Esat Ypi vizionari, lapsi i mprehtë dhe mëndja e hollë i ekonomistit
“Koha i dha shpirtin ngadhnjyes të një kalorësi, që kalëroi i sigurtë mbi arenën gjigande të ekonomisë shqiptare”
Nga BUJAR QESJA, Mjeshtër i Madh
Rrallë e vendos titullin Mjeshtër i Madh, veçanërisht në ato shkrime ku përligjet angazhimi spikatës profesional, ndaj protogonistëve të kalibrit si ky i tanishmi me emrin pa e tepruar historik ESAT YPI. U lind me 21 shtator 1936. 88 e më shumë vite jetë. Por çfarë jete? Me çfarë stature është prezantuar, në këtë segment të gjatë kohor të frymëmarrjes? Me çfarë kostumi u vesh, të prerë nga rrobaqepësja jetë? Koha i dha shpirtin ngadhnjyes të një kalorësi, që kalëroi i sigurtë mbi arenën gjigande të ekonomisë shqiptare.
Kurrë nuk ka për t’u shuar fama e punës së tij, në kufij të epërm njerëzor, me përkushtim titanësh, me bindje dhe trimëri herkuliane, duke notuar i sigurtë në detin e rreziqeve. Dhe u mbështet, ku? Asllan Ademi, babai i tij krejt i veçantë, i cili bëri aktin më të pashembullt dhe në mexhlis burrash:
“Abdylin e pata mik për shpirt, e pata si vëlla. Dora tinzare që pabesisht e goditi, mund të jetë edhe këtu midis nesh dhe unë i them atij dhe ju të gjithëve, ku po asistoni në këtë varrim fort të dhimbshëm, e nëpërmjet jush gjithë durrsakëve e më tej, se nga ky çast unë nuk quhem më Asllan Ademi, por Asllan Ypi. Ashtu si Abdyli im i shtrenjtë, unë për armë kam lapsin dhe librin, për ideologji patriotizmin, për Atdhe Shqipërinë dhe për mbrojtës të madhin Zot”.
Këtë betim e bëri në ditën e varrimit, të mikut për kokë, avokatit të njohur dhe demokratit të lindur Abdyl Ypi, të cilin e vranë me 20 janar 1920. Ndonëse ky mbiemër, që u pa shtrëmbër nga sistemi komunist dhe do t’i hapte punë Esat Ypit, nuk u tërhoqën nga betimi i Asllan Ademit.
Dhe Esati do të shkruaj në libër:
-Babai disa herë më kishte porositur ta ndryshoj mbiemrin, se do të kisha gjithnjë telashe. Jo baba! Ti nuk e ndërrove dhe mirë bëre dhe të premtoj, se edhe unë nuk do ta ndërroj kurrë, sa të jem gjallë, madje kam shpresë që edhe fëmijët e mi, si dhe fëmijët e tyre, kurrë sdo ta ndryshojnë këtë mbiemër që të nderon në pafundësi, ty dhe të gjithë pasardhësve të tu.
Kemi dalë kështu në librin me titull:
“Esat Ypi, babai i konteinerit shqiptar –Kujtime, mbresa”
Ky libër është testamenti i Esat Ypit, që ia len së pari familjes së tij, mbesave aq të dashura, por edhe ne të tjerëve, miqve, shokëve dhe çdo durrsaku. Me Esat Ypin, kemi të drejtë të mburremi. Zëri më i denjë, më i aftë, më i mënçur, më i sprovuar, më përfaqësuesi, më i përbetuari jo vetëm i njeriut, por i zotnisë së kulturuar, të veshur me shijen e hollë të fisnikut dhe të ustait të sprovuar të lapsit të mprehtë dhe mëndjes së pasur me mineralin e florinjtë të dijes.
98 faqe nuk janë shumë për një jetë, madje janë shumë pak për një emër aq të madh, për një mjeshtër aq të spikatur, për një erudit aq përfaqësues si Esat Ypi. Koha e konsumuar prej këtij aristrokati të kulturës dhe të arritjeve, është aq e gjallë, aq e ndritshme, aq e pasur me ngjarje dhe dukuri, që ia vlen të ndaleshe më gjatë. Dhe rradhët tona, do t’ia vënë në dukje formatin, këtij gjigandi të mendimit të ekonomistit të sprovuar dhe pse jo edhe të pakonkuruar.
