Hasani: Hetim të plotë për sulmin terrorist në Ibër-Lepenc
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani bëri thirrje sot për një hetim të plotë për sulmin terrorist në kanalin Ibër-Lepenc në veri të Kosovës.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani bëri thirrje sot për një hetim të plotë për sulmin terrorist në kanalin Ibër-Lepenc në veri të Kosovës.
Në fjalën e tij në në takimin e Komisionit të Partneritetit të Kartës SHBA-Adriatik (A5) të mbajtur në Tiranë, Hasani u shpreh se, “situata e sigurisë në rajonin tonë ndikohet thellësisht nga agresioni i vazhdueshëm në Ukrainë, i cili ka rritur tensionet në oborrin tonë”.
“Ndikimi keqdashës i aktorëve të jashtëm i përkeqëson këto sfida dhe pasojat ndjehen në të gjithë rajonin. Rëndësia e angazhimit tonë kolektiv ndaj NATO-s dhe angazhimit aktiv të BE-së nuk mund të mbivlerësohet”, theksoi ai.
Në këtë drejtim, Hasani, përsëriti mbështetje e palëkundur të Shqipërisë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.
“Ne jemi plotësisht të përkushtuar të qëndrojmë pranë Ukrainës në luftën e saj kundër agresionit dhe qëndrojmë me aleatët tanë në thirrjen për mbështetjen e plotë të Ukrainës nga komuniteti ndërkombëtar”, tha ai.
Hasani gjithashtu dënoi sulmin terrorist në kanalin Ibër-Lepenc në veri të Kosovës, teksa bëri thirrje për hetim të kësaj ngjarjeje.
Në të njëjtën kohë, tha kryediplomati shqiptar, “nuk mund të injorohen zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, të cilat kanë theksuar edhe më shumë kërcënimin e vazhdueshëm të destabilitetit”.
“Sulmi i fundit terrorist në kanalin Ibër-Lepenc është një kujtesë e fortë e brishtësisë së paqes në rajon dhe nevojës urgjente për bashkëpunim të forcuar në luftën kundër veprimeve destabilizuese. Ne bëjmë thirrje për një hetim të plotë dhe përgjegjësi të plotë për ata që janë përgjegjës”, u shpreh Hasani.
Ai shtoi se, “është gjithashtu e rëndësishme të pranohet se përgjegjësia për situatën aktuale në Kosovë shtrihet përtej autorëve të drejtpërdrejt. Të gjithë ne kemi një rol vendimtar në ushtrimin e presionit për të siguruar që të ndërmerren veprimet e duhura kundër atyre që janë përgjegjës për këto akte dhune”.
“Dështimi për të vepruar me vendosmëri për të siguruar që autorët të mbahen përgjegjës, vetëm sa përkeqëson tensionet dhe minon stabilitetin e rajonit. Komuniteti ndërkombëtar duhet të dërgojë një mesazh të qartë se veprime të tilla nuk do të tolerohen dhe se rruga drejt paqes dhe normalizimit është e vetmja zgjidhje praktike”, tha më tej Hasani.
Burimi: ATSH