Gonxhja: Veprime të koordinuara që produktet shqiptare të jenë konkurruese në tregjet ndërkombëtare
Adresimi i sfidave për “Për konkurrueshmërinë dhe rritjen e aksesit në tregje të produkteve shqiptare me standarde europiane”, ishte kryefjala e mbledhjes së Këshillit të Investimeve.
Adresimi i sfidave për “Për konkurrueshmërinë dhe rritjen e aksesit në tregje të produkteve shqiptare me standarde europiane”, ishte kryefjala e mbledhjes së Këshillit të Investimeve.
Nën drejtimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, pjesë e mbledhjes me anëtarët e Këshillit, ishin anëtarët e KI, përfaqësues nga sektori publik, privat dhe agjencitë për zhvillim si edhe partnerë e vëzhgues të KI.
Gjatë fjalës së tij, Gonxhja theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe dialogut midis qeverisë dhe sektorit privat me fokus konkurrueshmërinë e produkteve shqiptare në tregjet evropiane dhe nevojën për harmonizim me kërkesat e nje tregu me standarde të produkteve të BE.
“Tema që na bashkon sot, “Për konkurrueshmërinë dhe rritjen e aksesit në tregje të produkteve shqiptare me standarde europiane” është tejet aktuale dhe me rëndësi strategjike për zhvillimin e ekonomisë sonë”, tha ai.
Nevojat për kualifikim dhe ekspertizë të shtuar, nevoja për analizë të kostove të larta si edhe shkëmbimi efikas i informacionit mes sektorit publik dhe atij privat, vijoi ai, mbeten ende sfiduese, që kërkojnë angazhim të përbashkët për t’u kapërcyer.
“Qeveria shqiptare, përmes institucioneve që drejtojmë, është e angazhuar plotësisht për të përmirësuar infrastrukturën e cilësisë, për të forcuar kapacitetet e inspektorateve, dhe për të ndihmuar bizneset tona që të përmbushin standardet evropiane. Ky proces ka hyrë tashmë në një drejtim pa kthim, dhe sektori privat shqiptar duhet të jetë i ndërgjegjshëm jo vetëm për t’i adoptuar këto standarde, por për t’i paraprirë këtyre ndryshimeve duke i adoptuar ato paraprakisht. Mbi të gjitha, në këtë mbledhje dua të nënvizoj rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet qeverisë dhe sektorit privat. Vetëm përmes dialogut të hapur dhe veprimit të koordinuar mund të arrijmë që produktet shqiptare të jenë konkurruese në tregjet evropiane dhe më gjerë”, deklaroi Gonxhja.
Më tej ai shtoi se përafrimi me standardet evropiane është thelbësor për integrimin e suksesshëm në BE.
“Në një kohë kur Shqipëria po përparon me shpejtësi drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian, përputhja me standardet evropiane nuk është më thjesht një zgjedhje, por një domosdoshmëri për të siguruar një pjesëmarrje të denjë në tregun unik evropian. Shqipëria mund të negociojë shumëçka me partnerët evropianë në rrugëtimin e integrimit, por standardet e produkteve dhe të shërbimeve nuk janë pjesë e kësaj liste. Ato janë kusht i domosdoshëm për plotësimin e suksesshëm të këtij rrugëtimi”, deklaroi Gonxhja.
Ministri gjithashtu njoftoi per punën qe po behet per krijimin e një portali unik për eksportuesit dhe ftoi pjesëmarrësit të kontribuojnë me ide për adresimin e çështjeve emergjente dhe për të bashkëpunuar në arritjen e objektivave të përbashkëta.
“Së bashku me AIDA-n, kemi filluar të konceptojmë krijimin e një portali unik për të gjithë eksportuesit tanë, ku përtej njohurive mbi mundësitë e tregjeve të huaja, do ofrohet dhe një informacion i përbashkët mbi certifikimet e standardet për produktet e shërbimet e ndryshme, si dhe proceset për përfitimin e tyre”, përfundoi ministri Gonxhja.
(ATSH)