Hidhërim për njeriun që ikën!
QKLL-ja organizoi një takim në kujtim të Adrian Beshajt, përkthyes i njohur dhe pedagog, që u nda para kohe.
Nga Ardian Vehbiu
***
Këto ditë QKLL-ja organizoi një takim në kujtim të Adrian Beshajt, përkthyes i njohur dhe pedagog, që u nda prej nesh para kohe.
Më kishin ftuar të them dy fjalë për të, ngaqë Beshaj ka qenë bashkëpunëtor i revistës sonë “Peizazhe të fjalës”, me një seri shkrimesh të çmuara, për çështje të normës leksikore në shqipen e sotme.
Ata që më ftuan, nuk e kishin ditur që Adin – ose “Beshon” siç e quanin miqtë dhe siç e quaja edhe unë – e kisha pasur student, në vitet e largëta 1980.
Ka qenë viti i parë kur fillova të mbaj një kurs me studentë të gjuhës dhe të letërsisë italiane – nuk kisha shumë kohë që isha diplomuar edhe unë vetë.
Nuk i përmbushja kriteret për atë mision; por katedra kish nevojë për pedagogë dhe unë kisha nevojë të kthehesha njëfarësoj në Fakultet.
E mbaj mend grupin e Beshos – të gjithë të shkëlqyer. Me disa prej tyre e kam ruajtur miqësinë edhe sot: Rando Devolen dhe Edmond Çalin. Të tjerë i kujtoj me mall. Ishte grup i rrallë, i pazakontë.
Ngaqë unë vetë isha i ri në atë punë, dhe më ish dashur t’i sajoja nga hiçi leksionet e mia të “leksikologjisë së italishtes”, përballë mendjesh të ndezura, me pasion të veçantë për gjuhën dhe kulturën italiane, më dukej ndonjëherë sikur isha unë studenti dhe ata mësuesit.
U krijua një kimi mes nesh, që më pas nuk do të përsëritej më – të paktën për mua, si pedagog.
Bukuria e atij grupi të vogël – ishin, më duket, vetëm tetë – ishte te marrëdhëniet që kishin mes tyre; pa folur pastaj që italishtja i kish bërë nga pak italianë, dhe kjo i afronte më shumë me mua, italofilin.
Beshoja shquhej një nga më të mirët mes të mirëve: i saktë, i ditur, i qetë, i sjellshëm, fisnik. Nga ata djem që, në rrethana të tjera, do ta kisha shok.
Ishte viti akademik 1986-1987. Në pranverë herët, erdhi lajmi se qeveria italiane kish dhënë dy bursa, për të studiuar filologji italiane, në “La Sapienza”.
Dy bursa, për tetë studentë. Për grupin, dy goditje me thikë.
E kujtoj mirë se çfarë do të thoshte, në atë kohë, të mund të shkoje të studioje në Perëndim; e kisha pasur vetë atë ëndërr, që nuk m’u realizua.
Siç e marr mend se çfarë do të thoshte, për një student të italishtes, që të mund të shkonte dhe t’i vazhdonte studimet në Romë.
Kur u bënë të njohur emrat e “fituesve”, ra hije e akullt mes grupit. Shansi që iu dha dyve prej tyre, për të kaluar andej, ishte si fermani që mbërrin papritur një mëngjes te një burg i sigurisë së lartë, për t’u dhënë lirinë dy të dënuarve.
Përzierja e gëzimit me dëshpërimin mund të çmendë.
Edhe pse Beshoja do ta kish merituar, njëlloj si dy fatlumët, që të shkonte edhe ai në “La Sapienza”, jam i bindur, si për veten time, se jeta e përditshme, me gëzimet e vogla dhe ngushëllimet e mëdha, ia kish mbajtur larg mundësinë e këtij realiteti.
Por befas, lotaria që fituan dy shokët e tij, ia dha kumtin se ai vetë e kish humbur këtë shans përfundimisht. Pikërisht ngaqë kish qenë aq afër: një në tetë, ndoshta diçka më shumë se aq.
Njeriu mendon, në këto rrethana, sa i pafuqishëm është, kur vjen puna për ngjarje dhe zgjedhje të tilla, që ta ndryshojnë jetën me themel.
Sa i pafuqishëm ishte atëherë, kur i njëjti regjim që të fuste në burg për hiçgjë, të dërgonte edhe në parajsë, sërish për hiçgjë.
Fati i Beshos ishte vendosur në ndonjë zyrë, dosje mes dosjesh, mbase edhe thjesht ngaqë nuk kishte pasur bursa për të gjithë.
