Polifonia e mendimit në krijimtarinë e Natasha Lakos

Natasha Lako ka dhënë një kontribut të vyer në letërsi. Ajo është evidentuar si një zë i fuqishëm poetik.


Nga Majlinda Rama

***

Pas Luftës së Dytë Botërore, hapësira për gruan krijuese në letërsinë shqipe u bë më e madhe, por ende mbeti e kufizuar. Autore si Arsino Bino, Adelina Mamaqi, Lavdie Leka, Helena Kadare, Klara Kodra dhe Eglantina Mandia, kontribuan në diversifikimin e skenës letrare, duke shënuar dukshëm procesin e ndryshimit. Në vitet ‘70, krijuese si Vllasova Musta, Shpresa Vreto dhe Feride Papleka spikatën me krijimet e tyre, në të cilat eksploruan tema sociale dhe moderne.

Ky rrugëtim i gjatë dhe kompleks i grave në letërsinë shqiptare dëshmon për përpjekjet e tyre për të sfiduar barrierat shoqërore dhe kulturore, duke kërkuar një vend të denjë në historinë letrare të vendit. Në këtë kohë, një figurë tepër e veçantë, që shënoi një kthesë thelbësore dhe hapi shtigje të tjera në letërsinë shqipe femërore, ishte Natasha Lako. Natasha Lako, me veprën e saj ka dhënë një kontribut të vyer në letërsi. Ajo është evidentuar, jo vetëm si një zë i fuqishëm poetik, por edhe si një figurë kyçe në zhvillimin e letërsisë bashkëkohore shqiptare, duke shfaqur një dëshmi krejt të veçantë mbi rolin dhe zërin e gruas në letërsi, të cilin e bëri më dominant. Përmes vargjeve të saj, Lako krijoi një dimension të ri të poezisë, ku narrativat personale dhe kolektive të gjinisë së brishtë ndërthuren në kontekste psikologjike dhe filozofike përtej sfidave historike, sociale dhe kulturore.
Në një kontekst të tillë pra, ku zërat femërorë ishin shpesh të margjinalizuar, Natasha Lako arriti të përfaqësojë një kategori të veçantë poetike, ku ndjeshmëria, botëkuptimi dhe universaliteti i mendimit të saj gjetën hapësirë për t’u dëgjuar dhe u bënë imponuese në zërin e kohës. Ajo i dha impulse të tjera krijimit, duke pasuruar traditën e nisur nga pararendëset e saj. Natasha Lako dalloi si një zë original dhe ndikoi në perceptimin e poezisë së shkruar nga grate.

Pra, kontribuoi në formësimin e një identiteti të ri letrar, ku zonjat krijuese dolën nga hijet dhe u bënë pjesë e rëndësishme e diskursit letrar kombëtar.
Sigurisht që, kontributi i Lakos është veçanërisht i rëndësishëm për krijimin e kësaj hapësire të lavdishme për gratë në letërsinë shqiptare, duke përfaqësuar një ndërthurje të fortë mes frymëzimit artistik dhe qëndresës ndaj sfidave të kohës, por në rrafshin e letërsisë kombëtare, Lako u bë e barabartë me zërat që e udhëhiqnin mendimin në këtë periudhë letrare, ajo vendosi standarde të reja për poetikën shqiptare dhe i dha poezisë një rol emancipues, duke shndërruar vargun në simbol të rezistencës publike, duke i dhënë fytyrën e guximit e të barazisë, duke i dhënë letërsisë hapësira të reja, të thelluara në vetëdijen qytetare dhe emancipimin shoqëror.

Poezia e saj qysh në fillesat e veta reflektoi një frymë të avancuar, të mbushur me frymën e qytetarisë dhe përparimit, duke e lidhur letërsinë shqipe me rrjedhat moderne të mendimit nga ku transmetoi mesazhe universale. Sot, Natasha Lako është një figurë komplekse që duhet lexuar në disa plane: si poete, skenariste, eseiste dhe si një grua që vazhdon të kontribuojë në emancipimin e mendjes njerëzore, hapjen e poezisë, letërsisë.