Libri “Esat Ypi babai i konteinerit shqiptar –kujtime, mbresa” është amaneti i shkruar i këtij mendimtari të ekonomisë për atë çka ishte, çka bëri dhe çka mbetet për të mos u harruar. Kur len një amanet, ndjehesh i qetë pasi ka zbatuar më parë një amanet tjetër. Cili është ky? Esati kujton dhe jo vetëm në një çast, atë që i jati Asllan Ypi, kishte dëshirë t’ia plotësonte:
-Dy këshilla po të lë si kuptim të jetës tënde: së pari maksimumin e punës dhe së dytë maksimumin e ndershmërisë”.
Asllan Ademi ndjehet i qetë në xhenet. Se çfarë bëri ky Esat në jetën e tij, është mrekullia e frymëmarrjes së një njeriu, që punoi 100 përqind me maksimumin e punës dhe 100 përqind me maksimumin e ndershmërisë. Brenda 10 viteve 1954 -1964, Esati i Ypijve mbaroi dy fakultete, mbrojti dy diploma në ekonomi dhe juridik. U bë ekonomist dhe jurist. Dhe biografia e tij për çdo sekondë, për çdo minutë, për çdo orë, për çdo ditë, për çdo muaj, e për çdo vit, u shkruajt pastër, ndershëm, profesionalisht saktë. Esat Ypi krijoi profilin e atij njeriu që nderon cilindo, duke punuar fort, duke menduar shumë, duke studiuar pambarimisht, me norma të avancuara të thellimit të njohurive, vënien e tyre në sherbim dhe në zhvillim të ekonomisë së vendit të tij.
Në tërë praktikën time profesionale, ku më është dashur të shkruaj për mjaft personazhe, një të tillë si Esat Ypi, nuk e kam ndeshur dhe besoj se nuk do ta ndesh, derisa forcat të më shterin e mëndja të më ndërpritet. Kultura dalluese komunikimi, elekuencë ekselencë në të folur, mendim i shprehur me figuracione që të mahnisin, akomulim njohurish që të hutojnë dhe mbi gjithçka veçon, dashuria e pamatë për Durrësin, durrsakët dhe detin, dallgët të cilat kur përplasen në breg, krijojnë melodinë më tërheqëse në botë.
Diku në libër lexojmë:
“Por a ka gjë më harmonizuese, më të këndshme, më shlodhëse… se muzika e perëndishme e dallgëve të detit, që për nga ëmbëlsia ia kalon nokturneve të Shopenit dhe nga fuqia edhe finales së simfonisë 9-të të Bet’hovenit. Kësisoj, a ka mëkat më të madh se sa ta quash zhurmë?
Libri është ndarë në disa mikrokapituj:
Fjala hyrëse e Albert Zholit; Esati, Konteineri, Familja; Kujtime, korespondenca mes miqsh…; Biri i portit nga Nadire Buza; Copëza jete me Bajram Thërminë; Të urosh një mik si ty është më shumë se detyrim, nga Bujar Qesja; Paradoks shqiptar, nga Prokop Biceri; Kush nuk e njeh muzikën, është më i varfër shpirtërisht; Apoteoza e dallgëve të detit; Mesazhe me mbesën Ines; Dy shembuj të ndritur të vlerave dhe respektit intelektual; Si u takova me Maksim Rakipaj; Një shembull i pashembullt – gjigandi i mirësisë dhe dashurisë njerëzore Petrit Myshketa; Historia e mbiemrit Ypi; Ypi denbabaden nga Edison Ypi; Dedikim, nga Esat Ypi.
Esat Ypi mbetet i trefishtë, teksa luan saktë dhe ëmbël në skakjerën e shahut të vështirë të jetës. Është bir i detit, bir i portit dhe bir i Durrësit. Ky trinom është aliazh i padepërtueshëm dhe soliditetin e ka treguar, në krye të herës e deri tash.
40 vite në portin detar, aty ku janë luajtur simfonitë e jetës së trazuar, bash si dallgët e detit, ku lundërtari Esat Ypi, voziste me barkën e trazuar për t’ia dalë. Për t’ia dalë në lapsin e mprehtë të ekonomistit. Për t’ia dalë nga kurthet dhe pusitë, që jo rrallë ngriheshin nga shtjellimi i kohës që konsumuam dje. Për t’ia dalë në kryelartësinë e detyrës. Për të dhënë, apo për të vënë në vend, amanetin e Asllan Ademit-Asllan Ypit. Për të dhënë maksimumin në punë, e maksimumin në ndershmëri.
