Giorgia Meloni në Pekin dhe dy skajet e Rrugës së Mëndafshit
Në fund korriku 2024 u zhvillua vizita e parë e Giorgia Melonit në Kinë që nga marrja e detyrës së saj si kryeministre e Italisë. Ky vit shënon 20 vjetorin e partneritetit gjithëpërfshirës strategjik midis Kinës dhe Italisë,
Nga Dr. Marsela Musabelliu
“Dhe kështu unë kam shkruar dhe përmbledhur pak nga mrekullitë e mëdha që kam dëgjuar dhe parë, me shpresën që ata që vijnë pas meje të mund të ndjekin hapat e mi.” – Udhëtimet e Marko Polos.
Shtatë shekuj pas kësaj shprehje, Roma dhe Pekini janë në tavolinën e bisedimeve me një kryeministre italiane që duket se po i ndjek hapat e Marko Polos. Në Evropë është e njohur shprehja “të gjitha rrugët çojnë në Romë” nga ana tjetër, në Azi tashmë është pranuar se të gjitha rrugët të çojnë në Pekin.
Në fund korriku 2024 u zhvillua vizita e parë e Giorgia Melonit në Kinë që nga marrja e detyrës së saj si kryeministre e Italisë. Ky vit shënon 20 vjetorin e partneritetit gjithëpërfshirës strategjik midis Kinës dhe Italisë, si dhe 700 vjetorin e vdekjes së Marko Polos. Të dyja palët po mundohen t’i shikojnë dhe zhvillojnë marrëdhëniet dypalëshe nga një dimension historik, duke u përballur me mundësi të rëndësishme për zhvillim të ndërsjellë. Vetë vizita e Melonit në Kinë, përveçse përkon me këto dy përvjetorë të rëndësishëm, ka marrë një vëmendje të madhe. Ajo është liderja e parë e G7 që viziton Kinën pas seancës së tretë plenare të Komitetit Qendror të 20-të të PKK-së. Meloni e njoftoi këtë vizitë gjatë një konference për shtyp pas samitit të G7 muajin e kaluar, e cila u pa si një ndryshim delikat në qasjen e Italisë ndaj Kinës. Më 28 korrik, Meloni deklaroi se udhëtimi i saj pesë-ditor ishte një “demonstrim i vullnetit për të filluar një fazë të re, për të rifilluar bashkëpunimin tonë dypalësh”.
Presidenti kinez Xi Jinping u takua me kryeministren italiane Giorgia Meloni, në Pekin/Xinhua
Xi Jinping dhe Giorgia Meloni në tryezë bisedimesh
Pasditen e 29 korrikut, presidenti kinez Xi Jinping u takua me kryeministren italiane Giorgia Meloni, në Pekin. Xi theksoi jo vetëm rëndësinë e thellë historike të marrëdhënieve Kinë-Itali, por edhe rëndësinë e tyre bashkëkohore si një urë për shkëmbimet Lindje-Perëndim. Meloni tha se si qytetërime të lashta, Italia dhe Kina gjithmonë kanë admiruar dhe mësuar nga njëra-tjetra. Italia vlerëson shumë statusin dhe rolin ndërkombëtar të Kinës dhe është e gatshme të trashëgojë frymën e gjatë të Rrugës së Mëndafshit për të zhvilluar një partneritet më të ngushtë dhe të nivelit më të lartë me Kinën.
Takimi midis presidentit kinez dhe kryeministres italiane në Pekin shënon një moment historik të rëndësishëm në marrëdhëniet diplomatike midis dy kombeve. Diskutimet përfshinë një gamë të gjerë temash, si perspektivat historike, bashkëpunimin ekonomik, inovacionin teknologjik, shkëmbimet kulturore dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
Konteksti historik dhe simbolika janë shumë të rëndësishme për Pekinin. Xi Jinping nënvizoi shkëmbimet miqësore të kahershme që kanë kontribuar ndjeshëm në mësimin e ndërsjellë dhe përparimin e qytetërimeve lindore dhe perëndimore. Rruga e Mëndafshit, një rrugë historike tregtare, simbolizon jo vetëm shkëmbimet ekonomike, por edhe transferimin e njohurive, kulturës dhe ideve midis Lindjes dhe Perëndimit. Duke i bërë jehonë këtij konteksti historik, Xi theksoi rëndësinë e ruajtjes dhe avancimit të kësaj trashëgimie përmes marrëdhënieve moderne dypalëshe.
Një pjesë e konsiderueshme e diskutimit u fokusua në bashkëpunimin ekonomik dhe industrial. Xi vuri në dukje se pikat e forta industriale të Kinës dhe Italisë janë plotësuese për njëra-tjetrën, duke paraqitur mundësi për përfitim reciprok. Kjo përfshin krijimin e rrugëve të reja për bashkëpunim me Italinë në sektorë të ndryshëm si investimet ekonomike, prodhimi industrial, inovacioni teknologjik dhe tregjet e palëve të treta. Ftesa e Xi për kompanitë italiane për të investuar në Kinë dhe premtimi për të importuar më shumë produkte italiane me cilësi të lartë pasqyrojnë një lëvizje strategjike për të forcuar dhe zgjeruar më tej lidhjet ekonomike. Për më tepër, thirrja e Xi për një mjedis biznesi të drejtë, transparent dhe jodiskriminues për kompanitë kineze në Itali nënvizon nevojën për respekt të ndërsjellë dhe reciprocitet në angazhimet ekonomike dypalëshe.
