Spiropali: Studentët e drejtësisë, e nesërmja e luftës kundër pandëshkueshmërisë
Kryetarja e Kuvendit përshëndeti në ceremoninë e fillimit të vitit të ri akademik në University of New York Tirana.
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, përshëndeti sot në ceremoninë e fillimit të vitit të ri akademik në University of New York Tirana.
Të pranishëm në aktivitet ishin ambasadori i Republikës së Turqisë në Shqipëri, Tayyar Kağan Atay, presidenti i Fondacionit Turk MAARIF, Birol Akgün, drejtori i përgjithshëm i Fondacionit MAARIF në Shqipëri, Mesut Özbaysar, ambasadori i Katarit, etj.
Në fjalën e saj, Spiropali, nënvizoi se, rruga e suksesit të studentit kalon nga sakrifica, teksa paradhoma është biblioteka.
“Çdo ditë është dita e duhur për të ardhur në universitet. Si student apo pedagog, si prind, qytetar apo si politikan. Si njeri që rend drejt dijes apo si dikush tjetër që di mirë se jeta është një shkollë e paprerë, e cila kur kalon edhe në aulat e universitetit, fiton një shans më shumë për t’u jetuar dhe për të krijuar shanse për të jetuar më mirë”, tha Spiropali.
“Sot informacioni po masivizohet, teknologjitë e reja po ndërthuren me industritë moderne, bujqësinë, shërbimet dhe po bëhen një çelës për të kuptuar orientimin e tregut të nesërm të punës. Dhe për të qenë të suksesshëm, padyshim që duhet të plotësohet një kusht. Rruga e suksesit të studentit kalon nga sakrifica. Paradhoma e suksesit është vetë biblioteka”, u shpreh Spiropali.
Spiropali shtoi se, Shqipëria, një vend i vogël dhe me progresin teknologjik po shndërrohet në një treg më të madh.
“Shqipëria është një vend i vogël, por në saj të progresit teknologjik mund të shndërrohet në një treg të madh, me mundësi të shumta punësimi e avancimi të karrierës. Spaletat e të nesërmes janë në duart tuaja”, theksoi Kryetarja e Kuvendit.
“Shkencat kompjuterike, sistemet e informacionit dhe inteligjente janë “gjuhët” e reja moderne të kësaj kohe. Ato gjuhë flitet njëlloj si në Tiranë, si në New York, në Paris apo Berlin. Asgjë nuk e pengon studentin shqiptar, pavarësisht diferencave mes universiteteve, rankimeve mes tyre apo dhe vetë traditës që tek ne, nuk e kap dot as një shekull, që në këtë mundësi të pakufishme që jep liberalizmi dhe globalizimi i tregut, të mos kenë asnjë diferencë me bashkëmoshatarët e tyre në Perëndim”, tha Spiropali.
Spiropali theksoi se, studentët e drejtësisë janë e nesërmja e sistemit të rilindur dhe pjesë e luftës kundër pandëshkueshmërisë.
“Jurisprudenca, një nga degët kryesore të universitetit tuaj është thirrur shumë shpesh në apel gjatë kësaj dekadës së fundit. Në kuptim të fundit, prej jush do të shihet e nesërmja e sistemit të rilindur të drejtësisë. Shoqëria pret që ju të jeni pjesë e luftës së bllokut të së mirës kundër pandëshkueshmërisë. Pret që ju të garantoni nesër drejtësi për të gjithë njësoj, çka mund të nisni ta bëni që sot. Duke u treguar më së pari të ndershëm me veten”, tha Spiropali.
Të njëjtën gjë, shtoi Kryeparlamentarja, “do të thosha edhe për ekonomistët e nesërm, të cilët janë bashkëstudentët tuaj të sotëm. Kërkoni dhe gjeni ide e zgjidhje për probleme të ekonomisë shqiptare, por dhe të ekonomisë private. Debatoni për mënyrat e sjelljes sonë me burimet e zhvillimit dhe faktorët e prodhimit, gjykoni sesi mund t’i bëjmë kompanitë e fermat shqiptare më produktive e më konkurruese në rajon e më tej, si ta “përkthejmë” rritjen ekonomike në mirëqenie e cilësi të lartë jetese”.
Spiropali gjithashtu bëri të ditur se, Kuvendi ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me 27 universitete publike dhe jo publike.
“Para disa vitesh, Kuvendi ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me 27 universitete publike dhe jo publike. Qëllimi i këtyre marrëveshjeve është institucionalizimi i përgjegjësive tona të përbashkëta për formimin dhe edukimin e studentëve e profesionistëve të rinj të Shqipërisë. Shpreh mirënjohjen e Kuvendit për kontributin e universiteteve, pedagogëve dhe ekspertëve të cilët kanë ndihmuar Kuvendin në konsultat e komisioneve parlamentare dhe dëgjesat publike për hartimin e akteve ligjore gjatë viteve të fundit”, tha Spiropali.
Në aktivitet përshëndeti edhe ambasadori i Republikës së Turqisë në Shqipëri, Tayyar Kağan Atay, i cili u shpreh se, së bashku duhet të angazhohemi për të edukuar të rinjtë dhe për t’i përgatitur si profesionistë të së ardhmes, ndërsa falenderoi stafin akademik për punën e tyre.
Rektori i University of New York Tirana, prof. dr. Ali Güneş, i uroi mirëseardhjen studentëve dhe pedagogëve për vitin e ri akademik, ndërsa u shpreh se edukimi është arma më e fortë për të ndryshuar botën.
“Studentët janë prioriteti ynë. Faleminderit që jeni të pranishëm në ceremoninë e nisjes së këtij viti të ri akademik”, u shpreh Güneş.
Presidenti i Fondacionit Turk MAARIF, Birol Akgün, gjatë fjalës së tij, u shpreh se University of New York Tirana ofron degë të ndryshme studimi dhe mundësi për kërkimin shkencor.
“Edukimi ofrohet në disa nivele. Edukimi është shumë i rëndësishëm. Ju uroj suksese studentëve dhe ju them që duhet të punojnë shumë fort për të ardhmen e tyre. Jeni shumë të mirëpritur dhe ju falënderoj nga zemra të gjithëve”, u shpreh Akgün.
Në ceremoninë e fillimit të vitit të ri akademik në University of New York Tirana përshëndetën edhe disa studentë të cilët kanë zgjedhur këtë universitet për të studiuar.