Negociatat me BE, Hoxha: Rrugë e pandalshme drejt Evropës, brenda vitit mund të hapim kapituj të tjerë
Ambasadori i Shqipërisë në Bashkimin Europian, Ferit Hoxha: Moment historik çelja e me BE për grup-kapitullin e parë.
Ambasadori i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Ferit Hoxha e cilësoi si një momentin historik çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE-në për grup-kapitullin e parë.
Në një intervistë për “Report Tv”, Hoxha tha se, tashmë marrëdhëniet Shqipëri-BE nuk do të jenë më njësoj.
Ambasadori Hoxha theksoi se, Shqipëria ka hapur dyert e BE dhe ky është një rrugëtim i pandalshëm për integrimin në union.
“Që nga dje e tutje kemi hyrë në një proces tjetër, s’do jetë njësoj marrëdhënia me BE, jo vetëm financime, por kanalizim më të mirë, formal, të pandalshëm të rrugëtimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Asgjë që ka qenë më parë në nivelin politik, nuk është e krahasueshme me atë që ka ndodhur dje. Ne dje kemi hapur dyert e Evropës”, tha ambasadori Hoxha.
Ai u shpreh besimplotë se, brenda këtij viti Shqipëria mund të mbajë një tjetër konferencë ndërqeveritare me BE për hapjen e disa kapitujve të tjerë.
“Ne kemi një plan pune të detajuar nga Kryenegociatorja dhe ekipi i saj. Këtë plan pune ne duhet ta bashkërendojmë me Komisionin Evropian. Unë jam besimplotë që ne do të kemi të paktën edhe një konferencë tjetër para fundit të vitit, ku edhe mund të hapim disa kapituj të tjerë të një grupi tjetër”, tha Hoxha.
Ambasadori theksoi se, tashmë do të nisë puna në nivel teknik për ecurinë e grup-kapitullit të parë edhe me asistencën dhe monitorimin e Komisionit Evropian.
“Është shtrirë në elementë teknikë, hapja e këtij grup-kapitulli kushtëzon ecurinë për kapitujt e tjerë, jo për hapjen, por për mbylljen tyre, kur të vijë koha. Kapitujt 23 dhe 24 kanë rëndësi të veçantë, se do të bëhet vlerësim i ndërmjetëm dhe në bazë të ecurisë do vendoset për mbylljen e kapitujve të tjerë”, u shpreh Hoxha.
Ambasadori Hoxha u shpreh se, Shqipëria ka një plan pune nga ky moment e tutje.
“Pozicioni i negocimit i miratuar nga 27 vendet e BE dhe një pozicion negocimi i paraqitur nga pala shqiptare. Mbi këto bazë dokumentesh lindin detyrimet, pala tjetër s’do jetë pasive, do të jetë angazhuar me ne për të punuar”, tha Hoxha.
“Ky është thelbi i negocimit, do të punojmë me ekspertë teknikë, ekipe vlerësimi, duke raportuar në Bruksel. Në një proces periodik krahasojmë atë që kemi bërë me atë që kemi premtuar dhe vlerësohet nëse i kemi realizuar për të ecur më tej”, u shpreh ambasadori.
Shqipëria çeli më 15 tetor 2024 negociatat për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian, teksa mbajti Konferencën e Dytë Ndërqeveritare në Luksemburg.
Shqipëria hapi zyrtarisht negociatat për grup-kapitullin “Themeloret”:
– Funksionimi i institucioneve demokratike;
– Reforma në administratën publike;
– Gjyqësori dhe të drejtat themelore;
– Drejtësia, liria dhe siguria;
– Kriteret ekonomike;
– Prokurimi publik;
– Statistikat;
– Kontrolli financiar.
(ATSH)