Takimi eksploroi gjithashtu fusha të reja bashkëpunimi, veçanërisht në teknologjitë në zhvillim si automjetet elektrike dhe inteligjenca artificiale. Duke u fokusuar në këta sektorë, të dy vendet synojnë të përdorin fuqitë e tyre përkatëse për të nxitur inovacionin dhe avancimin teknologjik. Ekspertiza e Kinës në prodhim dhe aftësitë e njohura inxhinierike të Italisë krijojnë një terren pjellor për sipërmarrje të përbashkëta dhe projekte kërkimore bashkëpunuese.
Xi Jinping dhe Giorgia Meloni në bisedime/Xinhua
Në kontekstin e globalizimit ekonomik, presidentit kinez theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të hapur në zinxhirët globalë industrialë dhe të furnizimit. Ky qëndrim pasqyron qasjen më të gjerë të politikës së jashtme të Kinës. Duke mbështetur rolin e Italisë në promovimin e dialogut dhe bashkëpunimit Kinë-BE, Xi theksoi rëndësinë strategjike të marrëdhënieve Kinë-BE në ruajtjen e stabilitetit dhe zhvillimit global.
Kryeministrja Giorgia Meloni shprehu kënaqësinë e saj për vizitën në Kinë dhe angazhimin për thellimin e partneritetit strategjik Itali-Kinë. Ajo pranoi rolin e domosdoshëm të Kinës në adresimin e sfidave globale dhe theksoi respektin e Italisë për statusin dhe rolin ndërkombëtar të Kinës. Ripohimi i Melonit për aderimin e Italisë ndaj politikës së “Një Kinë” dhe kundërshtimi i saj ndaj shkëputjes dhe proteksionizmit nënvizon angazhimin e Italisë për të mbajtur një marrëdhënie konstruktive dhe bashkëpunuese me Kinën.
Meloni theksoi gjithashtu potencialin për thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, duke përfshirë investimet ekonomike dhe tregtare, automjetet elektrike, inteligjencën artificiale dhe shkëmbimet kulturore. Vizioni i saj për një partneritet më të ngushtë dhe të nivelit më të lartë me Kinën synon të hapë një kapitull të ri në partneritetin gjithëpërfshirës strategjik Itali-Kinë, duke kontribuar në paqen dhe përparimin global. Takimi mes Xi Jinping dhe Giorgia Meloni shënon një hap të rëndësishëm përpara në marrëdhëniet Kinë-Itali ku të dy liderët kanë krijuar terrenin për një partneritet më të fortë dhe dinamik.
Konteksti, analizat dhe pritshmëritë e marrëdhënieve Kinë-Itali
Meloni shkon në Kinë e mveshur me më shumë kapital politik. Si një udhëheqëse e palëkundur brenda Italisë, ajo ka demonstruar aftësitë e saj politike përmes një sërë fitoresh elektorale, veçanërisht në zgjedhjet parlamentare evropiane, ku partia e saj politike arriti një fitore vendimtare. Ndikimi i saj nuk kufizohet vetëm në politikën italiane, por shtrihet në të gjithë BE-në, ku opinionet dhe politikat e saj kanë filluar të formojnë diskutime dhe vendime. Si drejtuese e degës ekzekutive të Italisë, ajo ka një rol kyç në politikën evropiane. Këtë vit, statusi i saj është ngritur më tej nga presidenca italiane e G7, një pozicion që mori në 1 janar dhe do të mbajë gjatë gjithë vitit 2024.
Meloni mori pjesë në ekspozitën e Marco Polo-së në Pekin/CMG
Nën drejtimin e saj, Italia ka pritur dhe do të vazhdojë të mbajë takime kyçe, siç është mbledhja e liderëve të G7 në Bari në mes të majit të këtij viti. Kjo ngjarje nxori në pah aftësitë negociuese të Melonit dhe ndikimin strategjik të Italisë në diplomacinë ndërkombëtare. Samiti i Barit nënvizoi më tej “fuqinë e butë” të Italisë ( ose soft power – aftësinë për të formësuar rezultatet përmes ndikimit kulturor, diplomacisë dhe negociatave në vend të shtrëngimit ose forcës). Vizita e Melonit në Pekin është më shumë se një udhëtim diplomatik rutinë; është një lëvizje e llogaritur strategjikisht, që pasqyron nevojat e saj politike dhe pozicionin e Italisë në arenën globale. Meloni shkon në Pekin me kompetenca specifike dhe interesa të mirëkalibruara.
