Timo Flloko – një dashuri parisiane

Për aktorin dhe poetin Timo Flloko, Parisi zë një vend të veçantë në jetën dhe botën artistike të tij.


Nga Luan Rama

Dashuritë janë të ndryshme. Janë dashuri për njeriun, gruan, për vendet apo qytetet, për natyrën, udhëtimet apo artin.

Për aktorin dhe poetin Timo Flloko, Parisi zë një vend të veçantë në jetën dhe botën artistike të tij.

Jo thjesht se i ati i tij kreu studimet në Sorbone të Parisit dhe solli në familjen e tij frymën frankofone dhe atë frankofili pasionante, por sepse në Paris Timo Flloko mundi të përjetojë një nga krijimet e tij artistike siç ishte roli në filmin « Larg Barbarëve » të regjisores franko-shqiptare Liri Begeja e cila ishte e pranishme në këtë veprimtari.

E po në Paris u krijuan poezitë e tij të para, një pasion që vite më vonë do të sillte botimin e dy vëllimeve të njohura poetike, « Trup e shpirt » dhe « Kërcim bosh ». Kujtimet e tij parisiane janë të shumta, miqtë francezë po ashtu. Por dhe rrugët, vendet kur dikur është xhiruar ai film, studio e Kosta Gavras në Rue Saint-Jacques ku mblidheshin çdo ditë meqë gruaja e Kosta Gavras ishte një producente e njohur e kinematografisë.

Po kështu xhirimet në Belleville të Parisit, Bastija, Canal Saint-Martin. Kujtimet kanë mbetur të gjalla dhe gjithnjë frymëzuese për të për çka shkruan dhe në poezinë e tij mjaft të bukur « Në Paris » : rrugët, bulevardet, La Rotonde apo La Coupole, Vavin me statujën e Balzakut që e joshte gjithnjë, krijuar nga dora e një skulptori gjenial, Rodin, apo hotel Brea ku banonte aty pranë dhe mbi të gjitha rruga Saint-Jacques, atje ku kishte hedhur hapat ati i tij dhe ku tashmë, pas kaq shumë vjetësh i hidhte dhe ai. C’piktakim i përmalluar !… Dhe më tutje Saint-Germain-des-Prés apo Odeoni me statujën e Dantonit revolucionar si dhe pak më poshtë lokali Le Procope, qëndra e iluminizmit dhe revolucionit francez që ka të shënuar në dy pllaka mermeri emrat më të shquar të historisë franceze. Pikërisht rreth kësaj dashurie parisiane, kinematografike dhe poetike u fol gjatë takimit të organizuar në qendrën kulturore shqiptare La Maison de l’Albanie në Paris ku ishin shumë artistë dhe intelektualë të ndryshëm shqiptarë e francezë si dhe ish ambasadorja e Francës në Shqipëri Christina Vasak apo ambasadori i Kosovës në Paris, Mehdi Halimi.

Fragmente të ndryshme filmike të shfaqura me këtë rast shpalosën dhe disa nga rolet më të mëdha të aktorit Flloko si roli i mësuesit në filmin « Lulëkuqet mbi mure » i regjisorit Dhimitër Anagnosti, me çastet kulminante të citimit të poezisë së Nolit ; Mato Gruda i filmit « Njeriu me top » i regjisorit Viktor Gjika, Cerçiz Topulli në « Liri a vdekje » i regjisorëve Mitro dhe Muçaj, Agroni në filmin « Vdekja e kalit » të regjisorit Saimir Kumbaro, Ceçemi apo rolet në filmat « Binarët », « Shtigje lufte » « Malet me blerim mbuluar », etj. Në bisedë me Fllokon, duke folur për eksperiencën e tij aktoriale si dhe fillimet e tij në artin e skenës dhe të ekranit, përfshirë dhe eksperiencën e tij amerikane në Los Angeles, në krah të James Belushit, ai rithekson atë që « Arti i aktorit është arti i transformimit.

Aktori nuk luan veten por luan karakterin, pra e shpie veten te karakteri, dhe unë si aktor e kam për detyrë të ndryshoj nga njëri rol në tjetrin jo për efekt kapriçioje por për shkak të përmbajtjes së tyre dhe në këtë sens aktori e bën këtë sepse ky është profesioni i tij. Transformimi është artistik, një konvencion; nuk mund të ndodhë kurrë që ti të transformohesh në rol dhe të harrosh se kush je në të vërtetë, përndryshe arti do të kthehej në patologji.

