Strategjitë e SHBA-së për të Frenuar Kinën: Pasojat për Ekonomitë Globale
Shtetet e Bashkuara, nën administratën e Presidentit Joe Biden, kanë implementuar dhe intensifikuar një seri sanksionesh dhe kufizimesh ndaj import/eksportit të teknologjive të avancuara në lidhje me tregjet kineze
Nga Dr. Enriko Ceko
Politikat dhe strategjitë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të frenuar zhvillimin e Kinës, përmes masave të tilla si kufizimi i eksportit të mikroçipave dhe teknologjive të tjera, apo edhe tentativat pothuajse të shumëkohëshme për rritjen e tarifave doganore për mallrat kineze në përgjithësi dhe për mallra sensitive kineze në veçanti, kanë krijuar një ndikim të thellë në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në ekonomi, jo vetëm midis dy fuqive të mëdha, por edhe për shumë shtete të tjera, përfshirë Bashkimin Europian dhe shumë nga ekonomitë e zhvilluara dhe në zhvillim të mbarë botës. Këto veprime, që në mënyrë të dukshme janë aktivizuar dhe intensifikuar gjatë administratës aktuale amerikane, mbartin dhe përcjellin pasiguri dhe shqetësime për pasojat që ato mund të kenë në nivel global.
Shtetet e Bashkuara, nën administratën e Presidentit Joe Biden, kanë implementuar dhe intensifikuar një seri sanksionesh dhe kufizimesh ndaj import/eksportit të teknologjive të avancuara në lidhje me tregjet kineze, duke përfshirë mikroçipat dhe komponentë të tjerë jetikë për industritë e teknologjitë e të sotmes dhe të së ardhmes dhe ashtu siç është theksuar shpesh edhe nga ekspertët, këto veprime dhe masa janë pjesë e një strategjie më të gjerë për të frenuar avancimin e Kinës në krijueshmëri, inovacion dhe standarde.
Por kjo nuk filloi me administratën Biden. Ishte administrata e mëparshme Trump, e cila intensifikoi masat që u vazhduan dhe u thelluan nga mandati Biden, me synim frenimin e Kinës në rrugën e saj të sigurt për të qenë lider global jo thjesht në tërësi, por edhe specifikisht në teknologjitë emergjente si inteligjenca artificiale, mikroçipet, 5G, makinat elektrike, etj., si dhe për të kufizuar mundësitë e Kinës për të zhvilluar sisteme të tilla që mund të përdoren kryesisht për qëllime utilitare, humane dhe shkencore, duke ja shitur botës sikur Kina ka thjesht dhe vetëm qëllime ushtarake dhe strategjike.
Në këtë kuadër një nga hapat më të spikatur ka qenë vendosja e kufizimeve për eksportin e mikroçipave, me synim ndalimin e Kinës që të zhvillojë dhe zgjerojë aftësitë dhe mundësitë e saj në këtë fushë, që në fakt është themelore kryesisht për zhvillimin e teknologjive të tjera dhe aplikimin e tyre në të tëra fushat e tjera.
Siç ka deklaruar edhe vetë Departamenti i Tregtisë i SHBA-së, “kufizimet synojnë të pengojnë mundësinë e Kinës për të zhvilluar teknologji të caktuara që mund të kërcënojnë sigurinë kombëtare të SHBA-së dhe aleatëve të saj”.
Sipas një raporti të Komitetit të Inteligjencës të Senatit të SHBA-së, “këto masa janë bërë gjithnjë e më të rëndësishme në një kohë kur Kina është në përpjekje për të mbështetur zhvillimin e saj ekonomik dhe teknologjik”.
Por, duket qartë se ndikimi i këtyre veprimeve është multidimensional dhe nuk prek vetëm Kinën dhe ekonominë e saj. Duket sikur për SHBA-në dhe aleatët e saj, këto masa do të mund të ofrojnë një mundësi për të mbrojtur interesat strategjike dhe ekonomike, por kjo nuk është provuar dhe nuk mund të provohet dhe, nga ana tjetër, këto kufizime paraqesin një pengesë të madhe për zhvillimin e teknologjive të ndryshme në rang global, pasi ambiciet e Kinës nuk janë ambicie për të qenë e para në çdo fushë të jetës dhe aq më shumë në teknologjitë e kësaj natyre. Kina thjesht kërkon cilësi më të mirë jetesë për banorët e saj dhe për pjesën tjetër të botës, duke ndarë me vendet e qytetërimet e tjera arritjet e saj në të tëra fushat.
Siç kanë vlerësuar dhe përmendur shpesh shumë analistë, përfshirë edhe ekonomistin Roubini, “këto sanksione dhe kufizime të eksportit mund të çojnë në një ndarje të mëtejshme të sistemeve ekonomike dhe teknologjike, dhe në krijimin e dy zinxhirëve të veçantë globalë të furnizimit, me ndikime të thella në shkëmbimet tregtare dhe ekonomitë globale”, gjë që në këndvështrimin ekonomik, politik, gjeostrategjik dhe transnacional është gjëja e fundit që i duhet botës, Evropës dhe vetë Amerikës, për sot dhe për të ardhmen.
