Spiropali: Jemi në stad të ri të anëtarësimit në BE, kërkohet avancimi i mëtejshëm i reformave

Kryetarja e Kuvendit deklaroi se “ëndrra dhe shpresa, zgjidhja e vetme por edhe zgjedhja jonë pa mëdyshje për ta bërë Shqipërinë një yll më shumë në flamurin me yje të Europës, brenda vitit 2030, janë i vetmi rrugëtim dhe adresë e vetme, një rrugë njëkalimëshe e së nesërmes sonë”.


Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali deklaroi sot se “ëndrra dhe shpresa, zgjidhja e vetme por edhe zgjedhja jonë pa mëdyshje për ta bërë Shqipërinë një yll më shumë në flamurin me yje të Europës, brenda vitit 2030, janë i vetmi rrugëtim dhe adresë e vetme, një rrugë njëkalimëshe e së nesërmes sonë”.

Në takimin e nivelit të lartë ”Shqipëria 2030 në BE-Rruga e reformave”, organizuar pasditen e sotme nën kujdesin e saj me pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama, përfaqësuesve të Trupit Diplomatik, anëtarëve të kabinetit qeveritar, Spiropali bëri të ditur se lipset avancimi i mëtejshëm i reformave zhvillimore e demokratizuese, si kushte të domosdoshme për të përcaktuar përgjegjësitë për këtë proces transformues, i cili është i pandalshëm tashmë.

“Është e lehtë për t’u thënë që lipset avancimi i mëtejshëm i reformave zhvillimore demokratizuese, si kushte të domosdoshme për të përcaktuar përgjegjësitë tona për këtë proces transformues, i cili është i pandalshëm tashmë. Identifikimi hap pas hapi i elementëve të këtij procesi, ku Kuvendi i Shqipërisë ka një rol kyç, shndërrimi i tyre në plane të detajuara dhe konsolidimi për këtë veprimtari merr një rëndësi të posaçme pas mbajtjes së konferencës së dytë ndërqeveritare BE-Shqipëri dhe pas çeljes së negociatave për grupkapitujt e parë “themeloret”, vendi ynë ka hyrë në një stad të ri të anëtarësimit, një stacion drejt objektivit strategjik kombëtar anëtarësimin e Shqipërisë në BE”, tha Spiropali.

Sipas Spiropalit, “ëndrra dhe shpresa, zgjidhja e vetme por edhe zgjedhja jonë pa mëdyshje për ta bërë Shqipërinë një yll më shumë në flamurin me yje të Europës, brenda vitit 2030 janë i vetmi rrugëtim dhe adresë e vetme për ne, një rrugë njëkalimëshe e së nesërmes sonë”.

“Kemi arsye për të qenë krenarë për atë që kemi bërë, por pikërisht ky stad i arritur është një arsye më shumë që apelon për më shumë përgjegjshmëri, aksion e frymëzim politik për të nesërmen”, theksoi ajo.

“Asgjë nuk ka qenë e lehtë, është një punë jashtëzakonisht voluminoze, me pasion e talent, përkushtim patriotik e kompetencë të lartë profesionale, jo vetëm e ekipit negociator, por të disa mijëra punonjësve publikë, të cilët i dhanë procesit të integrimit më të mirën e tyre dhe u bënë një aset i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm i këtij procesi”, tha ajo.

“Rol thelbësor ka pasur vullneti politik i shprehur i qeverisjes dhe mazhorancës qeverisëse dhe ai së paku formal dhe jo oponent i opozitës së sotme. Nuk besoj se ka forcë politike apo personazhe politike që të jetë kundër ambicjes shqiptare për integrim të plotë evropian”, theksoi ajo.

Sipas Spiropalit, debati ynë është për rrugët, mjetet apo dhe mënyrën sesi realizohet ky process, duke vënë në dukje se askush nuk është i përjashtuar apo i tepërt.

“Përfundimi me sukses i procesit screening, si një ushtrim i vështirë, por rezultativ për të gjithë ne, na solli në stadin më të rëndësishëm të procesit të anëtarësimit, në zhvillimin e negociatave”, theksoi ajo.

“Përtej të gjithë dilemave dembele apo edhe fataliste që herë pas here ngrenë krye në politikën e ditës, në debatet publike apo dhe në vetë shoqërinë tonë, duhet të besojmë fort një të vërtetë të pamohueshme që anëtarësimi në Bashkimin Europian do të jetë një proces i bazuar në meritë”, vijoi ajo.

