Të zbulosh të tretën në dy pasuri!

“Pasanikë të varfër” është romani i pestë në radhë i Grigor Banushit, nga nëntë të tillë.


Nga Raimonda Belli Gjençaj

TË ZBULOSH TË TRETËN NË DY PASURI

“Pasanikë të varfër”, romani i pestë në radhë i Grigor Banushit, botuar në vitin 2021, do të pasohej edhe nga katër të tjerë, për të mbërritur tek i nënti: “Gjenerali pa Yll”, vepra më e re e autorit dhe besoj jo e fundit.

Me një ritëm të tillë krijimtarie, ka gjasa që pas disa muajve mund të zgjohemi me kumtimin e një titulli të ri, që do të jetë vepra e dhjetë e autorit.

Para se të ndodhë kjo, po qëndroj në gjysmën e rrugëtimit letrar, e grishur prej kontrastit të pasanikëve të varfër.

Duke medituar me vështrimin mbi ballinën e librit, hamendjet më vërshuan, si rrjedha e ujit kur gjen shteg të lirë e ku nuk më shpuri trilli i krijuesit. I përfytyrova personazhet si njerëz me duar plot e shpirtin bosh. Parazitë të kamur, që vrisnin kohën, duke numëruar paratë…Ose duke tretur vështrimin, diku larg, siç tregonte pamja… Sapo kapërceva ballinën, trajektorja e mendimeve të mia, ndryshoi udhë. U ndjeva në faj para Gretës dhe Orestit, dy personazhe të ravijëzuar bukur si pamje e si karakter, jeta e të cilëve i shëmbëllen një rrugëtimi të përshkuar nga qindra mijëra të tjerë…

Me veçoritë e të përbashkëtat e tyre…Autori nuk zgjedh rrëfimin kronologjik të ngjarjeve. Kjo mënyrë rrëfimi të cingëris kërshërinë, sidomos kur lexuesi e gjen veten, që në faqen e parë, në një sallë madhështore, ku luhet një vepër operistike e denjë për përmasat e vetë skenës.

Në mes furisë së duartrokitjeve dhe emocionit të publikut, vëmendjen ta shpërqendron një detaj. Oresti është i shqetësuar…Oresti ka diçka për të thënë…Mbase nuk do ta besoni, por duhet të përshkoni 250 faqe që të mësoni se ç’e mundon personazhin.

Talent? Përvojë? Të dyja bashkë. Pena e shkrimtarit e merr me vete lexuesin. Tashmë ka dalë nga Teatri i Operës dhe gjendemi në Teatrin e Jetës. Aty ku regjisorët i kemi zgjedhur vetë, duke u besuar ditët dhe netët tona. Autori na kthen pas në kohë.

Në fillim nuk shkon shumë larg. E kupton prej kalvarit të ngjarjeve, strumbullari i të cilave është trashëgimia e mohuar prej rrufjanëve që i kemi hasur me shumicë pas ‘90-ës.

Kështu ngjizet historia që i ka dhënë frymën subjektit, por dhe titullit. Pikërisht aty personazhet qendrorë shfaqen siç janë. Duar bosh, por shpirtin plot. Është normale që pas kësaj të presësh zhvillimin e plotë të dramës…

Ankthet e tyre, ecejaket, zvarritjet, trokitjet nga një zyrë te tjetra, pritja, mbajtja gjallë e shpresës te drejtësia, janë sekuenca filmi të para e të ri-para në jetën reale, por mjeshtëria e autorit Grigor Banushi, i ka ndërthurur me të shkuarën, me kohën e rinisë së personazheve, në një ballafaqim të mungesës me pasjen, në të cilën merrnin formë ëndrrat. Mbase për të na thënë se vetëm me to jeta ka vlerë. Ëndrrat e personazheve, dikur mësues, bëhen të mëdha në Veriun e vendit, aty ku ata janë emëruar.

Dikush që e di, e kupton se po njihet me të vërtetën e jetës së vetë shkrimtarit. Ka diçka prej Migjenit, në përshkrimet e tij. Më shumë se prej emrit Pukë, është varfëria e zonës së mbuluar një pjesë të mirë të vitit prej dëborës. Grigor Banushi nuk e zbukuron. Nuk gjen asgjë idilike aty, nëse nuk flitet për dashurinë e dy të rinjve.

Nuk e di a ka qenë qëllimi i Banushit, por mes varfërisë materiale, pena e tij ka ngulmuar për pasurinë shpirtërore të grupit të arsimtarëve, që ndanin edhe ushqimin mes njeri-tjetrit. Rastësi, apo jo, e shkuara vjen në një kontrast të fuqishëm me babëzinë e sotme, ku përplasen Oresti me Gretën në betejat e lodhshme për të marrë atë që u takon.

Korrektë e të ndershëm, ata janë në kontrast të vazhdueshëm me të gjitha padrejtësitë që u bëhen. Jo pak, por për dhjetë vjet me radhë…E ndoqa fillin e historisë me bindjen se do të shihja të zhvilluar nga faqja në faqe rrugëtimin e “sfilitjes sizifiane”, siç vetë autori e ka quajtur përvojën e mundimshme të çiftit Vila.

Në vend të kësaj zbulova thelbin e gjithçkaje për të cilën ia vlen vërtet të ekzistosh. Është një mësim i lashtë sa njerëzimi, por që më së shumti, e harrojmë dhe kemi nevojë, që dikush të na i kujtojë. Siç më ndodhi dhe mua me romanin “Pasanikë të varfër”.

Isha drejt fundit, kur m’u përvijua jeta e njeriut, si pasuri e parë; pas saj në vend të dytë, u rehatua dashuria, por kur nuk mbeti gjë më për të lexuar, ndjeva se kisha zbuluar edhe pasurinë e tretë. Vullnetin e njeriut për t’i mbajtur gjallë ëndrrat…
——-
Prag-Panairi i Librit, 12.11.2024

Gonxhja: 14.5 milionë euro investime në nxitjen e një ekosistemi inovativ biznesi

Ministri i MEKI: Objektivi ynë është që Shqipëria të jetë një qendër novatore e gjelbër

Global 360

Shmyhal: Ukraina do të garantojë furnizimin me energji për Evropën

Ukraina do të garantojë “furnizimin me energji” për Evropën duke qenë “burimi më i madh i gazit në kontinent”, deklaroi…

Diplovista

Rama për median greke: Ligji absurd i luftës duhet shfuqizuar

Ligji absurd i luftës duhet shfuqizuar, deklaroi kryeministri Edi Rama në një intervistë për televizionin grek ”MegaTV”, pjesë të së…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Rikthim në tempullin e poezisë

Tre vite më parë, me 18 shkurt 2022 u nda nga jeta poeti Bardhyl Londo!

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Gonxhja: 14.5 milionë euro investime në nxitjen e një ekosistemi inovativ biznesi

Ministri i MEKI: Objektivi ynë është që Shqipëria të jetë një qendër novatore e gjelbër