Artikulli i plotë i presidentit Xi Jinping botuar në median peruane

Një artikull i presidentit kinez Xi Jinping me titull “Miqësia Kinë-Peru: Lundrimi drejt një të ardhmeje edhe më të ndritshme” u botua të enjten në gazetën peruane “El Peruano”.


Një artikull i presidentit kinez Xi Jinping me titull “Miqësia Kinë-Peru: Lundrimi drejt një të ardhmeje edhe më të ndritshme” u botua të enjten në gazetën peruane “El Peruano”.

Foto nga VCG

Më poshtë është përmbajtja e plotë e artikullit:

Miqësia Kinë-Peru: Lundrimi drejt një të ardhmeje edhe më të ndritshme

Xi Jinping, president i Republikës Popullore të Kinës

Vera e hershme në hemisferën jugore është një stinë e mbushur me gjallëri dhe shpresë. Me ftesë të Presidentes Dina Boluarte, së shpejti do të bëj një vizitë shtetërore në Republikën e Perusë dhe do të marr pjesë në Takimin e 31-të të Udhëheqësve Ekonomikë të APEC-ut.

Kjo është vizita ime e dytë në Peru, një “fqinje” e Kinës përtej Oqeanit Paqësor, që kur mora detyrën si president i Republikës Popullore të Kinës. Peruja është vendlindja e qytetërimeve të lashta, si Karal, Çavín, Çimú dhe Inka. Peruanët i referohen me dashuri popullit kinez si “paisano”. Kongresi i Perusë së fundmi e ka shpallur çdo 1 shkurt si Ditën e Vëllazërisë Peru-Kinë. Restorantet kineze në Peru quhen “chifa”, që është e ngjashme me fjalën kineze “chifan”, që do të thotë “ngrënie”. Sa herë që vij këtu, më pushtojnë ndjenjat e miqësisë së popullit peruan për popullin kinez.

Kjo lidhje miqësie dhe dashurie i ka rrënjët në mençurinë e qytetërimeve tona të lashta. Qytetërimi kinez është i vetmi në botë që ka vazhduar pandërprerë për më shumë se 5 000 vjet. Qytetërimi detar i përfaqësuar nga Karal dhe qytetërimi kontinental i përfaqësuar nga Inka janë një testament i historisë së vjetër, i pasurisë së thellë dhe i larmisë së jashtëzakonshme të qytetërimit peruan. Besohet gjerësisht në bashkësinë arkeologjike të Kinës dhe të vendeve të tjera se qytetërimi kinez dhe qytetërimet e Amerikave janë krijuar në fakt nga njerëz që kanë rrjedhur prej të njëjtëve paraardhës në periudha e vende të ndryshme. Nëpërmjet urtësisë së qytetërimeve tona, mendjet tona gjejnë gjuhën e përbashkët dhe zemrat tona rezonojnë. Populli kinez e konsideron gjithmonë “sinqeritetin si një parim themelor” dhe “dashamirësinë si një virtyt thelbësor”. Inkasit besojnë në rregullat “Mos vidh, mos gënje dhe mos ji përtac”. Mendimtari peruan José Carlos Mariátegui dikur ka thënë: “Shpirtërisht dhe materialisht, Kina është më afër nesh se Evropa. Psikologjia e popullit tonë është më shumë aziatike sesa perëndimore.” Ky është “kodi i qytetërimit” që shpjegon lidhjen e pandashme midis emigrantëve me origjinë kineze dhe banorëve vendas, të krijuar nëpërmjet integrimit të pandërprerë dhe lidhjeve familjare gjatë 175 vjetëve të fundit. Së fundmi, një dokumentar i titulluar “Nga Muri i Madh në Machu Picchu” do të shfaqet premierë në Peru nën kujdesin e autoriteteve të radiotelevizionit të të dy vendeve. Gjithashtu do të shfaqen në Peru një numër prodhimesh të njohura kinematografike dhe televizive kineze, duke përfshirë “Problemin e tre trupave”.Unë besoj se ato do t’i ndihmojnë miqtë tanë peruanë të mesojnë më shumë për Kinën.

