Ndryshimet në buxhet, Malaj: Për të shtyrë përpara investime në infrastrukturë, bujqësi, arsim e shëndetësi
Kuvendi nisi diskutimet për ndryshimet në buxhetin e vitit 2024, miratuar me një Akt Normativ në fund të muajit gusht.
Kuvendi nisi diskutimet për ndryshimet në buxhetin e vitit 2024, miratuar me një Akt Normativ në fund të muajit gusht.
Ministri i Financave, Petrit Malaj u shpreh se Akti Normativ ka në fokus kryesor reflektimin në buxhetin vjetor të disa rishikimeve në zërat e të ardhurave dhe shpenzimeve buxhetore, të cilat synojnë përmirësimin e parametrave të ekzekutimit të buxhetit 2024, në drejtim të përditësimit të projeksioneve të treguesve të konsoliduar për periudhën 2024-2026.
Malaj argumentoi se disa prej çështjeve emergjente që adresohen përmes miratimit të Aktit Normativ, lidhen me nevojën për të shtyrë përpara investime të rëndësishme në infrastrukturë, bujqësi, arsim e shëndetësi; zbatimin në kohë të Kodit të ri Zgjedhor, pasi përmes Aktit financohet elementi që ka të bëjë me procesin e regjistrimit të zgjedhësve jashtë vendit; nevojën për të nxitur më tej sektorin e bujqësisë nëpërmjet skemave të reja për subvencionimin e fermerëve, etj..
Po ashtu, ministri nënvizoi se ndryshimet e propozuara në Aktin Normativ do të vijojnë të sigurojnë stabilitetin e parametrave kyç makro-fiskal e buxhetorë, krahas garantimit të trajektores rënëse të nivelit të borxhit publik në raport me PBB, duke siguruar kësisoj vijimësinë e konsolidimit fiskal dhe qëndrueshmërinë afatmesme dhe afatgjatë të financave publike.
Ministri theksoi se Akti Normativ siguron rritjen me rreth 27.3 miliardë lekë të të ardhurave buxhetore, ku vetëm të ardhurat tatimore rriten me 19.2 miliardë lekë, rritjen po me 27.3 miliardë lekë të shpenzimeve buxhetore, si dhe ruajtjen të pandryshuar në masën 57.3 miliardë lekë të defiçitit buxhetor.
“Rishikimi i dytë i buxhetit për vitin 2024, të cilin qeveria e miratoi në datën 28 Gusht në formën e një Akti Normativ, ka në fokus kryesor reflektimin në buxhetin vjetor të disa rishikimeve në zërat e të ardhurave dhe shpenzimeve buxhetore, të cilat synojnë përmirësimin e parametrave të ekzekutimit të buxhetit 2024, në drejtim të përditësimit të projeksioneve të treguesve të konsoliduar për periudhën 2024-2026. Më konkretisht, ky Akt siguron rritjen me rreth 27.3 miliardë lekë të të ardhurave buxhetore, ku vetëm ato tatimore rriten me 19.2 miliardë lekë, rritjen në të njëtën masë, me 27.3 miliardë lekë, të shpenzimeve buxhetore, ruajtjen të pandryshuar në masën 57.3 miliardë lekë të defiçitit buxhetor”, deklaroi ai.
Akti Normativ synon shpenzime edhe në krahun e investimeve duke alokuar fonde drejt sektorëve prioritare. Sipas ministrit Malaj, 450 milionë lekë do të shkojnë drejt sektorit të arsimit, kryesisht për shpenzimet e personelit si dhe fianncimin e projekteve komunitare apo shpërblimin e sportiestëve elitarë.
“Shpenzimet publike për arsimin zënë 3.2 % të PBB. Vetëm në 2024-ën janë alokuar 78.9 miliardë lekë, kur në 2013-ën këto shpenzime ishin 44.1 miliardë lekë. Shqipëria është ndër vendet me shpenzimet më të larta në rajon për arsimin, në raport me shpenzimet publike”, tha Malaj.
Ministri po ashtu theksoi se alokime fondesh janë bërë edhe në drejtim të sektorit të shëndetësisë.
Sipas tij, kemi financim shtesë në masën 250 milionë lekë për projekte të reja në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, me qëllim financimin e projekteve të investimeve për ndërtim apo rikonstruksion të spitaleve dhe qendrave shëndetësore në rang vendi.
(ATSH)