Për një kombinim sërish burokratik, atë vit edhe mua më dhanë një bursë – njëvjeçare – për të shkuar në Itali; dhe në Romë ndava apartamentin, dhe miqësinë e paharrueshme, me dy bashkëstudentët e Beshos.
Në një univers paralel, do të kisha qenë në një apartament me të. Do të kishim hypur në të njëjtat autobusë dhe do të kishim shkuar të bënim pazarin tek e njëjta “Standa”, në Via Tiburtina.
Nuk ndodhi.
Gjykoj se Beshoja u thye atëherë; dhe nuk rikuperoi dot. U ndodh përballë pafuqisë së vet për të zgjedhur, dhe kjo e rrëzoi.
Iu bashkua armatës së trishtuar të së gjithë të talentuarve, të mençurve, të diturve, të zotëve, që regjimi nuk i lejoi të realizonin veten. Sa mijëra prej tyre nuk u lanë të ndiqnin shkollën e lartë, për arsye politike? Sa ishin ata që edhe thjesht mundësinë për të ndjekur studimet në degën e italishtes, në Tiranë, e shihnin si të paarritshme?
Italia ishte aq e pranishme në Shqipëri në ato vite: me muzikën, me televizionin, me filmat, me revistat, me “plaçkën” që sillnin ata që ktheheshin prej andej. Për studentët e italishtes, Italia këndonte si sirenat për Uliksin dhe bashkudhëtarët e tij.
Ato dy bursa, që i mbërritën një grupi studentësh të lumtur ishin si dy tapat prej dylli, që ua hoqën atyre nga veshët – madje edhe të dyve që te sirenat shkuan dhe pastaj ndenjën me to.
Pas vitit 1990, nuk e pashë më Beshon. E dija që ishte bërë përkthyes nga më të kërkuarit, për shtëpitë botuese në Tiranë. Unë jam vetë përkthyes, dhe gjithnjë këtë profesion e shoqëroj me fatin e të gjithë atyre njerëzve të mësuar e të ditur, që iu kthyen përkthimit, pasi pushteti ndërroi duart, në Tiranë, në vitin 1945.
Për mua ka gjithnjë diçka të deklasuar, te përkthyesi; edhe tek ai që e bën punën me pasion dhe përkushtim. Më duket sikur gjithnjë do të kish dashur të bënte diçka tjetër, dhe përkthimi është vetëm një zgjidhje praktike, një zëvendësim i një dëshire të parealizuar.
Paradoksi që ky profesion i cili – në një kuptim – e ka krijuar dhe vazhdon ta krijojë kulturën shqiptare, duke i dhënë asaj botën, të vijë si efekt anësor i një trishtimi.
Dëgjova, në përkujtimore, që Beshoja kishte 17 libra të përkthyer, në Panairin e fundit të librit; shqipja e tij qarkullonte e kumbonte në mendjet e mijëra lexuesve. Siç edhe do të vazhdojë.
E di që ishte sëmurë rëndë dhe që ikjen ia kish paralajmëruar trupi; por prapë nuk mund t’ia largoj vetes dyshimin se Beshoja u godit për vdekje që atë ditë kur mësoi se dikush tjetër ish zgjedhur, në vend të tij, për të marrë bursën italiane.
Fati i tij ishte një nga ato krime të heshtura, me të cilat regjimi mbushte përditshmërinë e vet të mjerë, në një shtet të mbledhur kruspull në hijen e vet.
Mbase e mendoj kështu, ngaqë edhe unë pata dëshiruar aq shumë, kur isha student, që të përfitoja një nga ato pak bursa që mbërrinin në anët tona. U pat folur për një mundësi për të shkuar në Vjenë…
Edhe unë u godita rëndë, në mënyrën time. Kjo më bëri aq empatik, ndaj atyre studentëve të mi, të cilët mund ta kishin marrë një bursë, por nuk arritën.
Nuk ia lejojmë vetes zilinë, për fatin e mirë të një shoku të afërt, të një bashkudhëtari, të një kolegu; por zilia vjen gjithsesi, edhe kur e gjen derën të mbyllur; dhe njëlloj vret tinëzisht.
Disa nga këto gjëra i rrëfeva në takim; të tjera i mbajta për vete. Nuk jam i sigurt nëse të tjerët do t’i gjejnë po aq të dhimbshme sa ç’janë për mua.
Në fytyrat e familjarëve të Beshos, që kishin ardhur në takimin përkujtimor, zbuloja pareshtur gjurmë të ish-studentit dhe mikut tim. Kish ardhur njëfarësoj edhe ai atje, për të dëgjuar ndjenjën tonë të fajit, edhe pse të mbuluar me pikëllim.
Do ta kujtoj, Beshon.