Kina: Tranzicioni i gjelbër gjithëpërfshirës është e sotmja dhe e ardhmja e globit
Modeli i Kinës për tranzicionin e gjelbër po funksionin me rigorozitet dhe kjo falë mbështetjes së pakushtëzuar dhe të plotë politike dhe qeveritare nga nivelet më të larta të vendim-marrjes.
Nga Dr. Enriko Ceko
Tashmë është e dukshme për të tërë se tranzicioni i gjelbër drejt një ekonomie ekologjikisht të qëndrueshme, është një domosdoshmëri. Për të arritur këtë duhen bërë disa zgjedhje, që lidhen kryesisht me sistemin dhe mënyrën e jetesës, që duke gjeneruar në mënyrë të vazhdueshme dhe të qëndrueshme përmirësim të cilësisë së jetës për brezat e sotëm dhe për brezat që vijnë, të mundësojmë përdorim dhe menaxhim shkencor të burimeve natyrore, financiare dhe njerëzore, mbështetur në filozofinë dhe parimet universale të planifikimit, organizimit, drejtimit dhe kontrollit.
Tranzicioni i gjelbër është i nevojshëm sepse garanton që rritja ekonomike të bazohet në përdorimin, shfrytëzimin dhe menaxhimin e burimeve natyrore mbi një themel të qëndrueshëm. Humbja e biodiversitetit dhe ndryshimet klimatike shkaktojnë kosto dhe pasoja të mëdha për ekonominë. Me tranzicionin e gjelbër, ne mund të reduktojmë më shpejt emetimet e elementeve të ndryshme në tokë, ajër he ujë, të reduktojmë në maksimum efektet jo të duhura të mbetjeve urbane, rurale, industrial dhe spitalore, si dhe të zbusim efektet e ndryshimet klimatike, duke ruajtur dhe përmirësuar gjendjen e mjedisit, duke përmirësuar paralelisht avantazhet konkurruese të atyre që aplikojnë këtë tranzicion, si dhe duke ndërtuar një mirëqenie sa më të madhe, e cila shërben edhe si një forcë e re lëvizëse për shoqërinë në rang global.
Pajisjet e energjisë fotovoltaike mbi ndërtesën/CFP
Ndryshimet klimatike dhe humbja e biodoveristetit janë dy nga plagët më të mëdha dhe të rënda me të cilat përballet globi sot dhe kjo kryesisht për shkak të shfrytëzimit pa kriter dhe pa planifikim të burimeve natyrore.
Në Kinë, (1) reduktimi i emetimit të dioksidit të karbonit, (2) reduktimi i përdorimit të hidrokarbureve me origjinë fosile, (3) gjenerimi i sasive më të mëdha të energjisë së pastër, (4) përmirësimi dhe konsolidimi i zinxhirëve të furnizimit, (5) shtimi i investimeve në industritë e gjelbra, (6) edukimi i qytetarëve me konceptet e ekonomisë së gjelbër, (7) kompletimi i forcave të punës me aftësi, njohuri dhe kompetenca “të gjelbra”, për t’u përballur me kërkesat e vendeve të reja të punës që po krijohen dhe do krijohen në të ardhmen në përshtatje me ekonominë e gjelbër, etj, janë disa nga masat që ndërmerren përgjatë këtij tranzicioni, i cili synon që të forcojë edhe sigurinë në rang global.
Në këtë kuadër, ditët e fundit, Kina ka publikuar një sërë masash për të nxitur tranzicionin e gjelbër në mënyrë të gjithanshme ekonomiko – shoqërore, masa që kanë dhe do kenë një ndikim të padiskutueshëm në nivel kombëtar, rajonal dhe global.
Konkretisht, në kuadër të këtyre zhvillimeve, Kina ka bërë rregullime sistematike për një tranzicion të gjelbër sa më gjithëpërfshirës, në nivel kombëtar.
Specifikisht, Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Kinës dhe Këshilli i Shtetit kanë publikuar së fundmi një sërë udhëzimesh për të mbështetur dhe zgjeruar tranzicionin e gjelbër në të gjitha fushat e zhvillimit ekonomik dhe social.
Sipas këtyre udhëzimeve, objektivat kryesore janë që deri në vitin 2030, vendi të arrijë “rezultate të jashtëzakonshme” në tranzicionin e gjelbër, dhe deri në vitin 2035, të arrihet një sistem ekonomik i gjelbër, bazuar në parimet e ekonomisë qarkulluese, me emetim të ulët të dioksidit të karbonit.
Energjia me fuqinë e erës/CFP[/caption]
Optimizimi i zhvillimit dhe mbrojtjes së hapësirës territoriale, promovimi i tranzicionit të gjelbër dhe me karbon të ulët në strukturën industriale dhe sektorin e energjisë, promovimi i tranzicionit të gjelbër në sektorin e transportit, aplikimi i parimeve të tranzicionit të gjelbër në zhvillimin urban dhe rural, etj, mbeten disa nga objektivat e kësaj periudhe.
Objektivat maten me indikatorë, kështu që këto udhëzime të rëndësishme paracaktojnë që (1) deri në vitin 2030, shkalla e industrisë së ruajtjes së energjisë dhe mbrojtjes së mjedisit në vend të arrijë rreth 15 trilion juanë (rreth 2.1 trilion dollarë amerikanë), (2) përqindja e energjisë jofosile të rritet në rreth 25% të konsumit të energjisë, (3) kapaciteti i instaluar i hidroenergjisë së depozitimit të pompuar të kalojë 120 milionë kilovat, (4) intensiteti i emetimit të karbonit të transportit tregtar për njësi të qarkullimit të bjerë me rreth 9.5% krahasuar me vitin 2020, (5) përdorimi vjetor i mbetjeve të ngurta me shumicë të arrijë në rreth 4.5 miliardë tonë, etj.
