Rama: Jemi ndër të pakta vende në Europë me mbulim universal pensionesh
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se Shqipëria është ndër të paktat vende në Europë që garanton mbulim universal me pensione, duke përfshirë edhe për ata persona që nuk kanë kontribute shoqërore por janë në moshë pensioni.
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se Shqipëria është ndër të paktat vende në Europë që garanton mbulim universal me pensione, duke përfshirë edhe për ata persona që nuk kanë kontribute shoqërore por janë në moshë pensioni.
Gjatë një bashkëbisedimi me pensionistët për skemën e pensioneve, Rama solli në vëmendje reformën e pensioneve që u bë në vitin 2014, ndërsa theksoi se qeverisja e PS-së ka ndërmarrë reforma që janë kryer me thuajse çerekshekulli vonesë.
“Kjo qeveri që kur unë kam marrë besimin nga shumica e shqiptarëve ka bërë dy gjëra për pensionet që po të ishin bërë shumë vite më parë nuk do të ishim këtu sot. E para ka bërë një reformë pensionesh në vitin 2014, që po të shikoni sa është pensioni i atyre që dalin në pension pas vitit 2014 bazuar në kontributet e shumë prej jush që keni dalë para viti 2014, për të njëjtat vite pune, ata kanë pensionin më të lartë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se reforma u bë me thuajse çerekshekulli vonesë.
“E dyta që ka bërë kjo qeveri e PS-së është që qysh në krye të herës në atë reformë ka thënë se ne nuk mund të lëmë asnjë të moshuar në moshë pensioni pa pension, edhe pse nuk figuron në asnjë lloj regjistri sigurimesh shoqërore. Kryesisht është kategoria e gjysheve që kanë qenë shtëpiake. Këtë e kanë shumë pak vende në Europë. Në atë Europën e zhvilluar atje janë shumë njerëz në moshë pensioni që nuk kanë pension fare se nuk kanë kontribute”, tha Rama.
Kryeministri pranoi se edhe pse pensioni social që ka vënë kjo qeveri është i vogël, skema që ne kemi është mbulimi universal, pra ne nuk lëmë asnjë pa mbuluar.
Duke u ndalur te skema e pensioneve, kryeministri iu përgjigj të gjithë atyre që pretendojnë se ky proces mund të kryhet duke ulur rrogat e larta.
“Ata që marrin rroga më të larta paguajnë më shumë për pensionet çdo muaj. Japin kontribut për pensionet dhe normalisht pensionet do të mbulohen me ato kontribute. Ndërkohë që taksat paguhen për investimet dhe shpenzimet e tjera të shtetit jo për pensionet.
“Kur këtu njëra pjesë e njerëzve i bëjnë të dyja, paguajnë edhe kontribute shoqërore edhe taksa, dhe me të drejtë thonë ne duam shërbime më të mira, ndërkohë që pjesa tjetër i shmangin”, tha Rama.
(ATSH)