“Askush nuk afron dhuratë dhe askush nuk pret dhuratë nga Brukseli. Eshtë një proces merite dhe që duhet merituar. E kundërta, madje, as nuk është e dobishme”, vuri në dukje ajo.

“Përkthimi i lirë për qytetarin shqiptar i gjithë këtij procesi është që ai, njëlloj si qytetari i hapësirës evropiane, të jetë i shërbyer në të njëjtën mënyrë nga administrata shtetërore, t’i marrë ato shërbime me shpejtësi dhe pa ndikimin e rryshfetit apo korrupsionit, që t’i afrohet drejtësi në rastet e sfidave gjyqësore, qoftë në rrafsh civil, penal apo dhe kur ka përballë vetëm shtetin”, theksoi Spiropali.

Spiropali ndau disa prej sfidave të Kuvendit jo vetëm për procesin e anëtarësimit në BE, por edhe për përgjegjësitë tona për ligjbërjen dhe kontrollin parlamentar si edhe për avancimin e reformave demokratizuese dhe integruese.

“Realizimi i këtij objektivi strategjik kombëtar, ka shtruar para nesh detyra të reja, të cilat burojnë edhe nga ligji i ri mbi rolin e Kuvendit në procesin e integrimit evropian, përfshirë ndryshimet në këtë ligj në mars 2023, të cilat synojnë që Kuvendi t’u përgjigjet më mirë nevojave dhe sfidave të procesit të negociatave”, theksoi ajo.

Sipas saj, këto ndryshime i përcaktojnë Kuvendit, sidomos Komisionit për Çështjet Evropiane dhe Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, një rol të rëndësishëm për të çuar përpara agjendën europiane.

Anëtarësimi në Bashkimin Europian, me tepër sesa një proces teknik i plotësimit të disa kritereve standarde, theksoi kryeparlamentarja, është një proces transformues dhe përshtatës, jo vetëm i Kuvendit, qeverisë dhe institucioneve, por i të gjithë shoqërisë shqiptare.

“Prandaj, mobilizimi i të gjithë faktorëve politikë e shoqërore, arritjet e deritanishme dhe vullneti ynë për të përshpejtuar ritmet e anëtarësimit, na bëjnë të besojmë se anëtarësimi i Shqipërisë brenda vitit 2030 është përveçse një plan ambicioz, edhe një qëllim plotësisht i arritshëm”, tha Spiropali.

Spiropali tha se Kuvendi do të vijojë të udhëheqë me vendosmëri procesin e anëtarësimit, për të garantuar legjitimitetin demokratik dhe karakterin gjithëpërfshirës të procesit.

“Përballimi me sukses i sfidave të negociatave kërkon rritjen e rolit kontrollues të Kuvendit, posaçërisht të Komisionit për Çështjet Europiane dhe Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian gjatë procesit të negociatave, për të garantuar përmbushjen e kritereve të vendosura për hapjen dhe mbylljen e grup-kapitujve, monitorimin e ecurisë së procesit në bashkëpunim me grupet e interesit dhe shoqërinë civile dhe aktorë të tjerë jopolitikë si edhe informimi i publikut mbi ecurinë e negociatave”, vuri në dukje ajo.

“Plani i Rritjes së BE për Ballkanin Perëndimor paraqet një mundësi të jashtëzakonshme për Shqipërinë. Ky plan synon të forcojë zhvillimin ekonomik, të ndërtojë infrastrukturën lidhëse kombëtare dhe rajonale, dhe të ndihmojë në zbatimin e reformave të nevojshme për integrimin tonë në tregun e vetëm të BE.

Ngritja nga Kuvendi i Shqipërisë, gjatë sesionit të kaluar parlamentar të Komisionit të Posaçëm “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për “Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”” ishte përgjigje ndaj nevojës së brendshme të shoqërisë shqiptare për të përshpejtuar ritmet e reformave integruese e demokratizuese dhe për t’ia dhënë këtë rol Kuvendit si një ombrellë ku mund të mblidhen të gjitha institucionet, ato të pavarura dhe të Ekzekutivit.

