Liria e medias në Shqipëri, mes luftës ndaj dezinformimit dhe rrugës drejt BE
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizon Forumin e 10-të vjetor për Zhvillimin e Medias.
Përfaqësues të mediave, institucioneve publike, botës akademike dhe shoqërisë civile u mblodhën sot në Forumin vjetor për Zhvillimin e Medias, të organizuar nga Prezenca e OSBE-së për të dhjetin vit radhazi.
Ky forum, është një ngjarje e rëndësishme për forcimin e lirisë së medias dhe përmirësimin e klimës mediatike në vend.
Forumi trajtoi tema si gjendja e medias në Shqipëri, siguria e gazetarëve dhe marrëdhënia e medias me gjykatat.
Këto çështje janë thelbësore për të siguruar një ambient të sigurt dhe mbështetës për gazetarët dhe për të garantuar që informacioni të mbetet një mjet fuqizimi për qytetarët.
Në kuadër të përpjekjeve për t’i dhënë një nxitje zhvillimit të medias, u diskutua gjithashtu hapja e negociatave për grup-kapitujt themelorë, duke theksuar angazhimin e Shqipërisë për përmbushjen e standardeve evropiane dhe përmirësimin e kushteve për lirinë e medias.
Forumi solli bashkë ekspertë, gazetarë, dhe përfaqësues të institucioneve, të cilët ndanë mendime dhe propozime për përmirësimin e gjendjes aktuale të medias në Shqipëri.
Ky është një hap i rëndësishëm për të garantuar që zëri i medias të dëgjohet dhe të respektohet, duke ndihmuar në forcimin e demokracisë dhe transparencës në vend.
Në hapje të forumit, morën pjesë Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Michel Tarran, ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, dhe Drejtori i Zyrës së Përfaqësuesit të OSBE-së për Lirinë e Medias, Philippe Tremblay.
Në fjalën e tyre ata theksuan rëndësinë e një medie të fortë dhe të pavarur për demokracinë dhe shoqërinë shqiptare.
Tarran: OSBE, angazhim për të çuar përpara lirinë dhe zhvillimin e medias në Shqipëri
Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Michel Tarran në fjalën e tij, u shpreh se, ky takim i sotëm pasqyron angazhimin e vazhdueshëm të OSBE-së për të çuar përpara lirinë dhe zhvillimin e medias në Shqipëri.
“Ndonëse liria e shprehjes garantohet në Shqipëri, gazetaria e pavarur përballet me disa sfida. Lidhjet e ngushta, midis biznesit, politikës dhe pronësisë së medias ndikojnë në diversitetin dhe pavarësinë e medias”, tha ai.
Tarran theksoi se, “shumë gazetarë përballen me pasiguri në punë, paga të ulëta dhe në disa raste fatkeqësisht edhe me kërcënime dhe frikësim”.
“Indeksi i vitit 2023 të organizatës “Reporterë pa kufij thekson se konfliktet e interesit dhe sfidat ligjore mbeten pengesat kryesore për lirinë e medias në Shqipëri”, shtoi Tarran.
Ambasadori Tarran nënvizoi se, partneriteti me Autoritetin e Medias Audiovizive ka sjellë përparime të rëndësishme.
“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri prej kohësh mbështet përpjekjet për forcimin e kuadrit ligjor dhe institucional që garanton pavarësinë dhe profesionalizmin e medias. Partneriteti ynë me Autoritetin e Mediave Audiovizive ka sjellë përparime të rëndësishme, përfshirë zhvillimin e kodeve të transmetimit që promovojnë barazinë gjinore, luftojnë diskriminimin dhe trajtojnë gjuhën e urrejtjes. Kjo është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të harmonizuar rregulloret e medias në Shqipëri me angazhimet e OSBE-së dhe standardet përkatëse ndërkombëtare dhe evropiane”, tha Tarran.
“Fokus kryesor i këtij forumi është pronësia e medias, veçanërisht përqendrimi i pronësisë, çka minon pavarësinë e përmbajtjes editoriale. Gazetaria e pavarur është themeli i demokracisë dhe ne duhet të vazhdojmë të avokojmë për transparencë në pronësinë e medias për të siguruar që të dëgjohen të gjithë zërat”, tha ai.
Duke folur për luftën ndaj dezinformimit, Tarran u shpre se roli i gazetarëve është jetik.
