Edukimi financiar, në kurrikulën e arsimit parauniversitar
Rreth 60 të rinj gjimnazistë nga qarqet e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit, u bënë pjesë e aktivitetit “Shkolla Rinore për Edukimin Financiar”, që u zhvillua në ambientet e Bankës së Shqipërisë.
Rreth 60 të rinj gjimnazistë nga qarqet e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit, u bënë pjesë e aktivitetit “Shkolla Rinore për Edukimin Financiar”, që u zhvillua në ambientet e Bankës së Shqipërisë.
Aktiviteti dyditor u organizua në kuadër të nismës së Qeverisë Shqiptare për përmirësimin e edukimit financiar në arsimin parauniversitar nga Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Bankën e Shqipërisë dhe aktorë të tjerë. Programi edukues synoi t’i ndihmojë të rinjtë të përvetësojnë aftësi të qëndrueshme financiare. Bazuar në inpaktin dhe suksesin e tij, ky program pilot i edukimit financiar për të rinjtë, në të ardhmen, mund të shtrihet në shkallë kombëtare dhe të përfshihet në kurrikulat e shkollave parauniversitare.
Edukimi financiar është thelbësor për t’i ndihmuar të rinjtë të ndërtojnë një marrëdhënie të qëndrueshme me financat që në moshë të hershme. Duke mësuar për kursimet, menaxhimin e parasë dhe shpenzimet, ata bëhen më të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm për vendimet financiare që ndikojnë të ardhmen e tyre. Kjo i ndihmon të shmangin vështirësitë ekonomike dhe të zhvillojnë strategji të qëndrueshme financiare.
Të pranishmit u përshëndetën nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, dhe ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi.
Gjatë fjalës së tij, Guvernatori u shpreh se angazhimi i Bankës së Shqipërisë në fushën e edukimit financiar ka nisur herët dhe ka pasur një rritje konstante, me një gamë të gjerë produktesh e programesh edukative dedikuar grup-moshave të ndryshme, e kryesisht brezit të ri. Ai veçoi modulin me zgjedhje të lirë “Financat personale në duart tuaja”, i cili është pjesë e kurrikulës mësimore që në vitin 2011 dhe mund të zgjidhet nga gjimnazistët në çdonjërin prej 3 viteve të shkollës së mesme, ku deri më sot, janë shpërndarë rreth 100 000 kopje të këtij teksti shkollor tërësisht falas, në të gjithë vendin.
Ai theksoi se për bankën qendrore, edukimi financiar i të rinjve luan një rol vendimtar në rritjen e mbrojtjes financiare të tyre si konsumatorë të ardhshëm, dhe investimi i koordinuar i institucioneve tona në këtë fushë jo vetëm sjell benefite për individët, por edhe promovon një ekosistem financiar më të shëndetshëm. Një i ri i pajisur me kulturë financiare ka njohuritë e nevojshme për të marrë vendime të shëndosha financiare dhe kjo çon në një qëndrueshmëri më të lartë karshi ngjarjeve të paparashikueshme të jetës.
Më tej, ai shtoi se edukimi financiar luan një rol të rëndësishëm në jetën e një të riu, duke i ofruar atij njohuri dhe aftësi të rëndësishme, që i vijnë në ndihmë për menaxhimin efektiv të parave të tij si dhe i zhvillojnë një ndjenjë përgjegjësie dhe llogaridhënieje sa i përket financave. Sejko theksoi se kultura financiare u siguron të rinjve themelin për të ndërtuar një të ardhme të sigurt financiare.
Ministrja Muzhaqi vuri në dukje se, ” Edukimi financiar për fëmijët dhe të rinjtë është shumë më tepër se thjesht njohuri mbi buxhetin dhe kursimin, ai përfaqëson një themel të rëndësishëm për të ndërtuar të ardhmen e tyre në një botë gjithnjë e më digjitale”.
Sipas Ministres Muzhaqi, “Shkolla Rinore për Edukimin Financiar,” si pjesë e një nisme më të madhe për një program gjithë përfshirës për edukimin financiar në arsimin parauniversitar na jep mundësinë të çojmë përpara edukimin financiar për të rinjtë duke filluar nga menaxhimi i kursimeve dhe shpenzimeve deri te përdorimi i platformave digjitale për financat personale.
Aktiviteti vijoi me diskutimin e temave kryesore si: roli i Bankës së Shqipërisë dhe edukimi financiar, menaxhimi i kursimeve dhe shpenzimeve, ndërtimi i një marrëdhënie pozitive me paratë, karriera në fushën e financave, etj.
Në përfundim të programit dyditor, u organizua ceremonia e certifikimit, ku gjimnazistëve pjesëmarrës iu shpërndanë certifikata për përfundimin me sukses të seminareve.
(ATSH)