E filloi punën si ekonomist në Sektorin e Magazinave dhe më pas, drejtoi Degën e Planit të njërës prej ndërmarjeve më të madha në Shaqipëri, Portin Detar të 3000 punëtorëve. Esati, Porti, Deti fuqia e një trekëndëshi barabrinjës. Esati baraz punë. Porti baraz fuqi gjeneruese. Deti baraz frymëzim. Ti nuk ishe thjesht një ekonomist. Ti e bëre këtë profesion, të këndoj me zërin e profesionistit të pacak, ku vendose të provosh sfida të vështira në kohë delikate. Ti më shumë Esat Ypi, duke qenë pranë detit e dije se çfarë janë stuhitë, që kur i kujton mat sipërisht mbijetësën tënde.
Libri është historia e jote. Botuesi, miku ynë Kaçulini, është kujdesur për ta formatuar sa më mirë këtë simbol të përkushtimit. Por duke ndjerë shqetësimin tënd, se një studim nga më të veçantët duhej të ishte strehuar në ato 98 faqe, më duhet ta përmënd dhe ta shtoj në këtë analizë të librit.
Kush është ky studim? “ Mbi përmirësimin e taksave, tarifave e shërbimeve portuale për anijet e huaja”. Studim është përfshirë dhe në disertacionin e shkallës së parë shkencore. Dhe po shkruaj pa redaktim, se çfarë më ke shkruajtur.
-Kam punuar shumë gjatë me këtë studim. Kisha parë deklaratat e llogarisë të të gjitha anijeve tona, ku ishin taksat portuale që ato kishin paguar në portet e huaja. Përgatita projekt vendimin e Këshillit të Ministrave, relacion që ia dërgova ministrit të kohës dhe ai e nisi në qeveri. Ministër ishte Luan Babameto. Kryeministri Adil Çarçani e mori në telefon dhe i ka thënë : “Është në vete ky djalë more Luan, se nuk po na thotë për 300 apo 3000 dollarë që do të na gëzonte, por 300 mijë pa asnjë investim. Ma ka treguar këtë Luan Babameto, në prezencë të Feruz Matajt. Dhe qeveria e firmosi, pa i hequr asnjë presje projektit tim. Që në 6 mujorin e parë të vitit 1979, kohë kur nisi të zbatohej projekti, kaluan në arkën e shtetit 168 mijë dollarë. Dhe ky fitim pa asnjë investim dhe asnjë protestë nga anijet e huaja.
Pastaj çfarë bëri ky njeri, për prodhimin e konteinerit të parë shqiptar me kapacitet 5 ton, është historia i një ekonomisti të rrallë, që për fat na takoi ne durrsakëve ta kishim në gjirin tonë. Ypi e kishte kolauduar, apo temperuar më parë fuqinë e talentit, të pasionit të jashtëzakonshëm për profesionin. Asnjëherë nuk e trajtoi veten rrogtar, por testues i shkallës më të lartë të vështirësisë së profesionit. Kërkim dhe shkencë. Studim dhe hulumtim. Thellim në përvojën e përkryer të punëtorëve, teknikëve, inxhinjerëve, kuadrove të portit detar. Dhe vlerën e punës, e mati me devizën: sa jepte dhe jo sa merrte.
Konteineri. Ëndërr, por e kthyer në realitet nga vizionari Esat Ypi. Konteineri në Europë erdhi për herë të parë, në vitin 1964 nga Amerika. Vizitoi portet e huaja si Ruen Francë, Gdanskun Poloni, Hamburgun Gjermani e gjetkë për ta parë, për ta prekur, për ta studiuar. Përmënd miqtë e respektuar që punonin në anije si Muhamed Laknori, Viron Sadikaj, Enver Gucia, Rrok Nikaj, Haxhi Shehu, Adem Jaupi etj.