Ishte një nevojë politike, ligjore dhe institucionale për të plotësuar një vakuum, për të zëvendësuar mungesën e një mekanizmi të përhershëm parlamentar, i cili do të analizojë në mënyrë racionale gjendjen e zhvillimeve dhe të reformave në vend dhe do të rekomandojë rrugëzgjidhje e veprime për të tri degët e qeverisjes: legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore.

Veprimtaria e deritanishme e Komisionit dhe 11 tryezat e organizuara tregojnë se ngritja e tyre ishte një akt i duhur”, theksoi kryetarja e Kuvendit.

Spiropali tha se në pjesëmarrjen e djeshme në tryezën e Komisionit kushtuar luftës kundër korrupsionit në sektorët me risk të lartë, konstatoi mendimin e thelluar, analizën serioze dhe përkushtimin në adresimin e kësaj çështjeje.

Spiropali vlerësoi punën e të gjithëve dhe shprehu besimin se procesi nisur me konsultime të gjera, diskutime dhe debat shterrues do të afrojë kontribut domethënës në funksion të qeverisjes më të mirë, përmirësimit të shërbimeve publike, rritjes së integritetit të funksionarëve e punonjësve publike, përmirësimit të veprimtarisë së institucioneve dhe agjencive shtetërore dhe institucioneve të pavarura, ndërtimit të një Shqipërie më të fortë, me një shoqëri më të drejtë, ku qytetarët të ndihen zotër e të shërbyer.

“Lufta e sukseshme kundër korrupsionit përbën thembrën e Akilit në përpjekjet tona për të ndërtuar një vend me ekonomi të fortë, sektorë e tregje konkurruese, dhe një shoqëri me drejtësi sociale e solidaritet njerëzor”, vuri në dukje ajo.

Sipas saj, arritjet e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit janë të dukshme e të matshme dhe janë vlerësuar edhe në Raportet e Departamentit të Shtetit si edhe Raportin e Progresit 2024 të Komisionit Europian.

Por, vijoi Spiropali, mjaft prej sektorëve të shërbimeve publike vazhdojnë të jenë ende të rrezikuar nga korrupsioni.

“Perceptimi mbi nivelin e korrupsionit është në një shkallë shqetësuese, ndonjëherë ndoshta, edhe përtej nivelit real të tij.E megjithatë, merr një rëndësi të posaçme intensifikimi i luftës kundër tij, e cila nuk është vetëm e karakterit ndëshkues, por edhe parandalues”, theksoi Kryetarja e Kuvendit.

“Fryma, intensiteti, forca goditëse dhe rezultatet e e luftës kundër korrupsionit nuk janë shtrirë në të gjithë diapazonin e sektorëve, institucioneve dhe agjencive të shtetit dhe është domosdoshmëri që dokumenti I komisionit të adresojë këto çështje”, tha ajo.

“Digjitalizimi i pashembullt, një proces krejt i pamenduar më parë, i shumë shërbimeve që synojnë thyerjen e kontaktit të administratës me qytetarin, është një hap i jashtëzakonshëm që ka kontribuuar pikërisht në këtë drejtim. Koha kur paguhej për të marrë edhe një certifikatë të gjendjes civile, ka mbaruar”, vijoi Spiropali.

“Nuk është akt i vetëm, por gjithashtu është një proces që dhjetë vjet më parë as nuk mendohej se do të ndodhte. Në Shqipëri ishte krijuar një kastë politike e cila ishte kudo dhe kurdoherë mbi ligjin. Kur vjedhja e bukës quhej krim, kurse grabitja e milionave të parave publike ishte virtuozitet. Kur i dobti shtrëngohej të hynte në kalvarin kafkian të përballjes me ligjin, kurse i pushtetshmi diktonte ligjin duke qenë mbi të”, deklaroi ajo.

Spiropali u ndal edhe tek ato që i cilësoi segment i zëshëm i drejtësisë së re, Gjykata e Posaçme dhe SPAK-u, që sipas saj, kanë dëshmuar se koha e të paprekshmëve në këtë vend që shihej me parametrat e lindjes, ka perënduar përgjithmonë.

“Të pandëshkueshmit e djeshëm dhe të sotëm po jetojnë nën terrorin e ligjit dhe e dinë mirë se, herët a vonë, do të kthejnë sheqerin e grabitur dhe do të mbeten me shap të ndarë prej tij. Pa mburoja gjithëfarëshe politike, janë në shënjestër të asaj që po ndodh dhe do të vijojë të ndodhë, ashtu siç e gjykon në pavarësi të plotë një pushtet i pavarur nga politika”, theksoi ajo.

