Statusi i Minatorit, Rama: Do të fokusohemi tek të gjithë pensionistët, pa krijuar disbalanca
Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me pensionistë në Durrës për të ndarë pikëpamje për skemën e re të pensioneve.
Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me pensionistë në Durrës për të ndarë pikëpamje për skemën e re të pensioneve.
Gjatë takimit, një prej pensionistëve që kishte punuar minator, kërkoi rritje të pensionit dhe përshpejtimin e procedurave për miratimin e statusit të minatorit.
“Statusin e minatorit ne e kemi miratuar, ka kohë, nuk është e rastit që minatorët dalin në pension 10 vite para të tjerëve. Është në status, siç është dalja në pension para të tjerëve, janë edhe të gjitha përfitimet e tjera njësoj si kategoritë e tjera. Ne kemi vetëm me statuset e veçanta, me kompensimet, trajtimin e veçantë për drita etj., kemi 270 milionë euro. Tek këto 270 milionë euro përfshihen edhe minatorët”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se, “statusi është i miratuar, është e kotë që vazhdon kjo histori, nëse doni një tjetër lloj statusi jeni në të drejtën tuaj. Nuk ka më nga këto gjëra, nuk do të ketë përjashtime të kësaj natyre. Këto përjashtime kanë mbaruar. Ne do të fokusohemi tek të gjithë pensionistët për të bërë gjënë e duhur se pastaj krijohen disbalanca”.
“E di çfarë janë 270 milionë euro në vit? Dhe në total janë 700 milionë euro me gjithë deficitet e skemës etj. Ndaj e bëjmë këtë diskutim, as t’ju themi se ky problemi është i vështirë e nuk e zgjidhim dot, se bëjmë këtë diskutim, as t’ju themi mos prisni gjë, e bëjmë këtë diskutim që të jeni të vetëdijshëm se çfarë flasim. Se dalin lloj-lloj xhagajdurësh që flasin ‘do ta bëmë pension 1 mijë euro, 2 mijë euro’, ata që bënë firmat piramidale, por janë disa edhe me fytyra të reja, që janë njësoj si ata, por e kanë fytyrën e re. E dyta, e bëjmë këtë diskutim ta dëgjojnë edhe ata që duhet të kontribuojnë më shumë, kompanitë e bizneset, dhe ne jemi bashkë në këtë përpjekje”, theksoi Rama.
Rama tha se “ne kemi bërë një hap që pensionistët e vetëpunësuar të mos paguajnë sigurime shoqërore, sepse janë pensionistë, dhe për këtë arsye ata që vetëpunësohen ua kemi hequr që të keni lekë më shumë në xhep”.
(ATSH)