Hafize Leskoviku dhe Adriana Thanasi së bashku në një iso!
Autori Niko Mihali meriton një falenderim të madh për këtë dhuratë te çmuar që na pruri.
Nga Timo Mërkuri
Timo Mërkuri
***
Libri “Kënga e Hafize Leskovikut dhe Adriana…” i Niko Mihalit është libër që që synon jo vetëm të nxjerrë nga harresa dhe të sjellë pranë nesh një nga artistet më të shquara të artit popullor, e cila jo vetëm ka kënduar, por mund të themi se ka zhvilluar një variant arti popullor plot shkëlqim, por edhe të bëjë lidhjen e saj me këngëtaren tjetër të spikatur të njëjtës krahinë, por të kohës sonë moderne, Adriana Thanasi.
Të dyja këto artiste kanë të përbashkët këngën, të njejtin stil kënge, dashurinë e talentin për atë dhe interpretimin e saj në shkallën më të lartë. Niko Mihali na ka dhënë për të dy këto artiste nga një portret me ngjyra dhe ngrohtësi në varësi të kohës, vendit dhe kushteve në të cilat ato krijuan dhe sidomos majat që arritën. Në qoftë se do ti shohim në drejtimin linear të kohës duket sikur Adriana morri stafetën e Havize Leskovikut dhe duke i dhënë nuancat e saj dhe të kohës e ngriti në modernitet atë këngë dhe interpretim që dukej se kishte arritur majën e artit, duke na treguar se koha është si një vargmal, ku pranë secilës majë gjendet një majë tjetër më e lartë, që duhet ngjitur.
Autori i librit, Niko Mihali
Libri është i pasur me informacion, madje informacion që të befason si psh. ai se “Selimi dhe Hafzieja e regjistruan zërin e tyre në një studio të tillë “Columbia” e ardhur në qytetin e Sarandë” (f.16) informacion që fton për eksplorime e hulumtime të mëtejëshme. Jemi të ndërgjegjshëm se fakti që Hafize Leskoviku ka jetuar e kënduar në Stamboll dhe furtunat që kohërat kanë prurë, kanë bërë që materialet dokumentare të saj të jenë humbur dhe është fat i madh që kanë mbetur të inçizuzara disa nga këngët e saj, ato këngë që kishin: “një muzikë të pastër dhe pa asnjë lloj influencë, nuk kishte asgjë të huaj dhe dukej krej e veçantë , ku evidentohej qartë zëri i madam Hafizezë” (f.22).
Informacionet që i kanë dhënë autorit për fizikun apo orientimet emocionale janë në kuadrin e legjendave. Ndërkohë për pjesën e dytë që sjell para lexuesit portretin artistik të Adriana Thanasit është plot kolorit, e shfaq këtë portret në lëvizje duke ardhur drejt nesh me gjithë finesën dhe bukurine artit të saj. Mund të themi se është një përvojë se si duhet grumbulluar e përpunuar materiali dokumentar në krijimin e portreteve në letërsi. Mund të flisja me hollësi për këtë portret, por ndjej se do përsërisja autorin, megjithatë ka diçka që duhet ta vemë në dukje për këtë libër, pikërisht rikonfirmimin e disa tipareve thelbësore të këtij arti popullor.
1 – Së pari rikonfirmon faktin që familja është qeliza bazë që ushqen mbirjen dhe zhvillimin e këngës në shpirtin e njeriut shqiptar. Arti popullor nuk mësohet në shkolla, ai kultivohet në familje ku mer dhe karakteristikat thelbësore si kolektiviteti, melodiciteti, nuancat melodike, gjetja në fraksion të sekondës e kohës së ndërhyrhjes së zërrave në këngë e mbi të gjitha tiparin e kolektivitetit të saj. Autori për të dy këto këngëtare na dëshmon se mësuesit e tyre të parë kanë qenë familjet e tyre, të cilat kanë qenë familje këngëtarësh apo që këndonin.
“Hafizeja ishte pjesë e një familjeje muzikantësh nga ky qytet i vogël… Asllan Leskoviku do ta organizonte këtë risi në mjedisin familjar. Dy nga fëmijët e tij.. formacionin e tyre muzikor të sazeve …dhe muzika që interpretonin nuk ishte gjë tjetër veçse këngët e zonës së Shqerisë” (f.12)ndërsa për Adrianën shkruan: “qysh fëmijë ajo ra në kontakt me këngët e sazeve të Leskovikut, të cilat i dëgjonin në shtëpinë e tyre nga pllakat e gramafonit dhe pasi i dëgjonin, babai ja mësonte ti këndonte. Ushtrohej me babain, por dhe me mamanë, Marianthin, e cila e inkurajonte por edhe i bënte ndonjë vërejtje.” (f.27). Është një ligjësi e pashkruar, por e provuar dhe e pranuar se të kënduarit mësohet në familje qysh në fëmini. Në moshën e fëminisë kënga ndjehet më tepër se sa kuptohet, fëmija e ndjen këngën e familjes por i duhet që ti përshtatë zërin e tij kësaj kënge dhe pikërisht te përshtatja e zërit për melodicitetin e këngës fillon procesi i të mësuarit të saj.
Asllan Leskoviku
2 – Kënga tradicionale mësohet në familje por kursesi nuk është pronë e një familjeje, madje edhe në rastet kur interpretuesit janë të një familjeje, si në rastin e Hafize Leskovikut. Kënga në vetvete përmban karakteristikat e një grupimi shoqëror me tipare dhe tradita zakonore të njëjta ose të qasëshme, pra të një fshati dhe të një krahine, ku kultura është bërë pjesë organike e jetës së saj. Autori na sjell prova dhe dëshmon për zhvillimin kulturor të zonës së Leskovikut dhe më gjerë ku jeta ishte organizuar në qytete me mbi 10 mijë banorë, gjë që fliste për një organzimim dhe zhvillim jo të pakët dhe jo të rastit. Ishte një krahinë e zhvilluar ekonomikisht dhe kulturalisht ndaj zotëruan dhe futën në këngë istrumentat muzikore, duke krijuar nja variant të ri kënge, atë të shoqëruar me istrumenta.