“Ndërsa u kushtojmë rëndësi sfidave strukturore dhe ligjore me të cilat përballet media në Shqipëri, është po aq e rëndësishme të mos harrojmë përgjegjësinë e vetë gazetarëve për të ruajtur profesionalizmin, paanësinë dhe objektivitetin në raportimet e tyre. Gazetarët kanë detyrimin ndaj publikut për të ofruar informacion të saktë, të balancuar dhe të bazuar në fakte. Në epokën e dezinformimit dhe sensacionalizmit, roli i tyre në mbrojtjen e së vërtetës është jetik. Respektimi i etikës profesionale, verifikimi i burimeve dhe rezistenca ndaj presioneve të jashtme janë thelbësore për të siguruar që gazetaria të mbetet një shtyllë e palëkundur dhe e besueshme e demokracisë”, tha Tarran.
Gonzato: Liria e medias dhe liria e shprehjes, shtylla kyçe për çdo demokraci
“Siç e dini të gjithë, marrëdhëniet BE-Shqipëri sapo kanë arritur në nivel të ri javën e kaluar. Në Luksemburg ne hapëm negociatat e anëtarësimit për grup-kapitujt “Themleorë”, domethënë të gjitha fushat e politikave që ne i konsiderojmë themelore për anëtarësimin e ri dhe këto përfshijnë gjyqësorin, të drejtat themelore, duke përfshirë lirinë e medias, dhe lirinë e shprehjes, funksionimin demokratik të institucioneve dhe administratës publike”, tha Gonzato.
“Pas një procesi të suksesshëm të shqyrtimit, ne tani po hyjmë në pjesën thelbësore të anëtarësimit, kështu që po bëhet serioze”, shtoi ambasadori.
“Tani presim që Shqipëria të përmbushë angazhimet e saj, duke përfshirë lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes, të cilat janë shtylla kyçe për çdo demokraci dhe janë thelbi i kushteve politike që vendet kandidate duhet të plotësojnë përpara se të anëtarësohen në BE”, tha Gonzato.
“Procesi i anëtarësimit në BE i ofron Shqipërisë një mundësi për të rritur lirinë e medias dhe pluralizmin e medias, si dhe për të adresuar mangësitë në këtë fushë. Kjo do ta bënte Shqipërinë, një demokraci më të fortë dhe më elastike, sepse mediat e pavarura janë thelbësore në promovimin e qytetarisë aktive dhe pjesëmarrëse, ato janë vendimtare në formësimin e opinionit publik dhe janë vendimtare për t’i detyruar ata që janë në pushtet të japin llogari”, shtoi Gonzato.
Kjo vlen edhe për BE-në, meqë ra fjala, dhe kjo është arsyeja pse ne po zbatojmë liritë, masat mbrojtëse dhe rregullat kryesore në Bashkimin Evropian, theksoi më tej Gonzato.
Ambasadori i BE ftoi përfaqësuesit e medias të angazhohen në dialogun që do të përfshijë negociatat me BE-në për lirinë e medias.
“Ftoj të gjithë anëtarët e komunitetit të gjerë mediatik të Shqipërisë që të përfshihen në këtë dialog dhe të marrin pjesë në mënyrë konstruktive”, tha ai.
Tremblay: Liria e medias, e rëndësishme për nxitjen e dialogut
Philippe Tremblay, Drejtor i Zyrës së Përfaqësuesit të OSBE-së për Lirinë e Medias, në mesazhin e tij online u shpreh se, çështjet kryesore që po trajtohen në këtë forum janë thelbësore për të mbështetur median e lirë dhe të pavarur.
Ai u fokusua në liritë e medias në rajon, teksa nënvizoi rëndësinë e nxitjes së dialogut të hapur dhe sfidat me të cilat përballet gazetaria.
Duke folur për çështjet e pronësisë së medias, Tremblay tha se, “më lejoni të trajtoj së pari pronësinë e medias. Kush kontrollon median tonë si një ndikim të drejtpërdrejtë në shumëllojshmërinë e perspektivave dhe cilësinë e informacionit të disponueshëm për publikun. Po shohim përqendrim të shtuar të pronësisë në shumë shtete, gjë që rrezikon ngushtimin e hapësirave, për gazetari të pavarur cilësore dhe të besueshme”, tha ai.