Natasha Lako karakterizohet nga një narrativë poetike krejtësisht e veçantë. Poetja ka fuqi të thellojë dhe pasurojë mendimin, shtron probleme të ekzistencës, të qenies, sfidon kufizimet tradicionale, sjell frymë të re dhe bashkëkohore, duke shprehur shpirtin e lire, përçon ndjenjë zhvillimi dhe hapjeje ndaj të resë, shfaq me autoritet absolut lirikën refleksive. Madje edhe në lirikën intime, Natasha është thellësisht refleksive. (“E përkëdhelur dhe e papërkëdhelur”, “Kërkohet urg jentisht një univers tjetër”, “Të presim dhe pak”, “Unë dhe perandoria ime e vogël”, “Piano, piano”, “Nuk më lë bora të shoh”, “Gjethet bien çdo vjeshtë”, “Këngë e menjëhershme dashurie”, “Prej dashurisë asgjë s’është shfaqur).

“Njeriu si një tjetër”

Universi krijues i Natasha Lakos plotësohet nga libri i saj i fundit, “Njeriu si një tjetër”, një vepër që eksploron lidhjen e pandashme mes letërsisë dhe filozofisë dhe ofron një alternativë leximi mbi fenomene dhe procese të ndryshme letrare.
Ky libër i veçantë udhëton përmes kohës dhe bashkon në një dialog gjithëkohor, autorë që u përkasin periudhave dhe konteksteve të ndryshme letrare.

Autorja synon të zbulojë thelbin e natyrës njerëzorepërmes krijimtarisë letrare. Këto ese ofrojnë një perspektivë të thellë mbi rolin e letërsisë në formësimin e mendimeve dhe ndjenjave që na përcaktojnë si individë.
Komunikimi nga një shekull në tjetrin, nga një botëkuptim në tjetrin, nga një gjuhë në tjetrën, nga një filozofi në tjetrën, por duke ravguar për të gjetur të ngjashmen, të përafërtën, të përbashkëtën, është një process që i lejon studiueses të krijojë lidhje midis ideve dhe temave që janë relevante për periudha të ndryshme historiko-letrare, duke reflektuar përvojat, ndjenjat dhe vlerat artistike si mjete që mbajnë gjallë mendimin, por edhe që rezonojnë universalen në letërsi.

Natasha është lexuese e vëmendshme dhe e informuar mirë. Ajo di të paraqesë pa i cenuar, një sërë gjendjesh dhe pasqyrimesh, duke bashkuar psh. personalitete si Herakliti me Pjetër Bogdanin, Naim Frashërin me Walt Whitman, De Radën me James Joyce. Udhëton përmes Eposit të Kreshnikëve, duke na sjellë një lexim tjetër të fuqisë së Mujit dhe magjisë së zanave, për të vazhduar me Pirandellon (i frymëzuar nga një shfaqje e dhënë në Tiranë) dhe Medean tragjike, etj
Meqë po veç disa syresh prej shkrimeve të këtij libri, dua të nënvizoj shkrimin e tri letrave për “Rapsodinë e këngëve arbëreshe”, ku autorja e thekson De Radën “si gjeniun e letrave dhe i fateve shqiptare”, për të vijuar me Asdrenin, Hasan dhe Hoxha Tahsin, Migjenin, duke shënuar kulme të reja me “Kukullën” e Kadaresë, që për mua është shkrimi më i bukur i librit.

“Kukulla” kthehet në një embrion të fatit të femrës në përgjithësi, një fat sa elegjiak edhe ngadhnues, që përmban në vetvete misterin e përparimit të kthyer drejt enigmës dhe errësirës, njësoj si në bisedat e Kadaresë me Vosnjesenskin. “Kukulla” është megjithatë një personazh real, që jeton në një shtëpi të gurtë, ku vjen një kohë kur gratë e moshuara e kanë për zakon të mbyllen brenda, në ngjashmëri të përkundërt me priftëreshat e lashtësisë, që duhet të vdisnin para kohe. Megjithatë, kjo kukull duket sikur jeton njëkohësisht jashtë një realiteti, atje ku me sa duket e vendos vetë shkrimtari aq sa për Kukullën ‘mund të pranohej g jithashtu prej të g jithëve se madje edhe një luftë e tërë botërore, mund të përmblidhej në një parfum të humbur’. Romani “Kukulla” formëson njëkohësisht një vetëmbrojtje të një virg jiniteti shoqëror. Lumturia dhe mendjemadhësia për këtë personazh të rrallë, kur zotërohen, janë krejt të natyrshme ose e njëjta gjë”.(Shkëputur nga libri “Njeriu si një tjetër”).
Është e rëndësishme të theksohet se Natasha nuk ndjek një plan të rreptë për të hulumtuar në studimin e një epoke, rrethane apo autori të zgjedhur. Origjina e motiveve të saj është spontane dhe e lidhur kryesisht me leximet, emocionet prej shfaqjeve teatrore, bisedat apo ngjarjet që ajo përjeton. Përmes këtyre përvojave të pasura, ajo thellohet në në mënyrë fare organike në analizat e saj krejt të veçanta dhe origjinale, duke ndërtuar një individualitet të mëvetësishëm në fushën e studimit dhe esesë.