3 – Kënga e Hafize Leskovikut dhe e Adriana Thanasit ka tiparin e kolektivitetit, tipar thelbësor i këngës sonë popullore, madje edhe në rastet kur ajo interpretohet nga një person. Natyrshëm në këto këngë veç interpretueseve të përmendura futen edhe këngëtarët e istrumentave si violinisti apo llahuta-ri etj, por veç kësaj edhe më vetvete melodia dhe interpretimi përmbajnë elemente origjine të një kolektiviteti. Me këtë rast vlen të kujtojmë logatjen, e cila interpretohet nga një person, por në melodicitetin e saj ka të interpretuar dhe zërat e tjerë të shumëzërrëshi, ndonëse në këtë rast kemi një nivel tjetër kënge, por me rrënjë të njëjtë . Të gjitha variantet e këngës popullore shqiptare kanë provuar se kanë një origjinë, ligjërimet mortore, madje sado e gëzueshme të jetë kënga, ajo do pikojë së paku një lot. Vëreni me kujdes këtë dukuri. Ndoshta kjo është dhe arsyeja që dhe instrumentat që e shoqërojnë në variantin e këngës përmetare janë të tilla që krijojnë melodi të trishta, si zgjatim vajtimi.
4 – Arti popullor shqiptar nuk është statik, i krijuar në një formë një herë e përgjithmon, ai është një organizëm i gjallë dhe si i tillë ai zhvillohet e përsoset në përputhje me zhvillimin e bazës së tij dhe elementeve ndihmëse. Ashtu siç është zhvilluar, përmirësuar e modernizuar jeta ashtu është zhvilluar, përsosur e “modernizuar” kënga popullore ku me modernizim e kemi fjalën për shoqërimin e saj me instrumenta muzikorë. Sigurisht që ky shoqërim i saj me instrumenta krijon varietete këngësh, si këngët e Hafize Leskovikut, por pavarësisht kësaj, ato janë pjesë e artit popullor që kanë në thelb tiparin e kolektivitetit. Arti popullor është sa i vjetër aq dhe i ri, vital dhe i ndjeshëm, që i përshtatet, madje shpesh u prin ndryshimeve shoqërore. Instrumentat si violina, klarineta dhe llahuta jo vetëm që nuk e dëmtojnë tradicionalitetin dhe kolektivitetin e këngës, por përkundrazi vihen në shërbim të tyre, sepse zëri i istrumentave i përshtatet melodicitetit të zërrave të shumëzërrëshit, dhe mbart zërrat shoqërues të marrësit, si hedhësin, kthyesi dhe iso.
5 – Arti oral tradicional është pjesë e identitetit të kombit të cilit i përket artisti popullor, dhe si të tillë, artisti nuk e ndryshon dot me ndryshimin e mënyrës së jetesës dhe vendit të banimit, por ai (arti oral) i bëhet mjet shpëtimi artistit dhe inspirim që nëpërmjet tij, artisti jo vetëm të dalë nga situata e vështirë, por të evidentohet e vlerësohet për atë që është dhe përfaqson edhe kur është një emigrant i thjeshtë. Është tepër e zakonëshme të dëgjosh këngëtarët emigrant kur tregojnë se si në familjet e tyre, hallet e vështirësisë së jetës si pasojë e papunësive i kalonin duke kënduar këngë poullore. Tregojnë dhe raste jo të pakta kur përballë sfidave nacionaliste me të cilat janë përballur, kanë ngritur zërrin e këngës.
Gjithashtu nuk janë të pakta rastet kur këta artistë pikërisht me ndihmën e artit të tyre janë ngritur nga varfëria e mjerimi dhe kanë ecur në jetë me dinjitet artisti. Unë mund tju përmend shumë emra, por sot le të flasim për Hafize Leskovikun dhe Adriana Thanasin (dhe të tjerët që përmend autori) që jo vetëm ngritën veten në nivelin e nderuar të artisti, siç u takonte, por na nderuan edhe neve bashëkombasve të tyre në kohën e emigrimit të tyre. Autori përmend një sërë arritjesh e vlerësimesh të Hafizes dhe Adrianës jashtë vendit, si dje (Hafizja) ashtu dhe sot (Adriana), por unë do të shtoja se ato vlerësime na nderojnë dhe ne, pse ato i treguan botës që populli ynë nuk është ndonjë popull shpellash, por është një popull që i ka dhënë botës një kryevepër shpirtërore të njerëzimit, këngën shumëzërrëshe, iso-polifoninë. Është e vërtetë që Adriana këndon “vetëm” para mikrofonit, por në melodinë e saj janë shpirtërat e sa e sa brezave këngëtarësh nga krahina e saj (dhe nga gjithë Shqipëria) që i japin ato nuance të ylberta zërit të saj.
Ne kemi shumë nevojë për libra të tillë që nxjerrin nga harresa thesaret shpirtërore të kombit dhe lartësojnë shpirtin thesar të artistëve tanë, pasi ata nuk i përkasin më vetvetes, as famuiljes dhe as fshatit të tyre. Ata i përkasin kombit shqiptar dhe artit të tij. Në këtë aspekt meriton një falenderim të madh autori Niko Mihali për këtë dhuratë te çmuar që na pruri.
Sarandë, tetor 2024