Asambleja Kombëtare Popullore: 70 vite ligjvënie konstruktive, adaptim dhe zhvillim

Më 15 shtator 2024, bëhen plot shtatë dekada nga themelimi i Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës (AKP), gurthemeli i strukturës politike të vendit dhe një arritje thelbësore në evolucionin e qeverisjes së vendit.


Nga Dr. Marsela Musabelliu

Më 15 shtator 2024, bëhen plot shtatë dekada nga themelimi i Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës (AKP), gurthemeli i strukturës politike të vendit dhe një arritje thelbësore në evolucionin e qeverisjes së vendit. Si organi më i lartë i pushtetit shtetëror në Kinë, AKP-ja qëndron në kulmin e sistemit të kongreseve popullore – një sistem që ka luajtur një rol kryesor në formësimin e rrugëtimit politik të Kinës. Si një shtyllë madhore e qeverisjes së Kinës, sistemi i Kongresit Popullor është jashtëzakonisht i rëndësishëm në avancimin e sundimit të ligjit dhe nxitjen e modernizimit të strukturës dhe aftësive qeverisëse të Kinës.

Asambleja Kombëtare Popullore, si organi më i lartë i pushtetit shtetëror është institucioni kryesor legjislativ dhe është në shumë mënyra dhe forma, garantuesi dhe promotori i stabilitetit shoqëror. 70-vjetori i themelimit të AKP-së shënon një moment historik të rëndësishëm në evolucionin politik të Republikës Popullore të Kinës. Që nga fillimet e saj, ka luajtur një rol kryesor në formësimin e sistemit dhe krijimin e themelit për versionin kinez të demokracisë popullore. Pasqyrimi i trajektores historike dhe i arritjeve të saj ofron një kuptim gjithëpërfshirës të rolit qendror që zë në qeverisjen e Kinës.


Pallati i Madh Popullor/CFP

Asambleja Kombëtare Popullore dhe valët e historisë

Që nga 15 shtatori 1954, kur rreth 1200 deputetë u mblodhën në Pekin për seancën e parë të AKP-së, ky organ ka shërbyer si një kornizë kyçe institucionale, duke i mundësuar Kinës të ketë një rritje ekonomike të paprecedentë dhe të sigurojë stabilitet social afatgjatë. Përmes kësaj strukture Kina ka nxitur atë që njihet si “demokracia popullore e gjithë procesit”, një mekanizëm thelbësor për qeverisjen gjithëpërfshirëse. Në 70 vitet e fundit, sistemi i kongreseve popullore ka pësuar reforma të rëndësishme dhe progresi legjislativ i Kinës ka qenë i jashtëzakonshëm. Më 1 korrik 1979, në seancën e dytë të AKP-së së Pestë, u miratuan shtatë ligje historike, duke përfshirë Ligjin Penal dhe Ligjin për Ndërmarrjet e Përbashkëta të Kapitalit Kinez-Të Huaj. Ky moment shënoi kthimin e Kinës në rrugën e reformës ligjore, duke sinjalizuar një epokë të re hapjeje dhe modernizimi socialist. Parimi themelor i sistemit të kongreseve popullore është mbikëqyrja dhe kontrollet e rrepta të vendosura mbi të gjitha organet dhe funksionarët shtetërorë. Sipas Kushtetutës, të gjitha organet administrative, mbikëqyrëse, gjyqësore dhe prokuroriale e marrin autoritetin e tyre nga kongreset popullore dhe mbajnë përgjegjësi para tyre.


Seanca e parë e legjislaturës së 14-të Asamblesë Kombëtare Popullore/CFP

Në korrik 2015, Komisioni i Çështjeve Legjislative i Komitetit të Përhershëm të AKP-së mori një masë të rëndësishme për të kapërcyer hendekun legjislativ midis AKP-së dhe bazës. Për të kërkuar opinione nga baza dhe njerëz nga të gjitha sferat e jetës mbi projektligjet dhe punën legjislative, u krijua një grup i zyrave lokale të kontaktit legjislativ, duke ofruar një platformë për komunitetet dhe individët për të shprehur shqetësimet e tyre legjislative dhe për të reflektuar opinionet sociale.

Në vitet 1940, Partia Komuniste e Kinës prezantoi metoda novatore votimi si sistemi i “votimit me fasule” në zonat rurale (ku banorët që nuk dinin të lexonin mund të votonin duke hedhur fasule në tasat prej porcelani të vendosura pranë emrave të kandidatëve). Sot, kalimi në votime ka modernizuar sistemin, por të drejtat thelbësore demokratike mbeten të paprekura. Mbi 99 përqind e qytetarëve kinezë mbi moshën 18 vjeç kanë të drejtë të votojnë, me 94 përqind të zgjedhjeve të zhvilluara drejtpërdrejt.

