Manastirliu: Model i unifikuar i laboratorëve Smart, mbi 35 mijë nxënës përfshihen në kurrikulën e kodimit
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu vizitoi sot shkollën “Qazim Turdiu” për të prezantuar modelin inovativ të laboratorëve Smart, ku mbi 35,000 nxënës të klasave të I, II dhe III do të përfshihen këtë vit në kurrikulën e re të kodimit.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu vizitoi sot shkollën “Qazim Turdiu” për të prezantuar modelin inovativ të laboratorëve Smart, ku mbi 35,000 nxënës të klasave të I, II dhe III do të përfshihen këtë vit në kurrikulën e re të kodimit.
Duke theksuar rëndësinë e aftësimit të fëmijëve me teknologjinë, ministrja Manastirliu tha se ka përfunduar instalimi i 216 laboratorëve Smart në 200 shkolla, të cilët do të jenë funksionalë duke filluar nga viti i ri shkollor.
“Mbi 35 mijë fëmijë të klasave të I, II dhe III këtë vit do të mund të përfshihen në kurrikulën e re të kodimit dhe gjithashtu jemi duke punuar për të riparë të gjithë kurrikulën e aftësimit digjital nga klasa e I deri në klasën e IX, dhe sigurisht edhe për gjimnazin. Për ne është shumë e rëndësishme krijimi i mundësive që fëmijët të aftësohen për botën digjitale dhe, sigurisht, të mund të kompletojmë të gjithë kurrikulën tonë të TIK-ut në mënyrë që të jenë të integruara edhe në lëndë të tjera,” tha Manastirliu.
Ministrja Manastirliu foli gjithashtu për planet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për zgjerimin e këtij projekti në 2025-2026, ku pritet instalimi i mbi 600 laboratorëve të rinj në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme, sipas një modeli të unifikuar, duke ofruar kështu një infrastrukturë të re dhe moderne për arsimin në Shqipëri.
“Ne kemi kompozuar një model të unifikuar të laboratorëve TIK në shkolla dhe besoj se ky do të praktikohet edhe në projekte të tjera që do të kemi për zhvillimin dhe fuqizimin e shkollave për sa i përket laboratorëve TIK dhe atyre të shkencave. Ne jemi duke punuar për instalimin e mbi 600 laboratorëve të rinj në shkollat tona, qoftë në arsimin e mesëm të ulët, qoftë në arsimin e mesëm të lartë, duke filluar nga viti 2025-2026, duke pajisur kështu shkollat me një infrastrukturë të re të teknologjisë, sikurse janë laboratorët Smart,” tha Manastirliu.
Në fund, ministrja foli edhe për trajnimin në vazhdim të mësuesve për t’i pajisur me aftësi teknologjike që kërkon koha.
“Nga shtatori ne fillojmë trajnimin e mësuesve, ku mësuesit e shkencave, mësuesit e TIK dhe mësuesit e ciklit fillor do të përfshihen në një cikël tjetër trajnimi intensiv, që do të vijojë edhe në 2025, me fokus trajnimin e 16 mijë mësuesve për të garantuar kështu rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe zhvillimin profesional të tyre. Tashmë kemi një sistem të ri të karrierës dhe të zhvillimit profesional të mësuesve, duke filluar me sistemin e ri të krediteve dhe trajnimet që do të ofrohen nga vetë institucionet e arsimit të lartë, me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Agjencisë Kombëtare të Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar, bashkë me mbështetjen që po i japim mësuesve përmes rritjes së pagave, e cila tashmë është bërë realitet,” tha Manastirliu.
Gjatë takimit, mësuesit e shkollës “Qazim Turdiu” ndanë mendimet e tyre për funksionimin e laboratorëve Smart në shkolla, rritjen e aftësive të nxënësve dhe cilësisë së mësimdhënies me instalimin e tyre, duke vlerësuar këtë nismë si një hap të rëndësishëm për të ardhmen e arsimit në vend.