Ibrahimaj: Skemë për nxitjen e vetëdeklarimit të pagave për pension solid në të ardhmen
Kryeministri Edi Rama, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja dhe ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj zhvilluan sot një bashkëbisedim me bizneset.
Kryeministri Edi Rama, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja dhe ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj zhvilluan sot një bashkëbisedim me bizneset për rëndësinë e deklarimit real të pagave që reflektohet më pas në skemën e sigurimeve shoqërore dhe në atë të pensioneve.
Ministrja Ibrahimaj e vuri theksin tek nxitja kolektive nga ana e sipërmarrësve për deklarimin e pagave reale, që në të ardhmen përkthehet në një pension solid.
“Vitet e fundit, ju e keni parë se çfarë kthese ka marrë ekonomia shqiptare, si në drejtim të rritjes ekonomike, por edhe në shumë aspekte të tjera. Dhjetë vjet më parë ne kishim një rritje që mezi arrinte, 1%, ndërsa sot rritja e ekonomisë është 4.6% sipas INSTAT. Kjo do të thotë që të ardhurat e sipërmarrjeve janë dyfishuar, e si pasojë edhe fitimet që ju gjeneroni. Kjo ka bërë që edhe investimet që kryhen nga ana e shtetit të jenë më të shumta, nga infrastruktura, përmirësimi i saj me qëllim që t’i shërbejë ekonomisë dhe biznesit dhe ato janë dyfishuar. Të giitha këto janë të dhëna të një ekonomie solide, por nuk janë rezultate që vijnë në mënyrë të natyrshme, por në sajë të politikave që nxisin klimën e biznesit, duke lehtësuar politikën fiskale në sektorë të ndryshëm”, tha Ibrahimaj.
Ministrja u shpreh se qeveria vazhdon të jetë e vendosur në mbështetjen e ekonomisë në vend, përmes këtyre politikave dhe jo vetëm.
“Ne jemi të angazhuar që ta mbështesim më shumë ekonominë, ne si qeveri, por edhe se si ta shpërndajmë në mënyrën e duhur. Dhe kjo është një detyrë morale që na lind të gjithëve. Ta shpërndajmë si pensione, si paga. Qeveria ka bërë shumë viteve e fundit në drejtim të pensioneve. 25% të buxhetit ne e kemi të dedikuar për pensionistët, jo vetëm përmes pensioneve, por edhe në forma të tjera të mbështetjeve që ne bëjmë. Dy vite më parë ne vendosëm të rrisim pagat në sektorin publik në të gjithë nivelet, bashkë me këtë vendim kryem një sërë takimesh me bizneset se ishim të bindur që do na bashkoheshin. Duke u bërë publiku një konkurrent i denjë për privatin, kjo do të ishte një nxitje natyrale të privati për rritjen, por edhe deklarimin e pagave”, shtoi ajo.
“Një tjetër nismë ishte rritja agresive e pagës minimale, paga prej 40 mijë lekësh jepej nga bizneset në atë kohë, nuk ishte e nxituar, por çmimi që tregu vendoste në ato sektorë ku puna paguhej me këtë vlerë. Ndërtimi dhe tregtia kanë pasur një nxitje të vetë deklarimit, por sërish mendojmë se ka nëndeklarim”, vijoi ajo.
“Sektori i ndërtimit në tre vitet e fundit është rritur me norma dyshifrore, që do të thotë se kanë pasur të ardhura më shumë se rritja ekonomike dhe kjo ka ardhur sepse kërkesa është rritur, investimet publike janë rritur, turizmi është rritur, mirëqenia e qytetarëve është rritur dhe mundësia për të paguar për ndërtimin, gjithashtu”, theksoi ministrja Ibrahimaj.
Duke ndaluar te nëndeklarimi, Ibrahimaj u shpreh se nuk beson se ka më paga 60 mijë lekë në sektorin e ndërtimit, ashtu siç deklarojnë shumë kompani.
“E pamundur të besoj që pagat në këtë sektor janë 60 mijë lekë, e pamundur të besoj që janë më të larta gati 20-23-% më të larta se 60 mijë lekë kjo më forcon dyshimet. Në këtë sektor nuk aplikohet TVSH për shitjen e apartamenteve, por sepse duam të nxisim dhe rrisim vetëdeklarimin në mënyrë që të mos të jetë e nevojshme që të garantojmë pensionet përmes rritjes së taksave, por që ky të jetë një mundim kolektiv. Sektori i tregtisë, hotelerisë dhe restoranteve, paga mesatare ishte 55 mijë lekë në tremujorin e dytë të vitit 2023. Ne jemi të qartë që kjo nuk pasqyron realitetin…E kam të pamundur të besoj që një kamerier merr 47 mijë lekë”, u shpreh Ibrahimaj.
Ministrja tha se administrata tatimore ka gati një plan masash shumë të strukturuar në drejtim të taksave.
“Administrata tatimore ka një plan masash që të nxitet deklarimi, por edhe përmes ndërgjegjësimit. Të rriten pagat sepse ato janë të lidhura me pensionet që marrin pensionistët, por edhe me një premtim që ju i jepni punonjësve tuaj që skema e sigurimeve shoqërore në të ardhmen të jetë e fortë dhe solide, që kur ata të dalin në pension të kenë një pension solid”.
(Marrë nga ATSH)