Rama: Rritja ekonomike 26 miliardë euro, zgjerim me trefish se në 2013-ën
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se ekonomia shqiptare është rritur me pothuajse trefish gjatë qeverisjes së kësaj mazhorance dhe se ky është zgjerimi më i madh i një ekonomie në rajonin tonë.
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se ekonomia shqiptare është rritur me pothuajse trefish gjatë qeverisjes së kësaj mazhorance dhe se ky është zgjerimi më i madh i një ekonomie në rajonin tonë.
“Kur ne morëm detyrën për të udhëhequr Shqipërinë, Prodhimi i Përgjithshëm Kombëtar ishte më pak se 10 miliardë euro. Sot është mbi 26 miliardë euro. Kjo do të thotë se ekonomia shqiptare është zgjeruar thuajse 3 fish. Ky është zgjerimi më i madh i një ekonomie në rajonin tonë“, deklaroi Rama në fjalën e tij në seancën e sotme plenare ku po diskutohet në parim projektbuxheti për vitin2025.
Rama theksoi se shifrat janë të publikuara nga institucionet financiare ndërkombëtare.
“Këto janë shifrat e patronazhistëve të institucioneve financiare ndërkombëtare”, deklaroi ai.
Kryeministri shtoi edhe se të ardhurat për frymë në Shqipëri janë 3-fishuar duke shkuar në 10 300 euro.
“Ishin 3 300 euro, sot janë 10 300 euro, pra 3-fish. Kjo është rritja më e madhe e të ardhurave për frymë në rajon. Dhe edhe këto janë shifrat e patronazhistëve të institucioneve financiare ndërkombëtare. Jo të miat”, tha ai.
Kryeministri vuri në dukje se fondi në dispozicion të shtetit për shërbimet e përgjithshme publike është sot 8.2 miliardë euro nga 3.2 miliardë euro që ishte në 2014-ën. Sipas tij, asnjëherë, askush tjetër nuk e ka rritur buxhetin e shtetit në njësinë e kohës më shumë se sa gjysma e kësaj rritjeje.
Rama po ashtu komentoi edhe qëndrimet e deputetëve të opozitës në sallë, të cilët në nisje të punimeve të seancës penguan fjalën e tij.
“Kur e kam paraqitur buxhetin e parë të shumicës sonë qeverisëse në këtë sallë, e vetmja gjë që nuk ka ndryshuar, janë ato që pamë në fillim të fjalës sime. Njëlloj. I gjithë fondi në dispozicion të shtetit për shërbimet e përgjithshme publike ishte 3.2 miliardë euro. Në buxhetin 2025 është 8.2 miliardë euro. Gati 3-fish. Asnjëherë, askush tjetër nuk e ka rritur buxhetin e shtetit, në njësinë e kohës, më shumë se sa gjysma e kësaj rritjeje. Dhe kjo për tu treguar zemërgjerë se përgjithësisht ka qenë shumë më pak”, u shpreh kreu i qeverisë.
Rama më tej akuzoi opozitën se kur ishte në pushtet nuk paguante familjet me ndihmë ekonomike dhe personat me aftësi të kufizuar.
“Kur kam ardhur këtu në këtë sallë për të paraqitur buxhetin e parë, 168 574 persona me aftësi të kufizuar dhe 105 580 familje me ndihmë ekonomike prisnin prej muajsh pagesën e tyre. Sepse shteti ju kishte kthyer kurrizin, ishte kërrusur nga barra e borxheve”, tha ai.
Rama nënvizoi se opozita e sotme, kur dje ishte në qeverisje, kishte krijuar detyrime të prapambetura prej 40 miliardë lekësh për kompanitë e ndërtimit, teksa rrugët ishin lënë rrugëve, edhe pse ishin prerë shiritët.
“40 miliardë lekë ishte borxhi i asaj qeverie ndaj kompanive të ndërtimit dhe të shërbimeve. Shiritët e prerë për rrugët e reja që tregoheshin si rrugë të reja, por që në fakt ishin rrugë të lëna rrugëve, ndërkohë që kompanitë kishin ndaluar punën, sepse nuk i paguante askush. U desh të rimerren dhe të ndërtohen në pjesën më të madhe gjatë këtyre viteve, duke kthyer të gjitha borxhet e prapambetura për kompanitë“, deklaroi Rama.
Burimi: ATSH