Përveç kësaj, në këtë libër, Natasha Lako reflekton mbi konceptin e “Njeriut tjetër” brenda secilës qenie njerëzore, një nocion që qëndron i pranishëm në çdo individ dhe që shpesh e njohim vetëm në kontekste specifike, veçanërisht gjatë leximit ose rileximit të autorëve të ndryshëm. Përmes kësaj lenteje, ajo thellohet në mendimet dhe përvojat që manifestohen nga situata të ndryshme, duke ofruar një pasqyrë të re mbi krijimtarinë dhe ndërveprimin e mendimeve kulturologjike, me qëllimin për të theksuar perspektivat dhe teoritë që lidhen ngushtësisht me kulturën në përgjithësi dhe letërsinë në veçanti.
Natasha ka arritur të krijojë një lidhje të fortë me lexuesit përmes këtij libri, i cili është esencial për çdo student të letërsisë dhe arteve, si dhe për çdo lexues të zgjedhur që aspiron të arrijë nivele njohëse të kësaj disipline.

Në këtë vepër, Lako paraqet polifoni idesh, trajtesash dhe autorësh, duke i zhdukur kufijtë kohorë dhe gjeografikë dhe duke unifikuar traditat kulturore në një tërësi koherente. Ajo nuk mbivendos mendime, por ofron një manifest shpirtëror dhe argumentues, një platformë të mirëstrukturuar, me logjikë, mendim dhe stil, duke krijuar kështu një individualitet të theksuar edhe në këtë fushë, përveç shkëlqimit që e shoqëron si poete elitare dhe skenariste e dhjetra filmave ndriçues të çdo kohe.

Arti i letërsisë është i integruar në vetëdijen e Natasha Lakos, me çdo formë komunikimi që ajo zgjedh për t’u drejtuar lexuesit. Në këtë kuptim, lexuesi bashkëkohor dhe ai i së ardhmes duhet të ndalet tek ky libër, jo vetëm si një produkt letrar, por edhe si një riformulim i kuptimit më të gjerë kulturor. Vepra shkon përtej kufijve të letërsisë dhe prek fushat e psikologjisë dhe filozofisë, duke i lidhur ato me qenien dhe kuptimin human. Qëllimi i autores është të ofrojë impresione të leximeve të saj personale dhe refleksione mbi çështjet dhe fenomenet letrare, periudha të ndryshme dhe autorë të njohur, siç e vumë në dukje më sipër, por, ajo nuk i shmanget
eksplorimit të shtresave filozofike që lidhen me botën, njeriun, ekzistencën dhe jetën në të gjitha dimensionet e saj. Në një mënyrë të re, Natasha paraqet esenë moderne, duke shfrytëzuar intuitën e saj krijuese dhe analitike për të trajtuar zhvillimet e reja në këtë zhanër.

Ajo ndërton një sistem shenjash që paraqitet si një repertor i konvencave letraro- figurative, gjë që shfaq kuptime tërësisht të reja. Kjo qasje e ndryshme, larg formateve tradicionale të kritikës, e bën atë një udhërrëfyese të re për lexuesin bashkëkohor.
Natasha Lako paraqet një autenticitet të veçantë, duke u dalluar qartë nga autorët e tjerë. Me një stil dinamik, ajo ofron trajtesa, motive dhe tematika që shpesh ndonëse në dukje, duket se nuk kanë lidhje të drejtpërdrejta me njëra-tjetrën, ato bashkohen thelbësisht përmes parimeve dhe ideve të përbashkëta, duke u pikëtakuar në mesazhe, qasje të ngjashme dhe diskurse të larmishme. Lako nuk ndjek modele ose teori të gatshme, pra prezantime skematike, por përqendrohet në realitetet dhe universet që përzgjedhë të hulumtojë dhe kjo gjetje i jep një liri të pafundme për të eksploruar, më mendjehapur dhe pa asnjëparagjykim në botëkuptime të reja për lexuesin. Qasja e saj e sinqertë në interpretim dhe logjikë vjen si model frymëzues për lexime të tilla alternative.

