e përfaqësuesve të Emirateve të Bashkuara Arabe, Iranit e ndonjë vendi tjetër të këtij rajoni. Por pavarësisht kësaj, mbështetja që vjen për këtë iniciativë të RP të Kinës është domethënëse.
Konflikt në Lindje të Mesme, Gazë (Foto:VCG)
Përfaqësues të palestinezëve e kanë quajtur marrëveshjen si më kualitativen krahasuar me marrëveshjet e mëparshme. Ata shpresojnë se pas kësaj do të ketë armë-pushim e më pas zgjedhje të lira e demokratike, me të cilat do të duhet të konstitutohet Këshilli i ri Nacional Palestinez. Ndërkohë që ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock u shpreh skeptike dhe kërkoi që Hamasi të lirojë pengjet izraelite. Vetëm Izraeli nuk është pajtuar publikisht me këtë akt pajtimi midis grupeve politike rivale të Palestinës dhe palestinezëve. Ministri i Jashtëm izraelit kritikoi ashpër presidentin palestinez, duke thënë se ai “në vend të refuzojë terrorin, përqafoi vrasësit dhe përdhunuesit”, duke etiketuar të tillë Hamasin”! Kjo tregon se sa e vështirë është t’i japësh fund një konflikti kaq të gjatë e të thellë si ai midis Izraelit dhe Palestinës, pavarësisht vullnetit, dëshirës dje përpjekjeve të mëdha të Republikës Popullore të Kinës!
Burimi: CRI.CN