Vrau mëndjen duke e trazuar trurin, në mundësinë e prodhimit në këtë tokën tonë. Mobilizoi aftësitë realizuese më parë në portin detar, më pas në UMB dhe më tutje në fabrikën e gomës. Por sensi masiv, fuqinë e përbashkët e bashkon me mundësitë e vetes. Besim Barometa, mbetet kapitull i vlerësueshëm i prodhimit të konteinerit. Dhe bashkë me të, inxhinjerët e famshëm Dashamir Luga dhe Shpëtim Prodani, mekaniku Thoma Thimjo, e të tjerë bashkëpunues. Çapit nga Uzina Mekanike Bujqësore dhe ndërton konstruktin. Vulën e vendos në fabrikën e gomës, ku shkëlqen puna dhe mëndja e Petrit Llullës, duke prodhuar gominën kundra ujit. Petriti ka mbaruar studimet dhe regjur praktikën në Çekosllovaki.
Me 14 prill 1986 lindi konteineri i parë shqiptar. Gëzimi mori dhenë. Besimi për t’ia dalë u krijua. Pas dy vitesh, filloi prodhimi në seri i konteinerit 5 ton. Arritje e jashtëzakonshme. Fitore e paimagjinueshme. Modestia i këtij burri, varej thjesht në shpirtin e tij të pastër si cipa e qepës. Fjalët e të jatit Asllanit, i lauruar në Stamboll për mësuesi: puno bir me maksimumin e punës dhe maksimumin e ndershmërisë, iu bënë si refren i triumfit të këngëve dhe melodive të fitores.
Dha shumë. Meritoi shumë. Titull dhe vlerësim zyrtar nuk mori, por gëzohet në tepripër atë respekt dhe mirnjohje, që e mbulon një popull i tëri. Aristokrati i ekonomisë shqiptare. Mister konteineri. Aftësitë e vete ia dha 100 përqind punës dhe puna e nderoi, e veçoi duke e vendosur në lartësinë e asaj bukurie shpirtërore dhe profesionale, e cila shkëlqen dhe ka gjasa përjetësisht të mos veniten asnjëherë.
Ka marrë dhenë këshilla e Marko Karolit, kur ia dorëzoi detyrën e drejtorit të portit Bajram Thërmisë:
-Mbaje afër Esatin. Krijoi kushte, që të punoj qetësisht. Vendose në çadrën tënde, që të mos e dëmtojë as shiu dhe as era, se do ta shpërblejë ty dhe portit, sepse është vërtetë laps i mprehtë dhe i ndershëm.
Si gjerdan i florinjtë në shpirtin e rrethuar me rubin, qendrojnë punët e thella kërkimore dhe shencore:
Studimi “ Mbi përmirësimin e taksave, tarifave e shërbimeve portuale për anijet e huaja’. Ky studim është përfshirë dhe në disertacionin e shkallës së parë shkencore.
Studimi:”Zhvillimi i parametrave kryesorë të Portit të Durrësit në 20 vitet e ardhshme 1973-1993”.
Libri:” Organizimi i punës në portet detare”, i pari dhe i vetmi.
Shumë studime të vlefshme, duke i siguruar ekonomisë efektivitet financiar.
Desertacionin e dy gradave shkencore:
Grada e parë: “Probleme të përsosjes së planifikimit dhe të organizimit të punës në Portin Detar të Durrësit”. U mbrojt në vitin 1981.
Grada e dytë shkencore në vitin 1989:
“Probleme të rritjes së efektivitetit në portet detare dhe në transportin detar”.
Jo thjesht ekonomist, por edhe hulumtues i prodhimit. Bëri ndryshime në repartin e takillazhit dhe brigadave komplekse të ngarkim shkarkimit.
Esat Ypi e trajton veten me fat, që punoi me drejtorët e portit në vite Feruz Mataj, Marko Karoli, Bajram Thërmija dhe Kosta Misja, duke i trajtuar si senatorë të përjetshëm të qytetarisë durrsake dhe jo vetëm.
Për Marko Karolin shprehet:
-….jo vetëm si limiti i aftësive profesionale, por mbeti eurdit i jashtëzakonshëm që nuk rreshti së studiuari. Shpirti dhe ndershmëria e tij, qenë të madhërishme. Mbetet gjigand i mendimit krijues. Shkëlqente në gjithçka…
Për Bajram Thërminë:
-Valla e ka kufi ndershmëria, apo kufiri është Bajram Thërmija”.
Esat Ypi është i bekuar nga perëndia. I mirë dhe i plotë në të gjitha treguesit e jetës. Kulturë ekonomike, por dukshëm edhe shumë kulturë njerëzore. Kur është larguar për në Trevizo, 20 vite të shkuara nga shtëpia e tij në Durrës në drejtim të Italisë, është mbushur një maune me libra. Këtë e tregon shoferi i mjetit Maksi, djali i intektualit të njohur Hysni Çyrbja.