Në parathënien e librit “Njeriu si një tjetër,” Natasha Lako shfaqet me modesti për lexuesit, duke paraqitur për ta një perspektivë të qartë dhe autentike mbi thelbin e qëllimeve të saj shprehëse. Ajo thekson se ky libër nuk synon të jetë një vepër e strukturuar mbi teoritë apo skemat e një kritike letrare të mirëfilltë. Megjithatë, në një kontekst ku kritika letrare në Shqipëri përballet me një mori sfidash dhe boshllëqesh, kjo vepër e Natasha Lakos shfaqet si një udhërrëfyes i vlefshëm për lexuesin, veçanërisht në një kohë kur letërsia dhe kultura kanë përjetuar një çorientim të thellë. Kjo polifoni idesh i jep veprës “Njeriu si një tjetër” një karakter të veçantë dhe e fton lexuesin të angazhohet në lexime të reja dhe interpretime të shumanshme.

Dhe në mbyllje desha të theksoja se “Njeriu si një tjetër” është një vepër që e fton lexuesin të angazhohet me letërsinë dhe filozofinë në mënyra të reja dhe interpretative. Ky libër ofron jo vetëm një pasqyrë të mendimit letrar bashkëkohor, por gjithashtu grishje për reflektime mbi njeriun, qenien dhe ekzistencën njerëzore.
Për të sjellë më afër dhe më plotë korpusin e veprës së Natasha Lakos, po përmbledh një jetëshkrim të shkurtër të saj: Vëllimet e saj poetike, “Marsi brenda nesh” (1972), “E para fjalë e botës” (1979), “Këmisha e pranverës” (1984), “Yllësia e fjalëve” (1986), “Natyrë e qetë” (1990), “Thesi me pëllumba” (1995), “Këmbë dhe duar” (1998), “Perandoria e barit” (2002), “Lëkura e ujit” (2005), dhe “Qielli i lënë përg jysmë” (2011), “Kundërpërfytyrimi”, që njohu disa botime, më i fundit ai i Onufrit (2023). Ajo gjithashtu botoi ese/studime si, “Energjia filmike” (2006), “Njeriu si një tjetër”, (2023) dhe romanin “Stinët e jetës”, ndërsa skenaret e saj për filmat përfshijnë, “Mësonjëtorja”, “Një emër mes njerëzve”, “Fjalë pa fund”, “Muri i gjallë”, “Partizani i vogël Velo”, “Rruga e lirisë”, “Një vit i gjatë”, “Plumba perandorit”, “I paharruari”, “Fletë të bardha”, “Lule të kuqe, lule të zeza”, “Përcjellja”, skenarët e dokumentarëve, “Shkronjat e pavarësisë”, “Te fala Ndrekë Luca”, “Koha e Pelikules (Xhanfise Keko), “Rikard”, kushtuar aktorit dhe reg jisorit Rikard Ljarja. (Një pjesë të tyre, me regji të bashkëshortit të saj, aktorit dhe reg jisorit, Mevlan Shanaj).

Natasha Lako është përfshirë në disa antologji botërore të poezisë dhe në përmbledhje ndërkombëtare poetike. Ajo ka vazhduar të sjellë poezi të reja dhe botime të shumta, duke shfaqur një jetë krijuese aktive, çka e veçon nga bashkëkohësit e saj.

Botuar më parë në gazetën “AexLibris”

Historia e Kongresit të Manastirit dhe stërgjyshi im Simon Shuteriqi

Njëri prej 32 delegatëve ishte edhe stërgjyshi im nga nëna, Simon Shuteriqi, ndoshta delegati më i ri i Kongresit të…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Historia e Kongresit të Manastirit dhe stërgjyshi im Simon Shuteriqi

Njëri prej 32 delegatëve ishte edhe stërgjyshi im nga nëna, Simon Shuteriqi, ndoshta delegati më i ri i Kongresit të…