Denaj: Bashkimi dhe formalizimi do të rrisin cilësinë e produkteve bujqësore
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj zhvilloi sot një takim me fermerë të zonës së Maliqit.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj zhvilloi sot një takim me fermerë të zonës së Maliqit.
Gjatë takimit, Denaj e vuri theksin te rëndësia e rritjes së cilësisë së produkteve përmes bashkimit të fermerëve.
Në fillim të fjalës së saj, Denaj u shpreh se mbështet çdo zë protestues, ndërsa shton se komunikimi dhe bashkëveprimi me fermrët mbetet kryefjalë e punës së saj.
“Përgjatë gjithë vitit ne kemi pasur disa nga çështjet ku emëruesi i përbashkët si në raportin me blegtorët në urën e Kardhiqit, me bletarët, etj., është formalizimi i ekonomisë bujqësore dhe mbi të gjitha bashkimi i operatorëve. Duken si fjali të përgjithshme, teknike, teorike, por në fakt është e vetmja zgjidhje që ne të kemi mundësi të rrisim shkallën e konkurrueshmërisë, të rrisim automatizimin dhe të ulim kostot”, tha Denaj.
“Jemi drejt një tregu, drejt një procesi që nuk mjafton të jetë vetëm i ndodhur në letra, me ligj, duhet të ndodhë në terren. Dhe në territor sot ka një formalitet të shtuar, i cili vjen mes kontratave të munguara të fermerëve, përpunuesve apo tregtarëve dhe ky është një produkt që ne nuk e evidentojmë vetëm sot, ka qenë përgjatë kohës”, tha ajo.
“Ne thjeshtë duhet që ta reduktojmë, në mënyrë që edhe subvencionet të shkojnë aty ku duhen, por njëkohësisht edhe fermerët të marrin mundin dhe djersën e tyre në vlerë ekonomike. Në qoftë se ne në strukturat tona qendrore dhe rajonale nuk arrijmë dot t’i ndjekim në bazë kontrate, nuk arrijmë dot t’i japim ndihmë fermerit. Pra, formalizimi i ekonomisë është kyç. Sigurisht, kjo është një zonë që dominohet nga disa produkte, patatja midis të tjerave, është molla, qepa, ju i dëgjuat vetë fermerët”, u shpreh Denaj.
Sipas saj, planifikimi është një tjetër pikë e rëndësishme e punës së përditshme të fermerëve. “Ne kemi ardhur në një moment ku edhe planifikimi për të mbjellë i cili, pavarësisht çdo vit është i rritur dhe gati 94% të nevojave plotësohet nga prodhimi vendas e vetëm 6% është nga importi, duhet të shkojë brenda tregjeve që e përthithin këtë produkt. Produkti i patates nuk është një produkt që përthithet në tregjet e BE-së, pasi i gjithë rajoni, jo vetëm Shqipëria, ka një kufizim që vjen nga strukturat e DG SANTE për të cilat ne jemi duke punuar, por në mënyrë automatike”, tha Denaj.
“I gjithë produkti i cili lidhet me sigurinë ushqimore, në veçanti me pataten, është një produkt që do të duhet të ndiqet përgjatë viteve të ardhshme dhe alternativat janë që të prodhojmë me kosto sa më të ulët që të paktën të konkurrojmë produktin e importit”, shtoi ajo.
“E them edhe një herë, importi është vetëm 6% nga statistikat. Ne, pjesën më të madhe të 278 188 tonë e plotësojmë në vend. Kështu që, tregjet nuk kanë monopol, ka vetëm mungesë formalizimi. Dhe ne nuk e gjurmojmë dot nëse shkojmë vetëm me biseda pa gjurmë kontratash, pa gjurmë marrëveshjesh. Është e njëjta siç folëm në fillim të vitit për pjesën e blegtorëve. Në qoftë se blegtorët ankoheshin sepse produkti merrej pa çmim, diskutimi thelbësor ishte mbi çfarë baze kontrate nuk është çmimi dhe ne të gjithë bashkë duhet të kuptojmë, jo vetëm ne si qeveri, por edhe fermerët që këtu ka ardhur një moment shumë i rëndësishëm, që ne duhet absolutisht të formalizojmë ekonominë mes palëve”, nënvizon Denaj.
“Ne duhet të kuptojmë që sot duhet të formalizojmë marrëdhëniet kotraktuale, ta zgjerojmë atë dhe të kemi mundësi të prodhojmë për tregje që ne i dimë paraprakisht, sepse tregu është ai që të vendos, bile edhe prodhimin”, tha Denaj.
Ajo u bëri apel për rritje të bashkëpunimit, pasi kështu rritet sipërfaqja dhe rentabiliteti i punës në fermë.
“Në radhë të parë, ne flasim për sipërfaqe shumë të vogla në Shqipëri, sipërfaqja mesatare është 1 hektar për fermer dhe në vitin 2024 kur jemi duke shkuar drejt një teknologjie më të avancuar të mekanikës bujqësore, nuk ka aplikim të mekanikës në 1 hektar. Ne duhet të flasim për 5 apo 10 hektarë, ku fillon të bëjë sens aplikimi mekanike që ul kostot. Ndërkohë, në fillim të vitit lancuam Skemën Kombëtare dhe jo pa qëllim kërkuam të bashkonim jo me letra në pronësi, por me kontrata të pa noterizuara fermerët për një bashkim operatorësh për të marrë 100% të subvencionit të Skemës”, tha Denaj.
“Ndërkohë që ne flasim ka filluar shpërndarja e subvencionit dhe në qoftë se ju filloni e diskutoni me fermerët e çdo zone, të parët që po marrin skemën, janë ata që kanë qenë brenda bashkimit të operatorëve dhe po e marrin 100%. Ky është modeli”, theksoi Denaj.
“Unë jam shumë e gatshme që nëse ka projekte, që kryetari i foli verbalisht, t’i vendosi në një projekt, t’i mbështesim në vijim. Është një zonë shumë e rëndësishmë për bujqësinë shqiptare dhe pjesë e infrastrukturës dhe mbështetjes është edhe infrastruktura e skemave në ujitje dhe kullim”, përfundon Denaj.
(ATSH)