Në libër është strehuar moment emocional, kur Esat Ypi shikon ëndërr me sy hapur:
-I sëmurë dhe i operuar kam udhëtuar gjatë, për t’u ndodhur në teatrin e famshëm “La Skala” të Milanos. Ishte dita më e bukur e jetës time. Koncerti që ndoqa nga orkestra, me dirigjent më të madhin të gjallë që ka bota sot, izraelitin Daniel Barenboim. Çfaqja përmbante simfoninë e pambaruar dhe simfoninë e madhe, dy kryevepra të Shubertit, që më kishin mrekulluar në rininë time. 17 minuta ovacione. Më besoni se tërë koncertin e kam inçizuar në shpirt, pasi edhe Shileri kështu e trajton muzikën “zërin e shpirtit”.
Jeta e Esat Ypit ngjason me fabrikë gjigande, ku është prodhuar dhe prodhohet statura e familjes së tij, mirësia e pafund dhe fisnikëria lyer me ngjyrat e një shpirti të dlirtë dhe fort njerëzore. Familje, që nuk pushon së linduri ekonomistë të dorës së parë. Esati, djali Indriti, vajza Evisi, mbesa si vajzë Benereta, janë diplomuar e lauruar për ekonomistë. Dalim kështu tek familja, kapitulli më i shenjtë i jetës së shkencëtarit të ekonomisë shqiptare Esat Ypit.
Suzana Kole, e konsideruar si Nënë Tereza për nxënësit, mësuesja e njohur e kimisë në Durrës, është nga dera e famshme e Karapicëve të Tiranës, madje e motra e profesorit të sporteve Adem Karapici. Me 3 janar 2019 mbylli sytë përgjithmonë, duke krijuar tronditje dhe trishtim në familjen Ypi. Indriti punon në fabrikën e Mitsubishit në Trevizo. Ndërsa Evisi manaxhere në një kompani të përmëndur po në Trevizo.
Dy mbesat, janë kuptimi i jetëgjatësisë së 88 vjeçarit Esat Ypi. Ai “vdes” për to, përgjërohet për to. Ines është lauruar për inxhinjeri gestionale në Padova, ndërsa Arianna ndjek studimet në Bruksel. Benereta, vajza e Hamide Ypit Ushtelenza punon dhe jeton në Fano. Nevila, e shoqja e Indritit,plotëson familjen shqiptare në Trevizo të ekonimistit të çquar shqiptar Esat Ypi. Por nuk harron edhe Eduart Xhepën, që e trajton si birin e tij.
Esati mbetet shpirt i ndjeshëm, me natyrë të qetë dhe me shpërthime profesionale bash si dallgët e detit, që përplasen fort në kalatat e betonta, ku prej 40 vitesh kanë qenë në shikimin sentimental dhe adhurues të ekonomistit tonë. Me ngarkesa emocionale është letërkëmbimi i Ypit, me mbesën Ines kur shkoi të ndjekë studimet e larta.
-…Foleja e mëndjes time tani, ditë dhe natë, është na bankat tuaja të shkollës. Çdo arritje e jotja, është gëzim i papërshkrueshëm për mua. Të jesh e rreshtuar përherë me më të mirat. Gjyshi të ka mësuar, jo të mësysh për të qenë superiore ndaj të tjerëve, por ndaj vetes që ishe dje, ndërsa shoqet dhe shokët që ke pranë ti respektosh, t’i çmosh, e po munde edhe ti ndihmosh. Këshilla tjetër e imja është: Ushqeje mëndjen me dije, zbute shpirtin me muzikë, kalite trupin me gjimnastikë.
Dhe i kënaqur për ecurinë e mbesës së bukur si hëna e plotë, plot gëzim shprehet:
-Ashtu si një shahiste e mënçur që fal një ushtar, për të fituar një oficer, Ines fali nga orët e dëfrimit prej nga rriti orët e studimit, duke fituar Laurën dhe solidaritetin e themelit të së ardhmes.
