
Mbi 1 milion pasagjerë në korrik në Rinas, Rama: Tregues i transformimit të Shqipërisë turistike
Sipas shifrave të publikuara nga kryeministri Rama në korrik të këtij viti në aeroport hynë 1.191.182 pasagjerë, ndërsa në korrik të 2023 834.113 pasagjerë.

Në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” u shënua një rekord sa i përket numrit të pasagjerëve që kanë hyrë në vendin tonë në muajin korrik.
Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale tha se “vetëm në muajin korrik numri i hyrjeve në Shqipëri i kaloi 1 milion dhe hynë më shumë pasagjerë se sa erdhën në të gjithë vitin 2013, duke na dhënë një tregues kuptimplotë të transformimit epokal të Shqipërisë turistike në harkun e një dekade”.
Sipas shifrave të publikuara nga kryeministri Rama në korrik të këtij viti në aeroport hynë 1.191.182 pasagjerë, ndërsa në korrik të 2023 834.113 pasagjerë.
Në janar-korrik kanë hyrë 5.982 .066 pasagjerë, ndërsa në janar-korrik 2023 kanë hyrë 3.723.613 pasagjerë, pra shtatëmujori i 2024 ka shënuar 1.113.908 hyrje më shumë.
Në videon e publikuar nga Rama, turistë nga vende të ndryshme shprehi opinionet dhe mbresat e tyre nga udhëtimi në Shqipëri.
“Njerëzit ishin shumë miqësorë, ndihmonin shumë, udhëtuam nëpër të gjithë vendin me taksi me autobus . Ishte fantastike, Ishim në Berat, Gjirokastër, në plazh në Himarë, Sarandë dhe po ashtu në Theth në veri. Ishte i mahnitshëm Syri i Kaltër .
Ajo tha se “do të kthehem sërish dhe patjetër që do tu tregojmë edhe njerëzve të tjerë në Holandë. Ju i keni të gjitha, keni malet dhe ujin” .
Një tjetër turist shprehet se “ishte një eksperiencë magjepsëse kisha udhëtuar edhe më parë në Europën Lindore dhe pak a shumë e dija çfarë do të gjeja. Por u befasova nga shumë gjëra , sa miqësorë janë shqiptarët , sa mikpritës. Është një vend i mrekullueshëm dhe entuziazmues për t’u vizituar”.
Pak si shumë nxehtë për anglezët, po nuk ankohem dot e përballoj. do të kthehem në Vlorë ku qëndruam dhe patjetër që do të kthehem në Tiranë ta eksploroj si duhet kur të mos jetë kaq nxehtë.
Një vajzë e re shprehet se ka qenë në Himarë me pushime.
“Ishte mahnitëse. Uji është kaq i pastër ishte edhe më i mirë se në Greqi”, tha ajo.
Një tjetër turiste tregon se “isha në veri dhe në jug të Shqipërisë. Kalova 21 ditë duke udhëtuar në të gjithë vendin. Veriu, Lugina e Valbonës, pastaj ngjitja në shtegun Valbonë-Theth ishte i vështirë, por shumë i bukur. Edhe plazhi më pëlqeu shumë”. (ATSH)