Kjo lidhje miqësie dhe dashurie është një trashëgim që shkëlqen përgjatë shekujve nëpërmjet historive tona përkatëse. Janë të shumtë ata që më kanë thënë se populli kinez dhe populli peruan kanë ndier një ngrohtësi të menjëhershme në takimet e tyre të para dhe kanë pasur një moment “déjà vu”-je kur kanë vlerësuar artefaktet e lashta të njëri-tjetrit. Për shembull, maskat e arit të inkasve të zbuluara në Peru janë jashtëzakonisht të ngjashme me maskat e arit të zbuluara në një vend arkeologjik në Sanxingdui në provincën Sichuan të Kinës. Guri Intihuatana në një altar në qytetin e lashtë Machu Picchu, të cilin inkasit e përdornin për të shënuar stinët dhe për të hartuar kalendarët sipas ndryshimeve të hijes diellore, në fakt bazohet mbi të njëjtin parim që frymëzoi krijimin e orëve diellore në Kinën e lashtë. Njerëzit e mbretërisë së lashtë Shu në atë që tani është provinca Sichuan e Kinës nderonin diellin dhe Perëndinë e Diellit nëpërmjet imazhit të një zogu dielli që fluturon. Qytetërimi Inka e shprehte adhurimin e vet ndaj diellit në të njëjtën mënyrë. Dëshira për shkëlqim çmohej nga të dyja kulturat tona. Vjet, ekspozita “Udhëtim nëpër qytetërim” mbërriti në Peru si pjesë e turneut të saj botëror. “Ekspozita e Kulturës së Andeve Kontinentale të Amerikës së Jugut – Rruga ‘Qielli Inka'” dhe “Inkasit dhe Tawantinsuyu i tyre: Toka e katër rajoneve” u ekspozuan në Kinë. Këto veprimtari u bënë një sukses i menjëhershëm te popujt tanë. Ekspozita e “Qytetërimeve të Mëdha të Lashta: Kina dhe Tawantinsuyo në Peru” mbahet tani bashkërisht nga të dy vendet në Peru. Jeni shumë të mirëpritur të vizitoni ekspozitën për të parë të përbashkëtat dhe lidhjet e jashtëzakonshme ndërmjet qytetërimeve tona të mrekullueshme.

Lidhja e miqësisë dhe dashurisë sonë është bërë më e fortë nëpërmjet bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta kino-peruan. Peruja ishte një ndër vendet e para të Amerikës Latine që vendosi marrëdhënie diplomatike me Republikën Popullore të Kinës. Për më shumë se 50 vjet, marrëdhëniet tona dypalëshe kanë ecur në mënyrë të qëndrueshme. Sidomos që nga ngritja e nivelit të marrëdhënieve tona në partneritet të gjithanshëm strategjik në vitin 2013, lidhjet tona janë forcuar dhe bashkëpunimi ynë i orientuar drejt rezultateve ka qenë i frytshëm, duke sjellë përfitime të prekshme për popujt tanë. Në luftën kundër pandemisë së COVID-19, Kina dërgoi një ekip ekspertësh mjekësorë në Peru. Ne gjithashtu ofruam vaksina dhe furnizime të tjera mjekësore sipas mundësive tona. Ne kemi vërtetuar me veprime konkrete se Kina është një mike e besueshme tek e cila Peruja mund të mbështetet në momente kyçe. Peruja është vendi i parë i Amerikës Latine që nënshkroi një paketë MTL-je me Kinën. Ajo është gjithashtu ndër vendet e para në Amerikën Latine që ka marrë pjesë në bashkëpunimin në kuadër të nismës “Një brez, një rrugë”. Kina ka qenë partnerja më e madhe tregtare e Perusë dhe tregu më i madh i eksportit për Perunë për 10 vjet rresht. Vitin e kaluar, eksportet e Perusë në Kinë përbënin 36 për qind të vëllimit të përgjithshëm të eksporteve të saj. Bizneset kineze kanë bërë investime me vlerë prej rreth 30 miliardë dollarësh në Peru. Miniera e bakrit në Las Bambas, një projekt me investime nga sipërmarrjet kineze, kontribuon për rreth 1 për qind të PBB-së së Perusë, duke krijuar dhjetëra mijë vende pune. Spitali “Saúl Garrido Rosillo” në Tumbes, një projekt i ndërmarrë nga një kompani kineze, do t’u shërbejë mbi 100 000 banorëve vendas. Projekti i ujit në tre distriktet e Limës do t’u mundësojë më shumë se 400 000 banorëve të kenë ujë të pastër dhe shërbime sanitare.
Siç thekson një thënie e lashtë kineze: “Sjellja e përfitimit për njerëzit është parimi themelor i qeverisjes”. Ka edhe një thënie peruane: “Zëri i popullit është zëri i Zotit”. Si Kina, ashtu edhe Peruja po përpiqen për një jetë më të mirë për njerëzit. Ne duhet të mbështetemi në miqësinë tonë tradicionale për ta zgjeruar e thelluar bashkëpunimin me dobi të ndërsjellë në mënyrë të gjithanshme dhe për ta bërë atë më të përgjegjshëm ndaj kërkesave të epokës së re. Korrikun e kaluar, Komiteti Qendror i 20-të i Partisë Komuniste të Kinës mbajti plenumin e tretë, duke miratuar një masterplan për thellimin e mëtejshëm të reformës në mënyrë gjithëpërfshirëse, për ta çuar përpara modernizimin kinez. Kjo do të thotë mundësi të reja për Perunë e botën dhe premton një të ardhme të ndritur për bashkëpunimin me dobi të ndërsjellë Kinë-Peru.