Esat Ypin e njohin të gjithë në Durrës. Jo vetëm miqtë e tij më të respektueshëm Petrit Llulla, Riza Xhepa, Muhamed Laknori, Bardhyl Dushi, Nikolla Ligea, Fatos Kulla, Tasim Besho, Luan Omeri, Piro Qerimi, Faruk Kaba, Haki Bllaca, Hasan Banja, Artan Tola, Beniamin Çeta, matura e vitit 1954, por edhe deti me dallgët, rrugët dhe rrugicat e Durrësit, kalldrëmet e pashtruara, era e furishme duke ia lyer trupin me kripën e ëmbël të qytetit.
Dallon figuracioni i asaj që kërkon të shprehet. Për mikun e shtrenjtë Maksim Rakipaj, thotë se është “i veshur me diell dhe i mbathur me hënë”. Por doktorin e zemrës Riza Xhepën, formulon opinionin se “është njeri pafundësisht i përkryer, monument lëvizës i dijes, mënçurisë, mirësisë, dashurisë dhe ndershmërisë”.
Mirnjohës tregohet Esat Ypi, ndaj Petrit Myshketës, për pohimin ndaj një prone që i takonte Asllan Ypit. Në libër Esati shkruan:
-… e pra ju lutem më lejoni, që Titin ta quaj një Kambron shqiptar, atë gjigand të trimërisë siç e quan Hygo, ndërsa Titi ynë, ky durrsak i madh i tregoi këto vlera jo me diçka dosido, por me një shtëpi për të cilën ndodh që edhe të grinden rëndë prindër dhe fëmijë. Petriti shpalosi mrekullisht vlerat e Myshketasve, të këtij trungu apo oxhaku të lashtë durrsak, plot kualitete e vlera të epërme morale, që brez pas brezi kanë krijuar emër të shkëlqyer, të vlerësuar, adhuruar dhe respektuar në Durrës…
Deti, dallgët, era, zgalemi, horizonti përmbi ujët e kripur, kur dielli zgjohet dhe përgjumet, leshterikët me erën e jodit, që e kanë të humbur betejën me valët, janë ëndërruese për këtë njeri zotni të Durrësit, për këtë bujar të shpirtit njerëzor, për këtë kalorës ndjellamirë të qytetarisë. Por me detin e lidh dhe ngjarje jetësore. Gjyshi Esatit, Isuf Ademi, i lindur në Durrës është mbytur, pasi varkën e tij e thërmoi stuhija në mes të detit, teksa kthehej nga Italia. La të birin Asllanin 14 vjeç.
Libri autobiografik i Esat Ypit, lexohet me një frymë, sepse frymë, nerv, përqendrim, sfidë e optimizëm, është vetë jeta i këtij burri të madh të Durrësit, lapsi dhe mëndja e të cilit, i dha fitim ekonomisë shqiptarë miliona e miliona dollarë. Edhe Zoti ia ka përkëdhelur fatin këtij emri, duke i dhënë kuptim, e i vendosur dy epitete të lakmueshme: “i lumtur”, “i suksesshëm”.
Jeton në Trevizo me sytë e mëndjes, me fytyrën ku shikon qytetin e lindjes, Durrësin e bukur, i cili feks me ngjyrat më të ndezura, ku malli për të cilin lëviz në deje, duke u bashkuar me gjakun që i mban gjallë jetën.
Del në ballkon, duke dëgjuar muzikën e jashtëzakonshme të Bet’hovenit. Por muzika që ia godiste trurin si çekan, e cila i dukej se ia kalonte maestros së famshëm, ishte muzika e bukur dhe e ëmbël, ku bashkonte sentimentet e mallit të pashuar për Durrësin, me ato të një pleqërie, sa vjen e bëhet më e thellë. Është muzika e dallgëve të detit.
Jeta e Esat Ypit të duket si anije stërmadhe, ku eci në detin e pakufishëm të halleve, derteve dhe sukseseve, duke kryer udhëtime famoze e i ruajtur nga erërat shqetësuese si maistra, shiroku, tresto, ponent dhe tramontan, duke mbajtur në kuvertë të ikurit që mbetën të gjallë, të gjallët aktivë, e patur bindjen se frymëmarje e tij është plotësisht e justifkueshme që frymoi kështu.
Dhe po e mbyll këtë shkrim relativisht të gjatë, por plotësisht të justifikueshëm, me thënien e shkrimtarit të mirnjohur kolumbian Gabriel García Márquez:
-Jeta nuk është ajo që u jetua, por ajo që kujtohet për t’u treguar.