Aftësia e Melonit për të përzier fuqinë e butë me diplomacinë strategjike u duk qartë në Pekin, por terreni që është shtruar që kur Meloni mori pushtetin nuk ka qenë një fushë me lule, specifikisht që nga tërheqja e Italisë nga nisma “Një brez, një rrugë”. Ekspertët në Kinë besojnë kjo vjen pjesërisht për shkak të presionit nga ShBA dhe vende të tjera perëndimore. Por, pasi u pa ndikimi i dëmshëm dhe deri diku niveli i tensionuar i marrëdhënieve dypalëshe, Italia është zhvendosur nga një qasje politike e drejtuar nga ideologjia në një qëndrim më pragmatik. Ky ndryshim pritet të japë një shtysë shumë të nevojshme për zhvillimin ekonomik të Italisë.
Shqetësimi i parë erdhi nga bota e biznesit në Itali. Ishin ata të parët që donin rishikimin e pozicionimit të qeverisë së tyre kundrejt Pekinit. Dhe po nga Pekini, Meloni u tha udhëheqësve të biznesit se të dy palët kishin nënshkruar një memorandum bashkëpunimi industrial që përfshin automjetet elektrike dhe energjinë e rinovueshme, të cilat ajo i përshkroi si “sektorë ku Kina tashmë ka operuar në kufirin teknologjik për disa kohë … dhe po ndan kufijtë e rinj të njohurive me partnerët”.
Italia dhe Kina nënshkruan një plan veprimi tre-vjeçar për të zbatuar marrëveshjet e kaluara dhe për të eksperimentuar me forma të reja bashkëpunimi, tha Meloni në Kinë. Praktikisht, Plani i veprimit shërben për të minimizuar ndikimin negativ në Itali pasi ajo u tërhoq nga “Një Brez, një rrugë”; nënshkrimi i planit sinjalizon gjithashtu se Italia ka një kërkesë të madhe për bashkëpunim me Kinën, pasi përdori një plan alternativ për t’u fokusuar në zonat ku ka kërkesë nga të dy vendet. Ekspertët kinezë shprehen se plani i veprimit është më shumë si një marrëveshje “kompensuese” për Italinë pas tërheqjes së Romës nga nisma vitin e kaluar.
Nga ana tjetër, Kina i kushton rëndësi të madhe marrëdhënieve të saj me Evropën. Italia është një vend kryesor në BE kështu që forcimi i marrëdhënieve midis Kinës dhe Italisë është me rëndësi të madhe për rritjen e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve dhe promovimin e marrëdhënieve Kinë-Evropë. Italia është ekonomia e tretë më e madhe në Bashkimin Evropian, pritet të shërbejë si model për vendet e tjera evropiane dhe perëndimore.
Një kafenë e Lavazza-s në Shangai(Foto:VCG)
Vizita e Melonit do të ketë një efekt demonstrues në vendet evropiane, pasi tendenca e “shkëputjes me Kinën” po bëhet më e përhapur në kontinent. Bashkëpunimi thelbësor midis Kinës dhe Italisë do të tregojë përfitimet e bashkëpunimit me Pekinin, duke e çuar Evropën të kuptojë avantazhet e partneriteteve të tilla. Ndërsa Evropa po përballet me një mori sfidash të jashtme dhe të brendshme, disa vende po i drejtohen bashkëpunimit praktik me Kinën për të mbrojtur interesat e tyre. Ky ndryshim ka nxitur vende si Italia të marrin në konsideratë rregullime më pragmatike në përgjigje të presionit në rritje me të cilin përballen.
Përse është Italia interlokutori më i mirë për marrëdhëniet Kinë-Evropë? – Në radhë të parë përgjigjja duhet vendosur në kontekst historik. Italia dhe italianët kanë qenë shumë më të hapur dhe më të pranueshëm kundrejt kulturës dhe rrënjëve sociale në gjithë Azinë dhe në Kinë specifikisht. E dyta është perceptimi, nga të gjitha fuqitë e G7 vetëm Italia nuk perceptohet nën lenten e kolonializmit, shtypjes, shfrytëzimit, përfitimit, dhe as të neo-kolonializmit të sotëm. Kjo është shumë e rëndësishme pasi perceptimi është realitet dhe realiteti ngjyroset sipas rrymave perceptuese të kohës. E treta, Italia dhe politika e saj e jashtme nuk shihen si imponuese. Italia dhe italianët në përgjithësi nuk e kanë në ADN-në e tyre ndjesinë e superioritetit kundrejt kulturave të tjera, as nevojën t’ju japin leksione ose të diktojnë kursin jetës së një vendi tjetër. Si të tillë, janë të mirëpritur dhe të pëlqyer në Kinë.
E fundit, është e rëndësishme të rikthehemi te fjalët të cilat mendohet të kenë qenë të fundit të thëna nga Marko Polo kur iu kërkua të tregonte më shumë rrëfenja nga aventurat e tij në Kinë: “Nuk kam thënë gjysmën e asaj që pashë, sepse e dija që nuk do të më besonin”. Shtatë shekuj më vonë, sërish shumë nuk besojnë arritjet, avancimin, dhe potencialin e Kinës, por i besohet apo jo, ato janë aty prezent, dhe ndoshta Meloni e di.
Burimi: CRI.CN