KQZ propozon votim elektronik në qarqet Durrës dhe Elbasan
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka propozuar votim elektronik në qarqet Durrës dhe Elbasan për zgjedhjet parlamentare që pritet të mbahen vitin e ardhshëm.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka propozuar votim elektronik në qarqet Durrës dhe Elbasan për zgjedhjet parlamentare që pritet të mbahen vitin e ardhshëm.
Në një shkresë zyrtare drejtuar partive politike, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka argumentuar edhe pamundësinë për zhvillimin elektronik në 5 qarqe.
Sipas Celibashit, është koha e pamjaftueshme për përgatitjen e gjithë elementëve teknik dhe njerëzor për zhvillimin e këtij lloj votimi në këtë numër qarqesh.
“Periudha nga sot deri në datën 20 Prill 2025 që është data e parë e mundshme e zhvillimit të zgjedhjeve në fjalë, apo deri në datën 11 Maj 2025 që është data e fundit e mundshme për zhvillimin e zgjedhjeve të vitit 2025, është e pamjaftueshme për përgatitjen e gjithë elementëve teknik dhe njerëzor për zhvillimin e këtij lloj votimi në këtë numër qarqesh. Gjithsesi duke vlerësuar interesin dhe dobinë për shtrirjen graduale të votimit elektronik, KQZ për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë për vitin 2025, propozon zhvillimin e kësaj mënyre votimi vetëm në qarkun e Elbasanit dhe në atë të Durrësit”- njofton Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve.
Duke ju referuar votimit elektronik në shumicën e qendrave të votimit në qarkun e Elbasanit, në zgjedhjet e lokale të 14 majit të vitit të kaluar, Celibashi kërkon nga partitë politike të “vlerësohet me dobi dhe interes shtrirja e votimit elektronik, është me kuptim që më së pari ai të shtrihet në ato njësi zgjedhore ku një pjesë e votuesve të kësaj njësie e kanë një eksperiencë të mëparshme me këtë lloj votimi”.
Po ashtu, Celibashi rekomandon zhvillimin e votimit elektronik në qarkun e Durrësit. Kjo sipas kryekomisionerit për lehtësitë logjistike dhe njerëzore që ofron ky qark krahasuar me qarqe të tjerë të vendit.
“Durrësi për shkak të terrenit gjeografik, infrastrukturës rrugore dhe asaj tjetër, distancës me Tiranën (KQZ-në), mundëson një përgjigje më të mirë nga ana e këtij institucioni për përgatitjen, zhvillimin dhe administrimin e votimit elektronik. Nga ana tjetër ky lloj votimi kërkon angazhimin e një numri të madh njerëzish në terren. Praktika e identifikimit elektronik ka treguar se për qarkun e Durrësit në përgjithësi rekrutimi i personelit të posaçëm për këto procese administruese zgjedhore është më pak sfidues se në shumë qarqe të tjerë. Numri dhe natyra e punës që kryen personeli që do të angazhohet me votimin elektronik është thuajse e njëjtë me atë të identifikimit elektronik.” – njofton Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve.
KQZ vlerëson të domosdoshëm një mendim të partive politike në lidhje me këtë propozim.
Celibashi u lë afat partive politike për çdo sqarim ose zhvillim të një takimi konsultues në lidhje me këtë çështje përpara datës 19 tetor 2024.
(ATSH)