Sejko në takimin me FMN-në dhe BB: Shqipëria e ka fituar luftën me inflacionin

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në Mbledhjet Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), të zhvilluara në Uashington DC, SHBA.


Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në Mbledhjet Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), të zhvilluara në Uashington DC, SHBA.

Këto mbledhje përfaqësojnë një forum të nivelit të lartë, ku vendimmarrësit e FMN-së dhe BB-së, së bashku me guvernatorët dhe ministrat e financave të vendeve anëtare në këto institucione ndërkombëtare financiare, mblidhen së bashku për të diskutuar zhvillimet më të fundit të ekonomisë botërore.

Banka e Shqipërisë u përfaqësua në këto takime me një delegacion të kryesuar nga Guvernatori, Gent Sejko, Zëvendësguvernatorja e Parë, Luljeta Minxhozi, si dhe drejtues të tjerë.

Me këtë rast, Guvernatori Sejko zhvilloi disa takime të rëndësishme me personalitete të njohura të fushës financiare ndërkombëtare, ndër të cilët veçojmë: Drejtorin Ekzekutiv për Shqipërinë në FMN, Federico Giammusso; Drejtorin e ardhshëm Ekzekutiv për Shqipërinë në FMN, Riccardo Ercoli; Drejtorin e Departamentit Evropian në FMN, Alfred Kammer; Zëvendësdrejtoren e Departamentit Monetar dhe Tregjeve Kapitale, JenniferElliott; Shefen e Misionit të FMN-së Anke Weber, Zëvendëspresidenten për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore në BB, Antonella Bassani; Drejtorin Ekzekutiv për Shqipërinë në BB, Matteo Bugamelli, Drejtoren Rajonale për Ballkanin Perëndimor në BB, Xiaoqing Yu; Drejtorin Global për Financat, Konkurreshmërinë dhe Inovacionin në BB Jean Pesme.

Gjatë këtyre takimeve, Guvernatori Sejko i njohu përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së me zhvillimet ekonomike dhe perspektivat e progresit të mëtejshëm të vendit. Ai u shpreh se, ashtu si vendet e tjera, edhe Shqipëria u prek nga goditjet e pafavorshme ekonomike globale dhe inflacioni i lartë. “Shqipëria e ka fituar luftën me inflacionin që u shfaq prej fillimit të konfliktit në Ukrainë dhe tashmë inflacioni është në nivelet më të ulëta, ndërkohë që tregjet financiare paraqiten të qeta, dhe me kapacitet për mbështetjen dhe përparimin e mëtejshëm të ekonomisë shqiptare”, u shpreh Guvernatori Sejko.

Në këtë kuadër, politika e ndjekur nga Banka e Shqipërisë si autoriteti monetar i vendit ka qenë e mbështetur plotësisht në të dhëna, transparente dhe i është komunikuar në mënyrë efektive aktorëve vendas. Aktualisht, inflacioni në vend është i ulët krahasuar me vendet e rajonit dhe ato të BE-së, duke reflektuar një normë më të ulët inflacioni të përgjithshëm, si rezultat i politikës monetare të kujdesshme të Bankës së Shqipërisë, si dhe i presioneve inflacioniste të shkaktuara nga mbiçmimi i kursit të këmbimit.

Lidhur me politikat makroekonomike, Guvernatori theksoi se ato do të jenë të harmonizuara me synim sigurimin e një rritjeje ekonomike të qëndrueshme në periudhën afatmesme.

Përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së përgëzuan Shqipërinë për progresin e bërë në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe veçanërisht për çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian për grup-kapitullin e parë. Përmbushja e kritereve të anëtarësimit çon në zhvillimin gjithëpërfshirës politik, social dhe ekonomik të vendit. Ata gjithashtu u ndalën në vlerësimin e përmirësuar nga Agjencia prestigjioze Ndërkombëtare e Vlerësimit Moody’s, e cila e rishikoi me rritje ekonominë shqiptare, duke e konsideruar në Ba3- e qëndrueshme, nga B1-pozitive.

Në vlerësim i veçantë u shpreh nga ana e tyre edhe për reformat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë në drejtim të ruajtjes së stabilitetit financiar në vend dhe stabilitetit të çmimeve, të cilat sipas përfaqësuesve të këtyre institucioneve mbeten mandati dhe objektivi kryesor i Bankës.