Një qasje konceptuale për AKP-në

Ndërthurja harmonike e aspiratave kombëtare, shoqërore dhe individuale – ky është qëllimi përfundimtar i një përfaqësie politike të suksesshme. Theksi mbi institucionet është parësor në ndërtimin e një vendi të begatë dhe Kina zotohet përherë të përforcojë demokracinë popullore gjithëpërfshirëse në mënyrë që të arrijë këtë qëllim. AKP-ja, si organi më i lartë i pushtetit shtetëror, u krijua për të mishëruar parimin e sovranitetit popullor. Themelimi i saj ishte një hap kyç institucional drejt konsolidimit të kombit pas themelimit të Republikës Popullore të Kinës në vitin 1949, duke siguruar një kuadër legjislativ koherent që do të ishte në gjendje të mbështeste transformimin e shpejtë socio-ekonomik.


Përfaqësuesit e kombësive të ndryshme të AKP-së/CFP

Parimi i demokracisë popullore që mbështet AKP-ja është ndërtuar rreth idesë se shteti dhe populli duhet të jenë të ndërlidhur. Kjo reflektohet në procesin legjislativ, ku konsultimi publik dhe kontributi i ekspertëve janë përfshirë gjithnjë e më shumë. Për shembull, përpara se Komiteti i Përhershëm i AKP-së të miratojë ligje të reja, draftet shpesh lëshohen për komente publike, duke i lejuar qytetarët të shprehin mendimet e tyre dhe të kontribuojnë në procesin legjislativ. Kjo përfaqëson një formë më ndërvepruese të qeverisjes, e krijuar për të siguruar që ligjet jo vetëm të jenë të vlefshme në miratimin e tyre, por edhe të rezonojnë me shqetësimet praktike të popullatës kineze.

Sistemi politik i Kinës siguron që përfaqësuesit në AKP dhe në kongreset lokale të zgjidhen përmes një procesi transparent, duke i bërë ata të përgjegjshëm ndaj njerëzve. Ky nuk është thjesht një gjest simbolik – filozofia e qeverisjes së Kinës i vendos njerëzit në qendër, me sistemin e kongresit që siguron që zërat e tyre të dëgjohen dhe të kthehen në ligje dhe politika të prekshme. Ushtrimi i pushteteve legjislative, mbikëqyrëse dhe administrative është i rrënjosur fort në parimet demokratike.

Evolucioni i sistemit legjislativ në Kinë

Gjatë shtatëdhjetë viteve të fundit, AKP-ja ka funksionuar si organi kryesor legjislativ, përgjegjës për miratimin e ligjeve, miratimin e buxheteve dhe mbikëqyrjen e punës së Këshillit të Shtetit, Presidentit dhe organeve të tjera të rëndësishme shtetërore. Duke qenë se organi që i është besuar kompetenca për të ndryshuar Kushtetutën, autoriteti është i pashembullt brenda sistemit politik të Kinës.

Evolucioni i sistemit legjislativ të Kinës nën AKP-në është një nga arritjet e tij më të dukshme. AKP-ja operon me një sistem delegimi legjislativ përmes Komitetit të Përhershëm, i cili mblidhet gjatë gjithë vitit për të kryer punë legjislative dhe mbikëqyrëse kur AKP-ja e plotë nuk është në seancë. Kjo strukturë ka mundësuar që procesi legjislativ kinez të mbetet efikas dhe i përgjegjshëm ndaj nevojave të kombit, pavarësisht nga madhësia dhe kompleksiteti i tij i madh. Në dekadat e fundit, AKP-ja është bërë më proaktive në adresimin e sfidave të sjella nga modernizimi, duke përfshirë hartimin e ligjeve për të adresuar rregullimin e tregut, zhvillimin teknologjik dhe mbrojtjen e mjedisit, e shumë të tjera. Në fushën e përfaqësimit, AKP-ja ka punuar për të mishëruar konceptin e Kinës për “demokracinë e njerëzve të gjithë procesit”. Ky sistem, sipas teorisë politike kineze, siguron përfaqësim më të gjerë nga të gjithë sektorët, duke përfshirë punëtorët, fermerët dhe intelektualët. Me kalimin e kohës, AKP-ja ka kërkuar të zgjerojë dhe të diversifikojë përfaqësimin për të siguruar që anëtarët e saj të reflektojnë demografinë dhe interesat e popullsisë së vendit, të cilat përfshijnë pakicat etnike, gratë dhe përfaqësuesit rajonalë.

Një tjetër arritje e rëndësishme është roli i saj në legjitimimin dhe institucionalizimin e reformave të mëdha politike. Që nga periudha e reformës dhe hapjes AKP-ja ka qenë qendrore në miratimin e ligjeve që kanë mundësuar transformimin e Kinës në ekonominë e dytë më të madhe në botë. Nga reformat ekonomike të viteve 1980 deri në fokusin më të fundit në inovacionin dhe qëndrueshmërinë, ka qenë instrumentale në formësimin e politikave që e kanë lejuar Kinën të avancojë pa u ndalur drejt një zhvillimi të qëndrueshëm.

