Marsel Muzikanti, fitues i Festivalit Ballkanik të Klarinetës “Laver Bariu”
Promovohet libri i Niko Mihalit, “Kënga e Hafize Leskovikut dhe Adriana…” , kushtuar këngëtares përmetare Adriana Thanasi
Nga Dash Frashëri
Një festival ndërkombëtar ballkanik emocionues në nder të Ustait të Madh të Klarinetës dhe kabave permetare, legjendës Laver Bariu.
Seksioni Kombëtar Shqiptar CIOFF, në kuadrin e 95-vjetorit të lindjes dhe 10-vjetorit të vdekjes të “Gjeneralit të klarinetës shqiptare”, “Artistit të Merituar” dhe “Mjeshtrit te madh të punës”, LAVER BARIU, me mbështetjen e MEKI, organizoi në hotel “Mondial”, Festivalin Ballkanik të Klarinetës, ku morën pjesë 12 klarinetistë nga Shqipëria, Greqia dhe Maqedonia e Veriut, të shoqëruar nga muzikantë të veglave të tjera.
Aktivitetin e hapi organizatori i Festivalit Ballkanik të Klarinetës, Niko Mihali, themelues i Seksionit Kombëtar Shqiptar CIOFF, e cila aderon në organizatën botërore të trashegimisë kulturore, në partneritet me UNESCO-n, me aktivitete në Spanjë, Francë, Portugali, Zvicër, Itali, Poloni, Turqi, Serbi, Maqedonia e Veriut, Belgjikë, Rusi, etj.
Mihali ka themeluar edhe Shoqërinë Kulturore “Elena Gjika – Dora D.Istria” (1991) dhe është drejtor dhe producent i Festivalit Ndërkombëtar “Përmeti Kulturor”.
Ai është gjithashtu, autori i qindra shkrimeve në shtypin periodik, si dhe i pesë librave: “Lugina e Vjosës së Sipërme”, “Përmeti Multikulturor”, “Përmeti ecoturistik”, “Kënga e Hafize Leskovikut dhe Adriana…” dhe “Virtuozi Laver Bariu”.
***
Klarinetisti i mirënjohur përmetar, Josif Shukallari, i konsideruar si “Usta Laveri” i ri interpretoi disa kaba në homazh të Ustait të Madh, Laver Bariu, të cilat krijuan emocione të mëdha, veçanërisht te djali i Laverit, Bujar Nurka.
***
Konkurruesit interpretuan para një jurie të kryesuar nga Prof. Josif Minga dhe një publiku dashamirës qe e organizoi këtë fundjave ndryshe dhe u emocionua nga loja e këtyre aktoreve që japin një kontribut jo të vogël për promovimin e trashëgimisë kulturore shpirtërore në festivale ndërkombëtare.
Më pas interpretuan pjesët e tyre, klarinetistët pjesëmarrës në Festivalin Ballkanikm, si Behar Hoxha, Kosta Verdhi, Marsel Muzikanti, Mehmet Topi, Gramoz Gramozi, Neim Robo, Fitim Muçolli, etj.
Juria Profesionale vlerësoi interpretimet, duke shpërndarë edhe certifikata nderi. Ajo vendosi t’i japë vendin e parë interpretuesit të ri dhe të talentuar nga Bilishti, Marsel Muzikanti, edhe për të nxitur vazhdimësinë e kabasë, i cili mori edhe një shpërblim monetar.
Në një prononcim në rrjetet sociale, pas fitimit të Festivalit, Marsel Muzikanti u shpreh.
“Sot, me një ndjenjë të thellë nderimi dhe mirënjohjeje, falenderoj të gjithë ata që më dedikuan këtë çmim të veçantë në nder të artistit të jashtëzakonshëm, Laver Bariu, një figurë emblematike e muzikës shqiptare dhe virtuoz i klarinetës.
Ky çmim është një simbol i vogël në krahasim me atë që Laver Bariu ka dhënë për kulturën shqiptare, por ai përfaqëson një mirënjohje të thellë për të gjithë atë që ai ka krijuar dhe trashëguar. Përmes këtij festivali, ne rikujtojmë se muzika e tij do të vazhdojë të jetojë, duke frymëzuar dhe ndikuar brezat që do të vijnë. Në emër të të gjithë atyre që e njohën dhe vlerësuan artin e tij, ky çmim i dedikohet me përulësi dhe respekt të madh usta Laver Bariut – një artist që do të mbetet përjetësisht në zemrat tona”
***
Gjatë aktivitetit u promovua edhe libri i Niko Mihalit, “Kënga e Hafize Leskobikut dhe Adriana…” , kushtuar këngëtares së njohur përmetare Adriana Thanasi, e cila ishte e pranishme, duke ardhur nga Greqia.
Thanasi, e cila ishte ndër këngëtaret e preferuar të Laver Bariut, me të cilin kishte marrë pjesë në shumë aktivitete ndërkombëtare, këndoi disa këngë të njohura qytetare përmetare.
Këngëtarja tjetër e njohur përmetare, Teuta Pango, i dhuroi një tufë me lule.