Interesit të përfaqësuesve të FMN-së dhe BB-së për ekspozimin e sistemit bankar shqiptar, Guvernatori Sejko iu përgjigj se ai paraqitet i qëndrueshëm, me nivel të mirë kapitalizimi dhe likuiditeti. Kreditimi në ekonomi është rritur konsiderueshëm vitet e fundit – me një rritje prej 17% në 2024 krahasuar me vitin e kaluar – duke kontribuuar kështu në zhvillimin dhe rritjen e qëndrueshme ekonomike të vendit.

Përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së inkurajuan monitorimin e vazhdueshëm të rrezikut të kredisë bankare, të kursit të këmbimit dhe të normës së interesit. Ata e vlerësuan pozitivisht rolin dhe politikën e ndjekur nga Banka e Shqipërisë, duke u ndalur në veçanti te rëndësia e kthimit të inflacionit në objektiv. Së fundi, ata u ndalën në rëndësinë e harmonizimit dhe koordinimit të politikave, si në nivel kombëtar ashtu dhe në nivel ndërkombëtar, si parakusht për të siguruar një mjedis optimal për një ekonomi të qëndrueshme.

Guvernatori Sejko dhe përfaqësuesit e FMN-së e BB-së theksuan nevojën dhe rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit midis institucioneve dhe vijimit të ofrimit të asistencës teknike në të ardhmen.

Një tjetër takim i rëndësishëm ishte ai i guvernatorëve të bankave qendrore të Ballkanit Perëndimor me Zëvendësguvernatoren e Bankës së Italisë, Chiara Scotti. Banka e Shqipërisë po bashkëpunon ngushtë me Bankën Botërore dhe Bancad’Italia për zhvillimin e mëtejshëm të sistemit të pagesave, për të ofruar pagesa të shpejta që kryhen në kohë reale, me një siguri më të lartë dhe kosto më të ulët për qytetarët. “Është bërë një punë mjaft e mirë në modernizimin e pagesave, dhe digjitalizimin e sistemit bankar. Shqipëria ka aplikuar e para dhe pritet të bëhet anëtare e sistemit të pagesave Tregut Unik të Pagesave në Euro – i njohur si SEPA. Njëkohësisht, Banka e Shqipërisë do të implementojë dhe një sistem pagesash të shpejta (Instant Payment) që është kloni i sistemit TIPS, sistemi evropian i pagesave të shpejta. Për këto po koordinohet dhe diskutohet edhe me vendet e Ballkanit Perëndimor”, cilësoi Guvernatori.

Sipas tij, modernizimi i sistemit të pagesave, dhe digjitalizimi i sistemit bankar krijojnë kushtet për një zhvillim të mëtejshëm të produkteve bankare dhe ulje të kostove për konsumatorët.

Delegacioni pati rastin të zhvillojë dhe takime të tjera me homologë nga vende të ndryshme, takime në të cilat u diskutua mbi zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, me qëllim thithjen nga ana e Bankës së Shqipërisë të asistencës teknike për çështje specifike.

Në kuadër të këtyre mbledhjeve, Guvernatori Sejko dhe përfaqësuesit e BSH-së morën pjesë në seancën plenare të Komitetit Ndërkombëtar Monetar e Financiar të FMN-së, në seancën plenare të Mbledhjeve Vjetore të FMN-BB, si dhe në punimet e seminarit të G30.

Guvernatori Sejko ishte gjithashtu i ftuar në një mëngjes pune me ministrat e financave dhe guvernatorët e bankave qendrore, të organizuar nga Drejtori i Departamentit Evropian pranë FMN-së, Alfred Kammer, gjatë të cilit ai prezantoi zhvillimet makroekonomike në Shqipëri, sektorët kryesorë të zhvillimit, si dhe potencialin që ajo paraqet për investitorët e huaj.

(ATSH)

Integrimi në BE, Hasani: Shqipëria në fazë të avancuar, të ruhet ritmi

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, priti në një mëngjes pune përfaqësuesit e vendeve të formatit “Miqtë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Integrimi në BE, Hasani: Shqipëria në fazë të avancuar, të ruhet ritmi

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, priti në një mëngjes pune përfaqësuesit e vendeve të formatit “Miqtë…