Akuzat për korrupsion në prokurime, Rama: Kemi kursyer një miliard euro!
Në episodin 7 të sezonit 3 të Podkastit FLASIM, kryeministri Rama kishte të ftuar dy ekspertë të prokurimeve publike.
Në episodin 7 të sezonit 3 të Podkastit FLASIM, kryeministri Rama kishte të ftuar dy ekspertë të prokurimeve publike, Reida Kashtën, drejtoreshë e përgjithshme e Agjencisë së Prokurimit Publik, njëkohësisht edhe pjesë e skuadrës së negociatorëve për Prokurimin Publik dhe Jonaid Myzyrin, drejtor i Komisionit të Prokurimit Publik.
Kryeministri Rama u shpreh se është e rëndësishme të dihen përfitimet nga reforma në Prokurimin Publik pasi ka shumë akuza për korrupsion.
“Mirëpo, kjo është situata, bota ku po jetojmë. Në këtë pikë ke të bësh me njeriun më të korruptuar që mund të ekzistojë, nuk e di çfarë të them, ose duhet të çmendesh, ose duhet ta bësh atë punë, ose vetëm duhet të mbyllësh veshët dhe të shohësh përpara dhe thua: “Ju kam lënë Zotin, se nuk di çfarë të them më””, tha Rama.
“Kjo është një e dhënë që ndihmon ata që bombardohen çdo ditë, ku thuhet këtu janë pesë veta, këtu të gjitha i marrin pesë veta, këtu lekët ndahen mes pesë vetave”, tha Rama.
Ekspertja Kashta tha se është bërë një vlerësim ndër vite dhe të dhënat janë goxha premtuese.
“Kemi bërë një krahasim në periudhat 2009-2013 dhe 2014-2024 dhe numri i operatorëv ekonomikë të shtuar në këtë periudhë, pra 2014-2024 është 19 mijë e 16 operatorë ekonomikë plus, krahasuar me ata që janë të dublikuar nga periudha e mëparshme pjesëmarrjes në prokurimin publik. Mesatarisht, numri se sa operatorë ekonomikë fitojnë procedura të prokurimit publik është një tregues që ne e masim çdo vit. Treguesi i fundit është viti 2023 dhe mesatarja është 3.37 që marrin pjesë në një procedurë prokurimi.
Në një procedurë mund të marrin pjesë 15 operatorë ekonomikë, në një tjetër mund të marrin pjesë katër operatorë ekonomikë, ne masim numrin total të procedurave të një viti, dhe kjo shkon deri në pesë mijë, pra sa operatorë shkojnë për një procedurë. Ky është një tregues i konkurrencës në një sistem prokurimi. Konkurrenca në Shqipëri nga 2.2 që ka qenë në 2022, e kemi bërë 3.37 në 2023 dhe në BE kjo është një nga plagët e prokurimit publik.
BE po kërkon mekanizma për të rritur pjesëmarrjen në prokurimet publike, se e ka mesatarisht 2.5 për një procedurë prokurimi, ndërsa ne e kemi pasur më të lartë, 3.37 në vitin e kaluar. Ky është një fenomen që nuk ndodh vetëm në sistemin shqiptar, pasi konkurrenca varet edhe nga tregu që kemi përballë”, u shpreh Kashta.
Kryeministri Rama tha se fondi i kursyer ndër vite nga procesi i Prokurimit Publik shkon deri në 1 miliard euro.
“Në mos gabohem, ndër vite fondi i kursyer është 1 miliard euro, në vlerë absolute, pra janë 1 miliard euro që i kanë mbetur buxhetit të shtetit si rezultat i kursimit, falë një gare ku ka fituar pala tjetër me një çmim më të ulët se sa konkurrenti, po ku shteti ka kursyer një pjesë të konsiderushme të parasë të vënë në dispozicion për të bërë atë punë”, theksoi kryeministri.
(ATSH)