Njeriu Mevlan Shanaj!
Aktori dhe regjisori i njohur Mevlan Shanaj promovoi librin e tij “Të fshehta jashtë ekranit”
Nga Raimonda Belli Gjençaj
“Piazza” e sotme, që në rininë tonë njihej me emrin “Postiqe”, për shkak të mikro –velenxave që “derdheshin” mbi ulëse, ka pasur dikur atmosferën e një vatre familjare. Nuk e ka humbur frymën as sot, ndërsa të pret me sharmin e një aristokrateje të lindur.
Mbase falë ngjyrave të ngrohta të arredimit, mbase për shkak të vezullimit të pasqyrave, që shoqërojnë buzëqeshjen e vajzës mikpritëse, që shfaqet sa kalon pragun…
Mbase dikush, po ta pyesja, mund të kishte informacion për emra të njohur mes bujtësve të saj, por nuk di të ketë pasur një mbrëmje tjetër si kjo e 7 Nëntorit 2024, kur artisti Mevlan Shanaj, bëri bashkë miq të tij, regjisorë, aktorë, njerëz të shtypit e të letërsisë.
Nuk aktroi, nuk recitoi, nuk foli për filma, apo skenarë…Na tregoi se si e pushtoi një ëndërr që do të realizohej në formatin e një libri, që do të na mbante mbërthyer mbi dimensionet njerëzore të ikonave të kulturës dhe artit.
Në katër kapituj, lexuesi gjen Artin e Kinemasë, Ikona të ekranit shqiptar, Meditime, reflektime dhe kujtime, dhe zhdërvjelltësinë përmbyllëse me Intervista.
Të gjitha këto duan kohën e tyre për t’ua zbuluar bukurinë në librin me titull” “Të fshehta jashtë ekranit”.
Tani le të zbulojmë atë që fshihet pas autorit…
Elokuenca është art. Mevlani e zotëron. Talentin e ka të lindur. Modestia është virtyt. Mevlani e ka me tepri. Nuk sforcohet për ta nxjerrë në pah. Do të thosha, se edhe po të dojë, nuk e fsheh dot. Aq natyrshëm e gjeneron kudo ku ndodhet.
Për këtë, Mevlani është një mësim i vyer.
E mbani mend djaloshin me sy të qeshur te “I teti në bronx”?
Pa dyshim që po. Edhe sot ka të njëjtin vështrim. Përmbytur nga mirësia dhe dashuria për njeriun…
Ai kujton ditën kur e thirrën për filmin, që do të bëhej fat i madh i artistit, ende student. Plot ngashërim erdhën fjalët që rrëfyen emocionet duke kulmuar me emrat: Sandër Prosi, Kadri Roshi, Pandi Raidhi, Piro Mani.
– Isha student, me një fjalë axhami…U gjenda mes një oqeani, por ata nuk ishin peshkaqenë…Ishin luanë. Ata më mësuan respektin, më mësuan artin, më mësuan punën…Ata, …ata…ata…
Nëse nuk e keni vënë re, Mevlan Shanaj pëlqen gjithmonë të përdorë vetën e tretë. Rrallë, kur nuk ka nga ia mban, i kthehet vetës së parë. Por edhe kur e bën këtë, i vijnë në ndihmë notat e humorit fin, që ia mbulojnë disi trazimin që i provokon e folura për veten. Edhe sonte ia doli me marifet, t’i ikte vetes e të fliste për të tjerët. Disa syresh ishin në sallë. Nuk përtuan “ia kthyen kusurin”.
Folën për vlerat e artistit, por, sikur ta kishin bërë me fjalë, gjuha u shkonte te Njeriu Mevlan Shanaj. Ishte prekëse ta dëgjoje.
Ama ishte mahnitëse ta lexoje në parathënien e shkruar mjeshtërisht nga Kujtim Çashku, se prej nga buronte kjo cilësi e rrallë që i rri aq natyrshëm Mevlanit.
Se s’ka njeri në botë të ta mëkojë, nëse nuk është Nëna.
“Bëje të mirën dhe hidhe në det”…”Mos ia bëj tjetrit atë që nuk e do për vete”… I ka sjellë vetë autori në kujtimet e tij, bashkë me mallin dhe dëshirën që ajo t’i rivijë”…
Sidoqoftë ajo ishte sonte përmes dashurisë së të birit, ishte dhe u ngroh nga dashuria me të cilin miqtë e rrethuan birin e saj, që shkuan nga shkuan, tek ekrani i madh, tek ekrani i vogël, tek udhëtimet, peripecitë e xhirimit, episodet, suksesi, fama…për të mbetur në fund te NJERIU.
Urime Mevlan Shanaj! Për librin, domosdo, por mbi të gjitha që ke mbetur Njeri…
Tiranë, më 07.11.2024