Tola: Roja Bregdetare, funksione të rëndësishme në sigurinë e infrastrukturës kritike detare
Në Tiranë u mbajt Forumi i Funksioneve të Rojës Bregdetare Mesdhetare, organizuar nga Forca Detare/Roja Bregdetare shqiptare.
Në Tiranë u mbajt për tre ditë Forumi i Funksioneve të Rojës Bregdetare Mesdhetare i cili zhvilloi mbledhjen e tij të radhës organizuar nga Forca Detare/Roja Bregdetare shqiptare.
Komandanti i Forcës Detare, admiral Adnand Agastra u shpreh se ky është forumi i 10-të që zhvillohet që prej vitit 2009 në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian.
“Është një forum i sponsorizuar nga Këshilli i Evropës me qëllim ndërgjegjësimin dhe vendosjen në një tavolinë të përbashkët të të gjithë kapaciteteve të 11-të funksioneve të Rojës Bregdetare”, nënvizoi Agastra.
Ndërsa zv/ministri i Mbrojtjes, Dorian Tola u shpreh se, Roja Bregdetare kryen shumë funksione.
“Kur flasim për funksionet e Rojës Bregdetare ne na shkon mendja përgjithësisht tek funksionet e kontrollit të kufirit apo të zbatimit të ligjit në det, kundra kontrabandës së paligjshme, por në fakt funksionet e tyre janë shumë më të gjera. Ne kemi të bëjmë me ruajtjen e biodiversitetit, kemi të bëjmë me sigurinë e infrastrukturës kritike nënujore, me infrastrukturën kritike detare. Pra janë shumë e shumë fusha të tjera të cilat janë pjesë e këtij forumi dhe së bashku do të duhet të diskutohen”, tha ai.
Ky forum, i cili kishte për qëllim të rriste bashkëpunimin midis agjencive të rojave bregdetare të vendeve mesdhetare, mblodhi përfaqësues nga 14 shtete anëtare, dy shtete vëzhguese, përfaqësues nga pesë agjenci dhe institucione të BE-së, si dhe organizata ndërkombëtare dhe institucione kombëtare.
Tema kryesore e forumit për këtë vit ishin “Sfidat e reja në detin Mesdhe: Ekonomia Blu, Tranzicioni Ekologjik dhe Funksionet e Rojës Bregdetare”.
Gjatë dy ditëve të forumit, u zhvilluan katër panele me fokus në praktikat më të mira dhe bashkëpunimin ndërmjet vendeve.
Forumi MCGFF është një mundësi e shkëlqyer për të forcuar bashkëpunimin rajonal dhe për të adresuar sfidat e zakonshme në detin Mesdhe, duke promovuar një qasje të përbashkët për ruajtjen e burimeve dhe sigurisë detare.
Forumi i Funksioneve të Rojës Bregdetare Mesdhetare (MCGFF) është një platformë vullnetare, jo politike dhe e pavarur, e përbërë nga 24 vende mesdhetare.
Takimi i parë i MCGFF me iniciativën e Italisë u zhvillua në Gjenovë, në vitin 2009.
Takimet e mëpasshme të forumit respektivisht janë zhvilluar në Francë, Spanjë, Portugali, Itali, Turqi, Francë, Marok, Itali dhe Shqipëri.
(ATSH)