Kryefjala mbetet “gjithëpërfshirja”.
Ky tranzicioni i gjelbër me fjalën “gjithpërfshirje” nënkupton integrimin e kërkesave të tranzicionit të gjelbër në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik dhe social dhe promovimin e tranzicionit të gjelbër në të gjitha frontet dhe në të gjitha fushat e rajonet.
Sipas Liu Qiong, drejtor i Qendrës Kombëtare të Ruajtjes së Energjisë të Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës, “Përparësitë e reja të zhvillimit të Kinës dhe krijimi i një sistemi ekonomik modern edhe më konkurrues në rang global, janë rezultatet që presim nga ky zhvillim i gjelbër”.
Mjetet që do përdoren në këtë rrugëtim janë (1) inteligjenca artificiale, (2) big data, (3) cloud computer, (4) përdorimi dhe aplikimi i teknologjisë së informacionit, internetit të pakufizuar dhe teknologjive digjitale në sistemet e energjisë, prodhimin industrial dhe bujqësor, transport dhe ndërtim.
Mbështetje shtetërore dhe institucionale do jepet për ndërmarrjet për të përdorur teknologji të gjelbra dhe inteligjente për të transformuar dhe përmirësuar industritë tradicionale dhe për shtimin e zgjerimin e tregtisë elektronike, kryesisht për tregtimin e produkteve të gjelbra.
Në këto udhëzime, për herë të parë janë parashikuar edhe plane sistematike për promovimin e konsumit të gjelbër. Por nga ana tjetër, nga ana e ofertës, kërkohet që të realizohen (1) dizajn i gjelbër, (2) materiale të gjelbra, (3) prodhim i gjelbër, (4) paketimi i gjelbër, (5) logjistikë e gjelbër dhe (6) riciklim, që do ecin paralelisht me përmirësimin e sistemit të akreditimit, çertifikimit dhe etiketimit të këtyre produkteve të gjelbra.
Një nga aspektet kryesore të këtyre zhvillimeve në Kinë është edhe tranzicioni i gjelbër në transport, që tashmë fokusohet në zhvillimin e infrastrukturës miqësore me mjedisin dhe promovimin e automjeteve me emetim të ulët karboni. Për këtë, në udhëzimet e publikuara së fundmi, theksohen dy aspekte: (1) përmirësimi i infrastrukturës ekzistuese në transport dhe investimi në infrastrukturë të re dhe (2) inkurajimi i përdorimit të automjeteve me metim të ulët karboni.
Në lidhje me aspektin e parë, atë të përmirësimit të infrastrukturës ekzistuese në transport dhe investimeve në infrastrukturë të re synimi është që sektori i transportit në tërësi të kthehet në një sektor me emetim të ulët karboni për ta bërë këtë sektor edhe më të gjelbër dhe edhe më inteligjent, duke përmirësuar stacionet, aeroportet, portet dhe autostradat, për të përmirësuar efikasitetin e tyre energjetik dhe për të reduktuar emetimet e karbonit, duke ndërtuar objekte me emetim të ulët ose zero karboni, si për shembull, stacionet e autobusëve, aeroportet, portet dhe zonat e shërbimit të autostradave, si dhe investimin në ndërtimin e sistemeve fotovoltaike përgjatë autostradave, duke zhvilluar sisteme inteligjente të menaxhimit të trafikut urban, duke zgjeruar rrjetet për stacionet e karikimit, stacionet e karburantit me hidrogjen dhe alkool dhe objektet e energjisë përgjatë bregdetit të Kinës dhe padyshim edhe aplikimin e aspekteve të këtij tranzicioni edhe në sistemin e shpërndarjes, në mënyrë që ky sistem të jetë edhe më inteligjent, paralelisht me përmirësimin, shtimin e eficiencës dhe efikasitetit të transportit publik.
Mjedisi i gjelbër në qytetin e Kinës qendrore, Ezhou/CFP
Në lidhje me aspektin e dytë, inkurajimin e përdorimit të automjeteve me emetim të ulët karboni, Kina planifikon të promovojë ndjeshëm automjetet e reja me energji të pastër dhe të nxisë elektrifikimin e sistemeve të transportit publik urban. Kina parashikon adoptim të burimeve të pastra të energjisë në transportin ujor dhe ajror, për të përshpejtuar heqjen graduale të mënyrave të vjetra të transportit dhe për të avancuar transportin e mallrave me emetim zero, duke mbështetur edhe kërkimin shkencor në fushën e karburanteve me emetim zero në transportin ujor dhe ajror dhe përdorimin e këtyre karburanteve.
Këto masa shërbejnë për një tranzicion të gjelbër, për një ekonomi më konkurruese dhe mbeten një model mjaft i përshtatshëm për të tëra vendet që synojnë rrugën e ekonomisë së gjelbër.
Këto zhvillime në Kinë janë në përputhje me të tëra objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara.
Edhe Bashkimi Evropian ka marrë disa masa në lidhje me tranzicionin e gjelbër, duke publikuar disa direktiva të rëndësishme në këtë drejtim.
Vende të ndryshme të botës në të tëra kontinentet, si Brazili, Britania e Madhe, Kanadaja, Australia, etj., po marrin masa të ndryshme për të arritur tranzicionin e gjelbër.
Duket se modeli i Kinës për tranzicionin e gjelbër po funksionin me rigorozitet dhe kjo falë mbështetjes së pakushtëzuar dhe të plotë politike dhe qeveritare nga nivelet më të larta të vendim-marrjes.
Burimi: CRI.CN