Për Bashkimin Evropian dhe vendet e tjera evropiane që ende nuk janë anëtare të BE-së, por edhe për shumë vende të EuroAzisë, që nuk janë anëtare të ndonjë pakti të madh ekonomik apo politik, këto veprime kanë sjellë edhe më shumë pasiguri dhe edhe më shumë tension.
Punëtorët e fabrikës që prodhojnë çipat në qytetin Suqian, të Provincës Jiangsu të Kinës, 12 korrik 2023. /Foto nga VCG
Ka shumë shtete evropiane që ndodhen në një pozicion të vështirë për shkak të lidhjeve të forta tregtare, ekonomike dhe gjeostrategjike me të dyja palët dhe janë pikërisht këto vende dhe qeveri që përballen me vështirësi të shumta në lidhje me balancimin e interesave të tyre që lidhen me aspektet e sigurisë dhe zhvillimit ekonomik për sot dhe të ardhmen.
Në një intervistë për Financial Times, një diplomat i lartë europian ka theksuar se “përpjekjet për të ndaluar Kinën nga zhvillimi i teknologjisë avancuar krijojnë një presion të madh mbi vendet që mbajnë një pozicion të neutralitetit strategjik, duke i detyruar ato të zgjedhin mes dy ekonomive të mëdha” dhe mesa duket zgjedhja është shumë e vështirë, duke përbërë edhe rreziqe që në të ardhmen e afërt dhe të largët mund të agravohen edhe më shumë.
Padyshim që këto masa kanë një ndikim shumë të madh dhe rol të padiskutueshem gjenerues konfliktesh dhe paqartësisht në tregtinë globale dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Kufizimet dhe tarifat e larta doganore, “kanë krijuar një klimë të pasigurt për bizneset dhe investitorët globalë dhe, kur vendet përpiqen të frenojnë rritjen e rivalëve të tyre ekonomikë, ato e kanë të vështirë të ruajnë një ekonomi të hapur dhe të lidhur duke bërë që të tilla veprime të minojnë lidhjet ekonomike dhe tregtare e mund të sjellin pasoja të rënda për stabilitetin ekonomik dhe zhvillimin global, përfshirë përpjekjet për të luftuar sfidat globale si ndryshimet klimatike, krizën e ushqimit dhe pandemitë” – shprehet ekspertja e njohur e marrëdhënieve ndërkombëtare, Conley.
Përpos kësaj, administrata e re amerikane, që do të marrë funksionet në janar 2025, ka qartësuar se do vazhdojë të fokusohet në një politike të ashpër ndaj Kinës, përfshirë rritjen e tarifave ndaj mallrave kinezë dhe thellimin e përpjekjes që në rastin më të mirë për të bllokuar dhe në rastin më të keq, për të frenuar qasjen e Kinës në teknologjitë e avancuara. Sipas komentimeve mediatike në lidhje me deklaratat e Presidentit të sapozgjedhur, Trump, ai ka deklaruar se “politikat e tij do të jenë të ashpra dhe do të synojnë të mbrojnë interesat amerikane dhe ato të aleatëve të SHBA-ve”, por padyshim që kjo qasje do ketë pasoja negative për ekonomitë e vendeve të tjera, përfshirë rritjen e kostove të prodhimit dhe rënien e shkëmbimeve ndërkombëtare në të tërë sektorët, duke sjellë si pasojë një Kinë edhe më të fortë dhe edhe më të pavarur nga ekonomia botërore.
Është lehtësisht e kuptueshme se efektet e qasjeve të kësaj natyre të SHBA-së ndaj Kinës dhe disa vendeve të tjera, janë të ndërlidhura dhe të shumta. Synimet dhe veprimet e kësaj taktike dhe strategjie për të frenuar zhvillimin e Kinës dhe për të shangur dhe limituar qasjen e saj në teknologjitë e avancuara, patjetër që do ketë pasoja negative për botën në tërësi, sepse përballë ekonomive të vendeve të ndryshme të botës, këto lloj taktikash dhe strategjish paraqesin sfida kaotike dhe anarkike, që adresojnë efekte dhe pasoja të paparashikueshme dhe të papërballueshme nga shumica e vendeve në zhvillim, por edhe nga shumë vende të zhvilluara që janë në partneritete shumëdimensionale me Kinën dhe SHBA-të, prandaj kërkohet një qasje e balancuar, shumëpalëshe dhe shumëplanëshe, në mënyrë që të krijohet një frymë e hapjes dhe e bashkëpunimit midis vetë dy vendeve dhe partnerëve, SHBA-ve dhe Kinës, një frymë e hapjes dhe e bashkëpunimit në nivel transnacional, sepse kur flasim dhe kërkojmë të ndërtojmë taktika dhe strategji për të mbrojtur interesat strategjike dhe ekonomike të vendeve të ndryshme kërkohet një kujdes i veçantë, sidomos kur flasim në themel për vetë interesat dhe ekonomisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Burimi: CGTN