Për më tepër, puna legjislative e AKP-së ka kontribuar në stabilitetin kinez. Duke përditësuar dhe rishikuar vazhdimisht ligjet për t’iu përshtatur nevojave në zhvillim të shoqërisë, ajo ka ruajtur një vazhdimësi thelbësore që ka kontribuar në stabilitetin afatgjatë politik dhe social të Kinës. Zhvillimi i një sistemi ligjor gjithëpërfshirës ka qenë një gur themeli në këtë përpjekje, veçanërisht në fusha si e drejta civile, të drejtat pronësore dhe kontratat, të cilat kanë ndihmuar në nxitjen e një mjedisi të favorshëm për zhvillimin ekonomik.

Organet ekzekutive, organi mbikëqyrës, gjyqësori dhe prokuroria – të referuara si “një qeveri, një komision dhe dy gjykata” (Këshilli i Shtetit, Komisioni Mbikëqyrës Kombëtar, Gjykata e Lartë Popullore dhe Prokuroria e Lartë Popullore) – janë krijuar dhe janë përgjegjës para AKP-së, e cila gjithashtu ushtron mbikëqyrje mbi to.


Seanca e 5-të e legjislatura e 12-të e Asamblesë Kombëtare Popullore/CFP

Edhe pse këto organe kanë përgjegjësi të dallueshme, nuk ka një ndarje të qartë të pushteteve ndërmjet tyre. Në të kundërt, në sistemet politike perëndimore, legjislativi, ekzekutivi dhe gjyqësori janë të pavarur nga njëri-tjetri. Sistemi kinez integron këto degë të qeverisjes që janë përgjegjëse ndaj AKP-së, duke siguruar si unitetin ashtu edhe ndarjen e koordinuar të punës. Kjo qasje është mjaft unike dhe më efektive, duke reflektuar praktikat dhe zhvillimin historik dhe politik të Kinës.

Si përfundim, gjatë shtatë dekadave, AKP-ja ka dëshmuar të jetë një institucion i aftë për t’iu përgjigjur nevojave të Kinës duke siguruar që qeverisja të mbetet e rrënjosur në parimet socialiste. Ndikimi i saj është ndjerë jo vetëm në arritjet legjislative, por edhe në aftësinë për të përfaqësuar denjësisht zërat e ndryshëm të popullit kinez, duke shërbyer si një shtyllë bazë në strukturën e qeverisjes kineze për dekadat e ardhshme.

Sistemi politik i Kinës ashtu sikurse AKP-ja janë produkt i historisë dhe kulturës unike të vendit. Ndryshe nga modele të tjera, që p.sh. ndajnë pushtetet, sistemi i Kinës integron këto funksione duke i mbajtur ato të dallueshme, por bashkëpunuese. Ky model shihet si më i lidhur me realitetet politike dhe sociale të Kinës. Demokracia konsultative e Kinës siguron që vendimet kryesore të merren përmes diskutimeve të gjera dhe ndërtimit të konsensusit. Këto procese plotësojnë njëra-tjetrën, duke formuar një sistem të balancuar qeverisjeje.

Burimi: CRI.CN

Shqipëria ngjitet me 23 vende në Indeksin Global të Sigurisë Kibernetike 2024

Në raportin e fundit të publikuar nga ITU, Shqipëria ka bërë një përparim të jashtëzakonshëm duke u ngjitur me 23…

Global 360

Kurti pas takimit me Spiropalin: Diskutuam mbi bashkëpunimin e gjerë dhe të fuqishëm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me kryeparlamentaren e Shqipërisë Elisa Spiropali

Diplovista

Rakipi: Bisedimet Kosovë-Serbi të përqendrohen tek njohja, jo më në çështje teknike

Kryetari i Institutit për Studime Ndërkombëtare Albert Rakipi thotë se ka ardhur koha për një qasje tjetër në dialogun mes…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

A duhet të armatoset Shqipërie!

Sot Bota është një vend më i rrezikshëm se para 30 vitesh, shumë më i frikshëm se para tre vjetësh…

Profil

Një emër i njohur i elitës intelektuale dhe politike të çerekshekullit të fundit

75-vjetori I lindjes -- Rrugëtimi i Z. Koçi Tahiri nga galeritë e Bulqizës në sallën e legjislativit shqiptar (2017-2021)

Masmedia

Shqipëria ngjitet me 23 vende në Indeksin Global të Sigurisë Kibernetike 2024

Në raportin e fundit të publikuar nga ITU, Shqipëria ka bërë një përparim të jashtëzakonshëm duke u ngjitur me 23…