Tremblay gjithashtu nënvizoi se, tranzicioni dixhital e ka transformuar gazetarinë.
Ai foli edhe për ndërveprimin mes gazetarëve dhe gjyqësorit.
“Marrëdhënia mes gazetarëve dhe gjyqësorit është vendimtare për ruajtjen e shtetit të së drejtës dhe mbrojtjen e lirive themelore”, theksoi Tremblay.
“Mund të lindin keqkuptime, të cilat kërkojnë përpjekje për të forcuar besimin dhe transparencën reciproke”, shtoi ai.
“Gazetarët dhe gjyqësori duhet të punojnë në mënyrë të pavarur për të siguruar një shoqëri të shëndetshme demokratike”, nënvizoi Tremblay.
Gjonaj: Lufta ndaj dezinformimit, objektiv i Komisionit të Posaçëm
Një temë e veçantë që u diskutua në këtë forum ishte edhe ngritja e Komisionit të Posaçëm “Për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit”.
Sekretarja e këtij Komisioni, Etilda Gjonaj u shpreh në fjalën e saj në panel se, një ndër objektivat kryesore për ngritjen e këtij komisioni ka qenë lufta ndaj dezinformimit.
“Nga diskutimet që kemi pasur me aktorë të ndryshëm të shoqërisë civile, të medies, apo edhe të organizatave ndërkombëtare, një ndër çështjet që ka pasur shqetësim të madh është dezinformimi, lajmet e rreme. Dezinformimi jo i parë më shumë në kontekstin e brendshëm, por dezinformomi i parë në kontekstin e asaj që mund të vijë nga ndërhyrjet e jashtme, të cilat përfshihen në forma të ndryshme.
“Ky është një fenomen, i cili nuk ndodh vetëm në Shqipëri. Në fakt ndodh pothuajse në të gjithë rajonin, ku jo vetëm ka krijuar një shqetësim dhe zile alarmi edhe për BE-në, por nga ana tjetër edhe për vetë garancinë që vendet e rajonit kanë në rastet e ndërhyrjeve të huaja nëpërmjet dezinformimit në 4 çështje kryesore.
Gjonaj theksoi se, këto çështje, lidhen me proceset demokratike, veçanërisht proceset zgjedhore, sigurinë kibernetike, sigurinë e qëndrueshmërisë së treguesve ekonomikë apo financiar dhe infrastrukturën kritike, ku shtoi ajo, këto ndërhyrje nëpërmjet edhe dezinformimit vijnë nga vende të cilat janë me qëllime dashakeqëse krijojnë një shqetësim të madh duke përfshirë dhe sigurinë kombëtare.
Sa i përket lirisë së medias, mbrojtjes së gazetarëve, lirisë së shprehjes, Gjonaj tha se, “ne e kemi vendosur këtë në objektivat strategjikë të komisionit”.
Gjonaj gjithashtu shtoi se, në këtë komision janë ftuar të gjithë aktorët e medias, të shoqërisë civile, Fakultetin e Gazetarisë dhe ekspertizën ndërkombëtare.
“Një gjë e kemi emërues të përbashkët dhe e kemi thënë në të gjitha takimet. Ka nevojë për rregullime, ka nevojë që edhe ato që janë rekomandime sot në progresraport, në screening, apo kritere që lidhen me pozicionin negociues ne të mund t’i adresojmë. Sepse nuk mund të jemi në këtë pasiguri ku dezinformomi mund të bëjë një dëm shumë të madh”, tha Gjonaj.
Zhupa: Opozita, aktori më i interesuar që të luftojë dezinformimin
Kryetarja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Ina Zhupa në fjalën e saj në panel, u shpreh se, nuk ishte e nevojshme ngritja e Komisionit të Posaçëm kundër Dezinformimit, pasi ato kompetenca i ka Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik.
“Unë drejtoj Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik dhe në detyrat e këtij komisioni është pikërisht media, dezinformomi, mjedisi ligjor i medias, kontrolli i AMA-s, që ka të detyrim që të vijë të raportojë, RTSH, etj. Pra brenda këtij komisioni ishte e gjithë mundësia që të kishim dhe një fokus të veçantë nëse donim t’i jepnim edhe më shumë rëndësi për dezinformimin. Pra është brenda kompetencave të këtij komisioni”, tha Zhupa.