Porti i Çankait / Foto nga VCG

Gjatë vizitës sime të ardhshme, Presidentja Boluarte dhe unë do të marrim pjesë me anë të videos në ceremoninë e përurimit të portit të Çankait. Ky nuk është vetëm një projekt i rëndësishëm i bashkëpunimit në kuadër të nismës “Një brez, një rrugë”, por edhe porti i parë inteligjent në Amerikën e Jugut. Faza e parë e projektit, kur të përfundojë, do ta pakësojë kohën e transportit detar nga Peruja në Kinë në 23 ditë, duke ulur kështu kostot e logjistikës me të paktën 20 për qind. Porti pritet të sjellë 4.5 miliardë dollarë të ardhura vjetore për Perunë dhe të krijojë mbi 8 000 vende të drejtpërdrejta pune. Përfundimi i portit të Çankait do t’i mundësojë Perusë të krijojë një rrjet shumëdimensional, të larmishëm e efikas ndërlidhjeje që shtrihet nga bregdeti në brendësi, nga Peruja në Amerikën Latine dhe më tej në Karaibe. Ai gjithashtu do të ndihmojë në ndërtimin e një Shtegu të Inkasve të Epokës së Re me portin e Çankait si pikënisje, duke nxitur kështu zhvillimin dhe integrimin e gjithanshëm të rajonit. Plani i zhvillimit të portit përfshin gjithashtu krijimin e shërbimeve të shpëtimit të kafshëve për të përmbushur përgjegjësinë e tij shoqërore për shpëtimin dhe mbrojtjen e pinguinëve, fokave e të shpendëve dhe për të përmirësuar mjedisin e ligatinave, plazheve e habitateve. Prandaj është shumë e rëndësishme që të punojmë së bashku për të siguruar suksesin e portit të Çankait nga ndërtimi deri në vënien në funksionim, në mënyrë që rruga nga Çankai në Shangai t’i çojë Kinën, Perunë dhe Amerikën Latine drejt zhvillimit dhe prosperitetit të përbashkët. Kina është gjithashtu e gatshme të nisë në Peru më shumë projekte bashkëpunimi “të vogla dhe të bukura” për sa i përket jetesës së banorëve, të hapë më shumë punishte dhe qendra “Luban” për gjuhën kineze e aftësimin profesional dhe të forcojë bashkëpunimin në arsimin profesional. Ne do të inkurajojmë kompanitë kineze të krijojnë më shumë vende pune dhe të përmbushin përgjegjësitë e tyre shoqërore në Peru, duke e bërë miqësinë tonë “paisano” më të prekshme dhe të dobishme.