Edhe në dramat më të mëdha në teatër apo në film, krijimi artistik mbetet i tillë dhe nuk kemi të bëjmë më një shkrirje patologjike me rolin…”. Duke dëgjuar për këtë natyrisht që mendon për filmin e famshëm « Cinema Paradiso » dhe atë fëmijë të vogël të magjepsur nga filmi, Timon fëmijë kur në Pejë ku jetonte atëherë, shikonte filmat e asaj kohe dhe pasionin për kinemanë që ngjizej ndërkohë në shpirtin e tij. Dhe ëndrra bëri udhë. Në bisedë i rikthehemi përsëri filmit « Larg Barbarëve » ku ai kujton mjeshtrit e mëdhenj shqiptarë të skenës dhe ekranit të cilët ishin personazhe kryesorë të këtij filmi, çka për të ishte një krenari e veçantë që Shqipëria kishte nxjerrë mjeshtra të tillë të kalibrit botëror.

Pas bisedës rreth kinematografisë dhe krijimit artistik në ekran apo dhe në skenë që vazhdon dhe këto vite, aktorë, poetë e dashamirës të poezisë, shqiptarë e francezë, lexuan poezi të ndryshme të shkruara prej tij siç ishte aktorja Anila Dervishi që erdhi nga Brukseli të lexonte plot ndjenjë poezinë « Në Montparnasse » të cilën dhe e kishte përkthyer në frëngjisht ; poetja franceze Laure Cambau lexoi poezinë për mikun e tij të paharruar, francezin Luc Barnier shkruar nga Flloko ; Fulvia Shtëpani me poezinë « Bisedë me Anjshtanjin » dhe « Loti », apo Bujar Luca, miku i tij i kohës së xhirimeve të filmave nga Kinostudio me poezinë « Sytë », poezi të shoqëruara në këtë mbrëmje nga kitaristi Terenc Sotiri me muzikë klasike.

Timo recitoi gjithashtu dhe poezinë e tij « Miqtë », një nga poezitë më të njohura dhe shumë të dashur për të. Siç pohon Flloko, – “Poezia është art i thellë, koncentrik, sa përfaqësues dhe përgjithësues, është thelbi i artit. Letërsinë e kam dashur ngaherë ngaqë jam aktor; në mënyrë metaforike e kam si një strehë, por jo strehë letargjie krijuese, por një pasurim në sensin e krijimit edhe aktorial. Poezia është një mënyrë për ta mbushur jetën, për ta dimensionuar, për ti dhënë profesionit tim primar frymëzimin, nuancat, ato ngjyra që poezia i ka të fuqishme. Pse jo dhe konçizitetin, thellësinë, shtrirjen dhe hapësirën…”

Duke dëgjuar poezinë « Natë në Montparnasse » lexuar nga Dervishi kupton përjetimin e vet poetit rrugëve të Mantparnasse dhe asaj bote letrare dhe artistike të gjenive të mëdhenj francezë gjatë shekullit XX. Përmes poezisë poeti bëhet dhe një lloj filozofi mbi kohën, njeriun, shoqërinë njerëzore. Timo i dashuruar me Parisin kur çdo ditë ato vite që interpretonte në film vraponte nga Notre-Dame në Harkun e Triumfit, Timo që përjetoi Parisin e tridhjetë urave, sallat e kinemave dhe ai pikëtakim imagjinar me « Gjeniun » që qëndronte lart, në majë të obeliskut të ngritur në sheshin e Bastijës.

Dhe përsëri ai i rithehet mikut të tij parisian Luc Barnier, kineastit që aq shumë e deshi Shqipërinë dhe shqiptarët, kur porta e shtëpisë së tij ishte gjithnjë e hapur për artistët shqiptarë, publiçistët, romancierët e poetët. Duke iu drejtuar atij ndër të tjera ai ka shkruar : « Ndonjëherë… / Më shfaqesh si mirazh, / Në net të trazuara, / Si nget atje tej, / Një motoçikletë kozmike, / Dhe bën montazh copa qielli e resh… / Shkurton largësitë, / Që ekzistojnë mes nesh… »

Dhe të mos harrojmë një nga poezitë e tij mjaft të ndjera, ajo për mikun e tij dhe shkrimtarin e madh Ismail Kadare, ku ndër të tjera ai ka shkruar : « E piva kafen e helmët pa ty, këtë mëngjes, / Dhembjen, fillikat, me kë ta ndaja, / Chateau Juvenilja tek e shoh më ngjan, / Më shkretëtirë se Saharaja…

Ike heshtjes si gjigant, i menduar,/ (Bëre vallë pakt të fshehtë me ikjen?!) / Le bosh pas vetes, në mijëra zemra, / Zbrazëti pa skaj, apokaliptike… »

Lexo më shumë nga

Timo Flloko – një dashuri parisiane

Për aktorin dhe poetin Timo Flloko, Parisi zë një vend të veçantë në jetën dhe botën artistike të tij.

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Timo Flloko – një dashuri parisiane

Për aktorin dhe poetin Timo Flloko, Parisi zë një vend të veçantë në jetën dhe botën artistike të tij.