Manastirliu: Prioritet absolut plotësimi i standardeve për vitin e ri shkollor

Ministrja e Arsimit dhe Sportit apeloi për një angazhim maksimal dhe përgjegjësi të lartë nga të gjithë aktorët e përfshirë


Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, zhvilloi një takim me inspektorët e zyrave arsimore të drejtorive rajonale, përfaqësuesit e Agjencisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar dhe Qendrës së Shërbimeve Arsimore.

Ky takim kishte për qëllim diskutimin dhe planifikimin e masave për të siguruar që viti i ri shkollor të nisë mbarë dhe të përmbushë standardet më të larta të vendosura për institucionet arsimore në vend.

Ministrja Manastirliu nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe harmonizimit të punës mes institucioneve, për mbarëvajtjen e vitit të ri shkollor.

“Kërkoj nga të gjithë drejtuesit e institucioneve të Agjencisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar, të Qendrës së Shërbimeve Arsimore dhe Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë, një bashkëpunim dhe harmonizim më të mirë të punës tuaj. Është e domosdoshme që të kemi një organizim më efektiv të planit të masave, veçanërisht kur bëhet fjalë për verifikimet, monitorimin dhe inspektimet. Ky harmonizim kërkon që ju të jeni më të shpejtë, më ndërveprues, por mbi të gjitha, më të vendosur në këtë mision të përbashkët për të garantuar standardet më të mira dhe cilësinë më të lartë të sistemit arsimor. Standardet fillojnë të plotësohen vetëm nëse ka një koordinim të ngushtë dhe një përkushtim pa kompromis nga ana juaj,” iu drejtuar Manastirliu inspektorëve dhe drejtuesve te institucioneve arsimore.

Në vijim, Manastirliu theksoi domosdoshmërinë e përforcimit të bashkëpunimit me bashkitë për garantimin e kushteve infrastrukturore në shkolla, veçanërisht për ato që janë në proces rindërtimi ose rehabilitimi.

“Do të kërkoj nga ju që të intensifikoni punën me bashkitë për të siguruar që shkollat të jenë të gatshme për të hapur dyert më 9 shtator në kushtet dhe standardet më të mira. Kjo përfshin jo vetëm mirëmbajtjen e shkollave ekzistuese, por edhe përfundimin e projekteve të rindërtimit apo rehabilitimit në ato shkolla që janë në proces. Pjesa më e rëndësishme e punës suaj është të garantoni që çdo lëndë, në çdo shkollë, qoftë në zonat urbane apo rurale, të jetë e mbuluar nga mësues të kualifikuar. Nuk duhet të lejojmë që asnjë lëndë të mbetet pa mbulimin e duhur, sepse kjo do të dëmtonte cilësinë e arsimit që ne synojmë të ofrojmë për fëmijët tanë,” tha Manastirliu, duke i bërë thirrje inspektorëve të ndjekin nga afër procesin.

Manastirliu vuri gjithashtu theksin te monitorimi dhe inspektimi i shkollave private, duke kërkuar një angazhim të plotë për të siguruar që edhe këto institucione të përmbushin standardet e cilësisë.

“Kërkohet një angazhim 100% nga ana juaj për monitorimin dhe verifikimin në shkollat e arsimit privat dhe kopshte. Ky angazhim duhet të përfshijë monitorimin e infrastrukturës, verifikimin e licencave dhe sigurimin që të gjithë stafet pedagogjike të jenë të çertifikuara dhe të njohura sipas ligjit në fuqi. Fokusi ynë duhet të jetë garantimi i cilësisë së mësimdhënies dhe inspektimi i stafeve pedagogjike në institucionet e arsimit privat, për të siguruar që të gjithë fëmijët, qoftë në shkolla publike apo private, të marrin edukimin e merituar në përputhje me standardet e kërkuara,” theksoi Manastirliu.

Ministrja Manastirliu u ndal edhe te procesi i rëndësishëm i shpërndarjes së librave shkollorë.

“Ditët e fundit të gushtit dhe fillimi i shtatorit janë kyçe për shpërndarjen e librave shkollorë falas. Është e rëndësishme që ky proces të ecë me ritëm, që të gjitha shkollat të jenë të furnizuara në kohë dhe nxënësit të marrin librat e tyre”, theksoi Manastirliu.

Në fund, Manastirliu, apeloi për një angazhim maksimal dhe përgjegjësi të lartë nga të gjithë aktorët e përfshirë, në mënyrë që fëmijët dhe prindërit të kenë besim në sistemin arsimor të vendit.

“Është shumë e rëndësishme që të garantojmë që fëmijët tanë, si dhe prindërit e tyre, të cilët presin standardet më të larta nga sistemi ynë arsimor, të jenë të sigurt se këto standarde do të përmbushen. Puna juaj është kyçe për të siguruar që viti i ri shkollor të fillojë në kushtet më të mira të mundshme dhe të vazhdojë me një cilësi të lartë arsimore përgjatë gjithë vitit”, tha Manastirliu. (ATSH)

Shqipëria në SEPA, Sejko: Kostoja e pagesave 5 herë më e ulët, 20 mln euro kursim vitin e parë

Bordi i Këshillit Evropian të Pagesave miratoi kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në Tregun Unik të Pagesave në Euro, (SEPA)…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Shqipëria në SEPA, Sejko: Kostoja e pagesave 5 herë më e ulët, 20 mln euro kursim vitin e parë

Bordi i Këshillit Evropian të Pagesave miratoi kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në Tregun Unik të Pagesave në Euro, (SEPA)…