Ajo shtoi se, “ne mund të kishim ngritur bashkërisht edhe një nën/komision që të fokusohej mbi disa ndryshime të caktuara ligjore, apo mbi ndërhyrje të jashtme, por ishte vullneti i mazhorancës për të mos e bërë në këtë komision, pikërisht sepse ky komision drejtohej nga opozita”.
Zhupa theksoi se, “nëse ka një aktor dhe faktor që do ta luftojë dezinformimin është pikërisht opozita”.
Gjithashtu Zhupa, u shpreh se çështja e dezinformimit nuk mund të jetë një çështje 6 mujore apo 9 mujore siç është mandati i këtij komisioni.
“Dezinformomi është një çështje që shtrihet në kohë dhe mënyra më e mirë për ta zgjidhur është në një komision të përhershëm siç është komisioni që unë drejtoj dhe që kemi gjithë vullnetin për të dëgjuar ekspertët, institucionet e pavarura dhe për të bërë më të mirën”, tha Zhupa.
Marku: Dialog për adresimin e disa hapave që Shqipëria duhet të bëjë për anëtarësimin në BE
Mark Marku, Dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, në fjalën e tij në panel duke folur për mundësinë e hartimit të një ligji për dezinformimin, u shpreh se, çështja e dezinformimit është një çështje e përkohshme që lidhet qoftë me zhvillimet e reja teknologjike, por qoftë dhe me krizën e madhe në Evropë dhe me gjeopolitikën ndërkombëtare”.
“Duhet të kemi parasysh që në rast të një ligji të kësaj natyre rreziku më i madh është që nga një ligj që adreson një problem, të kalojmë në një ligj censure. Dhe për këtë arsye aktorët janë shumë të ndjeshëm kur diskutohet për një ligj për dezinformimin”, tha Marku.
Ai gjithashtu foli edhe për organizimin nga ana e Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit të një dialogu të strukturuar si një iniciativë e BE-së dhe Këshillit të Evropës, i cili synon të adresojë disa prej hapave që Shqipëria duhet të bëjë për anëtarësimin në BE.
Ai u shpreh se, “unë personalisht kam marrë përsipër ta organizojë, ta ndihmojë, këtë platformë dialogu për 2 arsye”.
“E para, sepse për mua procesi i anëtarësimit në BE është më i rëndësishëm se vetë anëtarësimi dhe e theksoj shpesh që kjo është një mundësi që ne t’i arrijmë disa standarde që ndryshe nuk do t’i arrinim me vite për shkak të mosdakordësisë”.
“Jemi në fazën e negocimit, të plotësimit të kapitujve për të hyrë në BE dhe liritë e medias përbëjnë një nga problemet që ka Shqipëria sot për të hyrë në BE”, tha ai.
“Ne në progresraport kemi pasur deri tani vlerësime negative për liritë e medias dhe nga pikëpamja pragmatiste mendoj që një moment krize është edhe një moment i mirë për të adresuar disa probleme. Qeveria ka tentuar ta realizojë këtë dialog me aktorë mediatikë, por për shkak të atmosferës së mosbesimit që aktorët mediatikë kanë ndaj qeverisë, qeveria nuk ka përparuar në këtë drejtim dhe institucionet e BE-së, Këshilli i Evropës, organizatat që janë të angazhuara për të ndihmuar Shqipërinë për të hyrë në BE kanë kuptuar që duhet ndryshuar metodologjia. Pra duhet kaluar nga iniciativa e qeverisë për të negociuar me aktorët për të kaluar tek një aktor i tretë, në këtë rast është Universiteti, Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit dhe personalisht unë që do të tentojmë duke krijuar një atmosferë dialogu, por dhe një mjedis pune, për të adresuar disa nga problemet themelore që kanë mediat në Shqipëri”, tha Marku.
Ai theksoi se, në këtë platformë dialogu do të trajtohen disa nga problemet që kanë mediat në Shqipëri, si siguria e gazetarëve, kushtet e punës, mbrojtja ligjore e tyre, liria dhe pavarësia e mediave, jo vetëm si institucione informimi por edhe e gazetarëve, aksesi në informacion, pluralizmi, përqendrimi i pronësisë, pavarësia e transmetuesit publik dhe autoritetit rregullator AMA-s, raportet e mediave në fushatat elektorale, e drejta e autorit etj.
(ATSH)