
Qendrat në Gjadër e Shëngjin, Rama: Asnjë emigrant s’do të mund të largohet nga strukturat
Kreu i qeverisë shqiptare intervistë për median italiane “La Repubblica”

Javën e ardhshme në dy qendrat e emigrantëve të ngritura në Shëngjin dhe në Gjadër të Lezhës, që Italia ka ndërtuar për të zhvendosur procedurat e azilit, pritet të mbërrijnë emigrantët e parë, sipas mediave italiane.
Në një intervistë për median italiane “La Repubblica” kryeministri Edi Rama shprehet se “ndërtimi dhe menaxhimi i qendrave është diçka që nuk ka absolutisht asnjë lidhje me qeverinë shqiptare”.
Kreu i qeverisë shqiptare thekson se ajo që ndodh brenda në kamp “nuk na shqetëson, pasi është përgjegjësi e palës italiane”.
Kryeministri Rama nënvizoi se në bazë të marrëveshjes parashikohet që nuk mund të largohen nga kampi dhe të udhëtojnë lirshëm në Shqipëri. E nëse kjo do të ndodhte shtoi Rama, “një plan veprimi i miratuar do të vihet në lëvizje”.