Balluku në Forumin Global të Dialogut në Berlin: Investitorë gjermanë, të interesuar për Shqipërinë
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku mori pjesë në Forumin Global të Dialogut në Berlin ishte e ftuar në një bashkëbisedim të ngushtë me Lars Hendrik Roller.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku mori pjesë në Forumin Global të Dialogut në Berlin ishte e ftuar në një bashkëbisedim të ngushtë me Lars Hendrik Roller. Balluku tha se në këtë bashkëbisedim ndau progresin e Shqipërisë në lidhje me sektorë të rëndësishëm si turizmi dhe numrat rekord të sezonit të fundit, zhvillimin infrastrukturor dhe projektet kryesore të Korridoreve rrugore dhe hekurudhore, dhe sigurisht rrugëtimin drejt integrimit në BE, i cili duke nisur nga nesër shndërrohet në një realitet të pakthyeshëm.
“Jemi krenar që vendi ynë po afirmohet gjithnjë e më shumë si një aktor i rëndësishëm në rajon dhe në skenën ndërkombëtare”, u shpreh ajo në rrjetet sociale ndërsa ndau pamje nga forumi.
Balluku ishte e pranishme në forumin e Berlinit së bashku me ministrin e Financave dhe ministren e Turizmit dhe Mjedisit, për të diskutuar me të gjithë partnerët e tjerë për sa i përket sfidave të mëdha që ka tashmë Europa, por sigurisht edhe vendet e vogla, ashtu siç klasifikohet Shqipëria, Luksemburgu, Hungaria dhe vende të tjera.
“Mora pjesë në disa nga këto panele për të diskutuar dhe për të dhënë eksperienca më të mira që Shqipëria tashmë po aplikon, si për industrinë e turizmit ashtu dhe për t’u bërë sa më tërheqëse për investitorët e huaj”, u shpreh Balluku në një videomesazh.
Balluku tha se, gjatë ditës së sotme pati mundësinë të bisedonte edhe me një pjesë të investitorëve gjermanë të cilët janë të interesuar për të investuar në vendin tonë dhe për t’i informuar ata për të gjithë skemat e taksimit apo dhe të gjithë incentivat që po aplikohen në vend.
“Dialogu Global i Berlinit mbetet një nga forumet më të rëndësishme dhe Shqipëria nuk duhet të humbasë asnjë rast për të promovuar veten e saj në të gjitha këto forume ndërkombëtare dhe për të bërë të ditur për të gjithë investitorët e huaj se tashmë vendi plotëson çdo kusht për t’u konsideruar si një vend i Bashkimit Europian, duke pasur dhe parasysh hapjen e negociatave që ne presim në ditët në vijim”, deklaroi ajo.
(ATSH)