Kënaqësia e leximit!

Tashmë pasioni për të lexuar ka zënë rrënjë. Poezinë e kam zbuluar një pasdite vjeshte, duke shkelur mbi gjethet e rëna buzë Lanës…


Nga Ylli Demneri

Të bësh një listë duke renditur vetëm titujt e librave që të kanë zgjuar dëshirën për të lexuar e të lësh mënjanë emocionet që kanë shkaktuar ato zbulime e takime të lumtura, atmosferën kur janë lexuar, është sikur dashurisë t’i heqësh puthjet, lëpirjet, përkëdheljet dhe fjalët e ëmbla.

Kush e ka zgjuar tek unë për herë të parë këtë pasion për librat? Leximet e mia apo ato të tim eti kur nuk dija ende të lexoja ? Nuk mund të përgjigjem me saktësi. Por një gjë më kujtohet shumë mirë: kur ai më lexonte «Nga Apeninet tek Andet» të Edmondo de Amicis, gjatë pushimit të drekës në verë, unë përpiqesha të përmbaja lotët se më vinte turp të qaja.

Pastaj do të vinin leximet e adoleshencës, kur kërkon të kuptosh atë që po ndodh në qenien tënde, në pritje të asaj që do të quhet «Dashuria e parë» (Ivan Turgeniev); e do fillosh ta shohësh ndryshe pranverën pasi ke lexuar «Lulet e mollës» (John Gawsworth); do ta shikosh ndryshe rënien e dëborës kur ke mbaruar së lexuari tregimet e Çehovit. E do fillosh të kuptosh njeriun, veten, duke ndjekur ankthet e personazheve të Stefan Zweig-ut që ndodhen tërë kohës buzë greminës.

Tashmë pasioni për të lexuar ka zënë rrënjë. Asnjë meritë personale në këtë drejtim, vetëm takime të rastësishme, ashtu si shpeshherë takimet e lumtura. Leximet kthehen në ushqim në kuptimin e vërtetë të fjalës (a nuk i jam përgjigjur nënës me dhjetëra herë se do të ha pak më vonë nga që isha i mbërthyer nga leximi?). Kështu, «Gjeniu» i Theodore Dreiser-it, «Lufta e paqja» (Tolstoi), «Obllomov» (Ivan Gonçarov), «Shpirtrat e vdekur» (Gogol), «Asgjë e re nga fronti i perëndimit», «Tre shokët» të Erich Maria Remarque-ut (një libër mbi jetën e tij e mbarova këto ditë), «Lëkura e shagrinit» (Balzac), «Plaku dhe deti», «Të kesh a të mos kesh» (Hemingway), «Të mjerët», «Viti 93» (Victor Hugo), « Zonja Bovari » e Gustave Flaubert-it, përkthyer në një gegnishte të bukur letrare, e plot e plot të tjerë që më kanë mbrujtur, deri në ato takime tronditëse si me «Vëllezërit Karamazov», «Krim e ndëshkim», «Shënime nga shtëpia e vdekurve» të Dostojevskit. (Botime të Prishtinës).

Si mund të radhisësh vetëm tituj duke fshirë kushtet, atmosferën në të cilën ato janë lexuar ?! Sepse të lexoje Dostojevskin (shkrimtar i ndaluar) në kohë të diktaturës kishte tjetër ngjizje. Më kujtohet si sot kur ndërprisja leximin e dilja për të shëtitur, e bulevardi mbushur me njerëz që shkonin e vinin më dukej si sheshi ku të burgosurit dilnin për të marrë ajër.

Leximi është i lidhur edhe me kohën, me stinët, me kushtet klimatike. Me gjendjet shpirtërore. Sepse tjetër gjë është një puthje në një natë vere me hënë dhe tjetër gjë në një mbrëmje vjeshte. Dhe nuk ka të njëtën shije kur je i lumtur apo kur je i trishtuar. Poezinë e kam zbuluar një pasdite vjeshte. Duke shkelur mbi gjethet e rëna buzë Lanës, ndërsa një shoqe e klasës po më fliste për Eseninin (që nuk e njihja fare), duke më treguar që kishte vrarë veten e që me gjakun e tij kishte shkruar vargjet:

Lamtumirë, mik, pa fjalë e lotë!
Vetullat t’i ngrysësh, s’ke përse;
Vdekja s’është gjë e re në botë,
As të rrosh nuk është gjë e re.

Dhe që nga ai çast do të zbuloja më vonë poezitë e Pablo Neruda-s, Baudelaire-it, Rimbaud-së, Pushkinit, Prevert-it, e shumë e shumë të tjerëve.

Duke radhitur vetëm titujt e librave, fshijmë emocionet që na shkaktojnë bukuria e përshkrimeve, tensioni i situatave, zbulimi i disa të vërtetave, sepse «E vërteta nuk mësohet nga leximet filozofike apo nga diskutimet miqësore, por ajo na bëhet e njohur nga shenjat që ne perceptojmë në dhimbjen e dashurisë apo në mbresat misterioze që na lënë veprat e artit.» (Gilles Deleuze), pra, fshijmë këto «mbresa misterioze». Fshijmë atë çast që na bën të mbyllim librin (duke lënë dorën mes faqeve si mes kofshëve të së dashurës kur ajo na ka thënë fjalë të ëmbla me zë të ulët pranë buzëve), për të shijuar kënaqësinë që na ka falur ajo që sapo kemi lexuar.

Çaste sublime!

Pastaj vjen periudha tjetër, ajo jashtë Shqipërisë. Më saktë, periudha e Lirisë. Periudha e një etjeje të madhe për të lexuar ato që nuk mundeshim, që na ishin ndaluar. Dhe ishin shumë. Dhe jo vetëm letërsi. Lexime që, si kukullat ruse, më zbulonin të tjerë libra, të tjerë autorë duke lënë gjurmë në imagjinatën time, gjuhën e shkruar, dëshirat e mia, vlerat e mia, seksualitetin tim. Një revolucion në konceptet e mia. Pa ma shuar asnjëherë etjen.

Në këtë dëshirë për të lexuar nuk kam asnjë meritë, ashtu siç nuk kemi asnjë meritë kur biem në dashuri. Mos të rëntë rrasa!

Lexo më shumë nga

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…