Forumi i Medias për Europën Juglindore në Podgoricë: Media e pavarur, shtyllë e një shoqërie demokratike
Forumi i Medias për Europën Juglindore (SEEMF) në edicionin e XVIII me temë “Media dhe zgjedhjet – sfida profesionale dhe politike” mblodhi për dy ditë me radhë në Podgoricë, gazetarë, redaktorë, drejtues të mediave, ekspertë, politikanë dhe përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare nga më shumë se 30 vende.
Forumi i Medias për Europën Juglindore (SEEMF) në edicionin e XVIII me temë “Media dhe zgjedhjet – sfida profesionale dhe politike” mblodhi për dy ditë me radhë në Podgoricë, gazetarë, redaktorë, drejtues të mediave, ekspertë, politikanë dhe përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare nga më shumë se 30 vende.
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç mori pjesë në hapjen e punimeve të këtij Forumi ku theksoi se tema e këtij edicioni vjen në një vit në të cilin votuan miliona qytetarë në më shumë se 50 vende të botës.
“Vit “superzgjedhor” siç e quan shumëkush, tashmë po i afrohet fundit dhe periudha në vazhdim do të jetë me siguri një periudhë sfiduese në të cilën vendimet e marra nga qytetarët dhe politikanët që ata mbështetën do të formësojnë realitetin tonë shoqëror”, tha presidenti Milatoviç.
Ai theksoi se mediat e pavarura janë shtyllë e çdo shoqërie demokratike.
“Roli i tyre në procesin demokratik nuk kufizohet vetëm në informimin objektiv të qytetarëve, por edhe në promovimin e vlerave si liria e shprehjes, sundimi i ligjit dhe transparenca. Ata janë garantuesit që qytetarët të ndërgjegjësohen për çështje të rëndësishme politike, ekonomike dhe sociale”, theksoi ai duke shtuar se në këtë kontekst përgjegjësi të veçantë kanë mediat e financuara nga qytetarët.
Duke folur për sfidat profesionale të raportimit gjatë proceseve zgjedhore, presidenti Milatoviç theksoi rëndësinë e informimit të saktë, të balancuar dhe në kohë.
Ai theksoi se platformat online dhe rrjetet sociale janë kthyer në një burim dominues informacioni, por në të njëjtën kohë në një hapësirë për shpërndarjen e dezinformacionit dhe lajmeve të rreme, të cilat mund të manipulojnë opinionin publik dhe në këtë mënyrë të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve.
Presidenti i Malit të Zi u shpreh se këto dukuri shpesh lidhen me ndikimin malinj të vendeve të treta, të cilat në këtë mënyrë duan të ushtrojnë ndikimin e tyre gjeopolitik.
Milatoviç nënvizoi se roli i mediave të pavarura si “gardiane të demokracisë” është vendimtare.
Gjatë punimeve të këtij Forumi mediat, të ndarë në disa panele drejtues dhe përfaqësues të mediave diskutuan për rolin e mediave gjatë procesve zgjedhore në vendet e Ballkanit, por edhe në sistem të ndryshme politike si në Rumani, Turqi dhe Moldavi.
Radka Betçeva nga Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU) me seli në Gjenevë, tha se sfidat e diskutuara në Forumin Mediatik bëhen më të ndërlikuara çdo vit, veçanërisht kur bëhet fjalë për mjedisin politik dhe ekonomik në të cilin veprojnë mediat në Evropën Juglindore.
Ajo theksoi se mediat e forta kërkojnë pavarësi dhe duhet të jenë në gjendje të funksionojnë pa ndërhyrje politike.
“Nuk është diçka që merret si e mirëqenë, por kërkon një luftë të vazhdueshme, qëndrueshmëri dhe mirëkuptim se pa media të pavarura, veçanërisht kur bëhet fjalë për shërbimet publike, demokracia jonë është në rrezik”, tha Betçeva.
Drejtori i Programit Mediatik për Evropën Juglindore Konrad Adenauer Stiftung (KAS) nga Sofja, Kristof Plate, theksoi se raportimi i saktë është një nga mënyrat për të rikthyer besimin e publikut, duke shtuar se kjo vlen sidomos kur bëhet fjalë për raportimin gjatë zgjedhjeve.
Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Medias për Evropën Juglindore (SEEMO), Oliver Vujoviç, vuri në dukje se “kur bëhet fjalë për mediat, është shumë e rëndësishme të mbrohen gazetarët në të gjitha vendet”.
Në kuadër të Forumit mediatik këtë vit u ndanë çmimet për gazetari hulumtuese të Iniciativës së Evropës Qendrore (CEI) dhe SEEMO.
Çmimi për arritje në gazetarinë investigative në kategorinë e gazetarëve profesionistë iu dha Adrian Mogoš nga Rumania, ndërsa me çmimin në kategorinë e gazetarëve të rinj profesionistë u vlerësuan Dino Cviko nga Bosnja dhe Hercegovina dhe Đorđo Mikalopolus nga Italia.
Çmimet kishin në fokus rolin e gazetarisë hulumtuese në ndërgjegjësimin për çështjet kyçe në sektorët e mjedisit, bujqësisë, sigurisë ushqimore dhe shëndetësisë.