Dy vendet tona duhet të përballen me përgjegjësinë e kohës sonë në lidhje me mësimin e ndërsjellë midis qytetërimeve. Duhet të forcojmë shkëmbimet dhe bashkëpunimin në kulturë, art, arsim, kërkim shkencor, turizëm, çështjet rinore, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, arkeologji dhe fusha të tjera. Duhet të marrim më shumë masa për të lehtësuar shkëmbimet e personelit për të fituar mbështetje më të madhe publike për marrëdhëniet tona. Nevojitet të rrisim bashkëpunimin në kuadrin e Forumit të Qytetërimit të Lashtë. Ne duhet të eksplorojmë krijimin e një rrjeti global për dialog e bashkëpunim ndërmjet qytetërimeve dhe të mbështesim shkëmbimet e mësimin reciprok ndërmjet tyre. Ne duhet të sigurojmë që qytetërimet, të ndryshme në shumë mënyra, ta përplotësojnë njëri-tjetrin dhe të shkëlqejnë së bashku, ashtu si pellgjet shumëngjyrëshe në Jiuzhaigou të Kinës dhe Tarracat e Kripura në Maras të Perusë, duke dhënë kështu një kontribut më të madh për përparimin e qytetërimit njerëzor.

Kjo do të jetë hera e tretë që udhëheqësit ekonomikë të APEC-ut takohen në Peru pasi ky vend ka organizuar me sukses takimet e viteve 2008 dhe 2016. Temat e tre takimeve, nga “Një angazhim i ri për zhvillimin e Azi-Paqësorit” te “Rritja e cilësisë dhe zhvillimi njerëzor” dhe tema e këtij viti “Fuqizim, përfshirje, rritje”, dëshmojnë vendosmërinë e fortë të Perusë për të promovuar një ekonomi të hapur të Azi-Paqësorit dhe rritjen e ekonomisë botërore. Ato gjithashtu përfaqësojnë një “Zë të Limës” të fortë për hapje, gjithëpërfshirje e bashkëpunim të favorshëm. Kina mbështet me vendosmëri kryesimin nga Peruja të APEC-ut dhe do të punojë ngushtë me Perunë për të siguruar një takim të suksesshëm e produktiv, për të përmirësuar bashkëpunimin të Azi-Paqësorit me një “Gjurmë të Limës” dhe për të dhënë kontribute të reja në ndërtimin e një komuniteti me një të ardhme të përbashkët të Azi-Paqësorit.

Bota po kalon një transformim të shpejtë të paparë në një shekull. Njerëzimi ka ardhur sërish në një udhëkryq historik. Për të vlerësuar plotësisht madhështinë e Vijave “Nazca”, ne duhet t’i shohim ato nga lartësia, sepse në nivelin e tokës, shkëlqimi i tyre i vërtetë mbetet i fshehur nga shikimi ynë.

Edhe një poezi kineze ka të njëjtin kuptim: “Mos ki frikë nga retë që ta errësojnë pamjen, sepse ti po qëndron mbi majën më të lartë”. Kina është e gatshme t’i bashkohet Perusë për një vizion më të gjerë dhe për të kapur prirjet themelore të kohës sonë nga një perspektivë e gjatë historike, për të mbrojtur multilateralizmin e vërtetë, për të promovuar një botë shumëpolare të barabartë e të rregullt dhe një globalizim ekonomik me dobi për të gjithë dhe përfshirës, duke zbatuar së bashku Nismën e Zhvillimit Global, Nismën e Sigurisë Globale dhe Nismën e Qytetërimit Global dhe duke ndërtuar së bashku një komunitet me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin.


Foto nga VCG

Siç thonë shpesh miqtë tanë në Amerikën Latine: “Pa guxim nuk mund t’i pushtojmë dot kurrë malet ose të kalojmë detet”. Në një moment të ri historik, Kina është e gatshme të punojë krah për krah me miqtë tanë peruanë me të njëjtën zemër e me të njëjtin qëllim dhe ta çojë anijen e miqësisë sonë drejt një ardhmeje edhe më të ndritshme.

Burimi: CRI.CN

Lexo më shumë nga

Avokatja e Popullit: Duhet një bashkëpunim i koordinuar për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve

Avokatja e Popullit nënvizoi rolin e rëndësishëm të monitorimit dhe ndërhyrjes në rastet kur të drejtat e fëmijëve shkelen ose…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Avokatja e Popullit: Duhet një bashkëpunim i koordinuar për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve

Avokatja e Popullit nënvizoi rolin e rëndësishëm të monitorimit dhe ndërhyrjes në rastet kur të drejtat e fëmijëve shkelen ose…