“Asnjëherë më parë sistemi i drejtësisë nuk ka qenë kaq funksional dhe i pavarur si sistemi që kemi sot, që po çon në ikje pakthim kulturën e pandëshkueshmërisë. Kurrë më parë institucionet e pavarura nuk kanë qenë ashtu siç janë dhe po përpiqemi t’i bëjmë sot, roje të interesit publik dhe qytetar; Asnjëherë më parë qytetarët, grupet e interesit dhe mediat nuk kanë pasur këtë akses në punët e shtetit që kanë sot”, tha ajo

Sipas Spiropalit, ky është momentumi kur Shqipëria kërkon kontributin të tejshtuar politik, patriotik e njerëzor për t’u anëtarësuar brenda vitit 2030 në familjen europiane.

Spiropali vuri në dukje shqetësimin si kryetare e Kuvendit pse opozita, pavarësisht ftesave të përsëritura që nuk do të mungojnë sërish, ende nuk ka arritur dot të ngrihet mbi interesin e ditës dhe të vendosë interesat e Shqipërisë përmbi qasjet partiake në këto procese.

“Kuvendi është një hapësirë lirie, por edhe një ushtrim i vështirë përgjegjësie dhe përgjegjshmërie, ku ka vend e nevojë për kontributin e saj.

“E përsëris se përgjegjësitë e reja të Kuvendit në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian: lidershipi i procesit, garantimi i legjitimitetit demokratik dhe i karakterit gjithëpërfshirës, na detyrojmë të vijojmë të marrim përgjegjësi, jo për të kontrolluar degët e tjera të qeverisjes dhe institucionet e pavarura, por për të rritur përgjegjshmërinë, llogaridhënien dhe transparencën e të gjitha pushteteve ndaj qytetarëve”, theksoi ajo.

“Është e vërtetë që institucionet janë rojet e interesit qytetar, por kush i ruan rojet?”, tha Spiropali.

Sipas saj, Kuvendi, si i vetmi pushtet i zgjedhur dhe deleguar nga populli, garanton që të gjitha institucionet, përfshirë vetë Kuvendin, të jenë të varura e të kontrolluara nga Kushtetuta, ligji dhe qytetarët.

“Guximi ynë politik e parlamentar për të udhëhequr këto procese reformuese dhe transformuese të shoqërisë shqiptare, rezultatet e arritura, vështirësitë që kemi ndeshur dhe sfidat që po kapërcejmë, tregojnë se sinergjia mes dinamizimit të shoqërisë dhe institucioneve dhe mbrojtjes së tyre prej formave të ndryshme të ndërhyrjeve është e domosdoshme dhe po funksionon”, theksoi ajo duke shprehur besimin se ky është një proces që kërkon gjithashtu sakrificë njerëzore dhe politike.

“Kërkon padyshim edhe mbështetjen e pakursyer të partnerëve tanë, siç dhe ka ndodhur dhe do të vijojë ende të ndodhë”, përfundoi Spiropali duke falënderuar delegacionin e Bashkimit Europian dhe Ambasadën e Shteteve të Bashkuara, Ambasadat e vendeve anëtare të Bashkimit Europian, Ambasadën e Zvicrës, Prezencën e OSBE-së, Zyrën e Këshillit të Europës dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe qëndrimet mbështetëse ndaj Kuvendit të Shqipërisë në këtë stad të rëndësishëm të rienegjizimit tonë politik dhe patriotik, avancimit dhe thellimit të reformave, drejt objektivit Shqipëria në BE në 2030.

Burimi: ATSH

Rama: Prokurimet Publike përmes Inteligjencës Artificiale, së shpejti risi me rritjen e transparencës

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se po punohet aktualisht që Prokurimet Publike të çohen në një nivel tjetër…

Global 360

”Politico”: Meloni personi më i fuqishëm në Evropë në 2025

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka fituar titullin e personit më të fuqishëm në Evropë të dhënë nga gazeta ”Politico” në…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Rama: Prokurimet Publike përmes Inteligjencës Artificiale, së shpejti risi me rritjen e transparencës

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se po punohet aktualisht që Prokurimet Publike të çohen në një nivel tjetër…